Mision i pazakontë nga ekipet mjekësore, shpëtohet alpinistja 31-vjeçare (VIDEO)

Një alpiniste u shpëtua nga mali i Çikës në Llogara nga ekipet e shpëtimit të dërguar nga Ministria e Shëndetësisë.

Alpinistja 31-vjeçare pësoi një traumë kranike, VLC të fytyrës dhe traumë të baçinit pas një aksidenti në mal. Në një terren tejet të vështirë dhe nga një mision i pazakontë, ekipi i urgjencës arriti të shpëtonte 31 vjeçaren alpiniste dhe u bë i mundur dërgimi i saj në Spitalin e Traumës në Tiranë ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social, Ogerta Manastirliu shprehet se  ky ishte një mision të pazakontë shpëtimi. “Menjëherë sapo mora njoftimin për dëmtimin e një vajze në Malin e Çikës, organizuam dhe nisëm misionin e shpëtimit nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore. Një mision të pazakontë shpëtimi, në një terren të vështirë. ‪Shërim të shpejtë vajzës. Krenare për punën heroike të ekipit të Urgjencës!”, deklaron ministrja.

Edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka reaguar lidhur me këtë operacion heroik. “Respekt dhe vlerësim të pafundëm për profesionalizmin e njësisë shëndetësore të Bazës Ajrore Farkë, të cilët sfiduan terrenin e vështirë dhe shpëtuan një alpiniste 31-vjeçare, të dëmtuar gjatë stërvitjes në malin e Çikës në Llogora”, deklaron Xhaçka. /a.g /KultPlus.com