Shpronësimi i Ulpianës kthehet në pikën zero

Qeveria e Kosovës ka shumë kohë që përmend shpronësimin e lokalitetit arkeologjik të Ulpianës. Një gjë e tillë ishte thënë edhe në tetor të vitit 2016, kur një pjesë e lokalitetit ishte shpallur Park Arkeologjik.

Asokohe, Instituti i Arkeologjik i Kosovës kishte bërë gati një dosje të cilën e kishte dorëzuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që asokohe udhëhiqej nga Kujtim Shala. Por asnjëherë nuk ishte bërë tjetër hap për arritjen e qëllimit. Shteti, siç ka raportuar gazeta vite më parë, nuk është as një për qind pronar i hapësirës ku mendohet se shtrihet lokaliteti arkeologjik.

Tashmë procesi është kthyer prapë në pikën zero. Në korrik të këtij viti, gjatë një vizite që kishte bërë në Ulpianë ministri aktual i Kulturës, Kujtim Gashi, midis të tjerash kishte përmendur edhe shpronësimin.

“Jemi këtu për të parë nga afër edhe çështjen e pronësisë, sepse ashtu siç dihet në këtë park ka edhe prona private. Dhe jemi të interesuar si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si MKRS ta bëjmë një zgjidhje në mënyrë që ky projekt të hapet edhe më tutje, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij lokaliteti për trashëgiminë kulturore të Kosovës”, kishte thënë ai.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se janë duke përgatitur një dosje me të dhëna kadastrale. Sipas tij, kjo punë është duke u bërë për herë të dytë, pasi duan që dosja të plotësohet, shkruan KD./ KultPlus.com