Shqipëria e vitit 1898 në sytë e një skocezi

Përshkrimet në superlativ për Shqipërinë dhe shqiptarët janë të pafundme.Interesimi i të huajve për territoret e Perandorisë Osmane në Ballkan nxiti interesimin edhe për Shqipërinë.

Projektori i njohjes ra mbi shqiptarët si popull, veçanësinë e tyre kulturore, tokat e tyre, karakterin individual e kolektiv, transmeton KultPlus.

KultPlus ju sjell një përshkrim të Hugh Callan të botuar në «The Scottish Geographical Magazine» në vitin 1898:

«Shqipëria duket që ka qenë prore ajo që është sot, një shtrojerë e një race njerëzish të rreptë e të patrembur. Është një truall malesh, një tokë e zakoneve të qëmoçme, veshjeve të vjetra, hakmarrjeve të vjetra; një visore e fiseve, secili i hakërryer kundër njëri tjetrit; një tokë e vetjakizmit, aty ku instinkti social vritet nga e drejta dhe mujsharia e secilit për të vepruar si t’ia dojë kokrra e qejfit.

Pozicioni i saj është i tillë që kjo racë mund ta mbrojë vetën prej çdo pushtuesi. Në lindje kufizohet prej Maqedonisë dhe Thesalisë nga një vijë e maleve (Sharr dhe Pind) dhe liqeneve të mëdha (Ohër dhe Prespë); në jug nga malësitë e Greqisë dhe gjirit të Artës; në perëndim nga Adriatiku i rrëmbyer; një vijë e gjatë prej shkëmbinjve të pakalueshëm (Himara ose Akrokeraunia), dhe brigjeve të gjata me xhepa kënetorë (nga Vlora deri te gjiri i Drinit), në veri nga Mali i Zi dhe Novi Pazari.

[….] Nëse pellazgët janë stërgjyshërit e vërtetë të shqiptarëve ose jo, të paktën duket e sigurtë që ata kanë mbetur të pandryshuar për mijëra vjet, saqë shkërbejnë me përshkrimet e vjetra greke për jetën. Sistemi i mikëpritjes, grupimi i tokave në rrethe që udhëhiqen nga prijës trashëgimtarë, veshja e tyre – fustanella, tunika, sandalet, tirqit, guna e leshtë e barinjve, qentë e mëdhenj që ruajnë dhentë, që të gjitha janë sugjestive për një prejardhje të vjetër». / KultPlus.com

Përktheu: Salih Mehmeti