Diaspora shqiptare në Shtutgart, 28 mijë euro për të prekurit nga tërmeti

Diaspora shqiptare ka treguar solidaritet të madh, duke dhënë kontribut për rindërtimin e ndërtesave të prekura nga tërmeti si dhe ndihma të shumta për banorët e Shqipërisë.

Së fundi, në Shtutgart të Gjermanisë, në Landit Baden-Würtemberg, u organizua një aktivitet solidariteti për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit nga Qendra e Kulturës Shqiptare në këtë qytet, shkruan albinfo.ch.

Sipas informacioneve, thuhet se nga kontributet e komunitetit shqiptar, anëtarë të kësaj Qendre, janë mbledhur mbi 28 mijë euro si ndihmë për këtë tragjedi.

Duhet theksuar se ndihma e mbledhur financiare është hedhur në një nr. llogarie të Caritas-it gjerman, i cili nga ana e tij do t’ia përcjellë Caritas-it në Shqipëri. /Albinfo.ch. /KultPlus.com