Sigmund Frojd: Krijuesi dhe fantazia

Ne, profanët, gjithmonë jemi joshur të dimë se nga e merr lëndën e tij ky personalitet i çuditshëm, krijuesi, lëndë sipas idesë së pyetjes që ai i drejtoi kardinalit Aristos dhe si arrin krijuesi të na prekë me të, si na shkakton emocione të tilla që ne ndoshta asnjëherë s’do t’i pranonim.

Interesi ynë për këtë rritet vetëm sepse, kur e pyesim, vetë krijuesi s’na jep fare informacion ose s’na jep informacion të kënaqshëm. Ai nuk shqetësohet aspak, kur ne e dimë se edhe njohja e shkëlqyer e kushteve të zgjedhjes së materialit krijues dhe e thelbit të artit krijues poetik nuk do të ndihmonte që ne vetë të bëheshim krijues .

Ah, sikur të gjenim të paktën te vetja ose te ca si puna jonë një veprimtari disi të afërt me veprimtarinë krijuese! Hulumtimi i saj do të jepte shpresën për të përfituar një sqarim fillestar për krijimtarinë. E me të vërtetë për këtë ekziston shansi. Po vetë krijuesit e kanë për zemër që të ngushtojnë hendekun midis veçantisë së tyre dhe qenies së zakonshme njerëzore. Ata na sigurojnë kaq shpesh se te çdo njeri fshihet një krijues dhe se krijuesi i fundit do të vdesë bashkë me njeriun e fundit.

A s’do të duhej të kërkonim gjurmët e para të veprimtarisë tashmë që te fëmija? Veprimtaria më e pëlqyer dhe më intensive e fëmijës është loja. Ndoshta na lejohet të themi: Çdo fëmijë që luan sillet si krijues, kur ai krijon botën e vet ose, më saktë, kur i vendos sendet e botës së vet sipas një renditjeje të re që i pëlqen atij. Atëhere do të ishte e padrejtë të mendonim se ai nuk e merr seriozisht këtë botë;  përkundrazi , ai e merr  shumë seriozisht lojën e vet dhe gjatë saj përdor pasion të madh. E kundërta e lojës nuk është serioziteti, po realiteti. Fëmija e dallon shumë mirë botën e vet të lojërave, megjithë pasionin e madh për të, nga realiteti, dhe i orienton objektet dhe qëndrimet e tij imagjinare te sende të kapshme dhe të dukshme të botës reale. Veçse pikërisht ky orientim e dallon “lojën” e fëmijës nga fantazimi.

Krijuesi bën të njëjtën gjë si fëmija që luan. Ai krijon një botë të fantazuar, të cilën e merr shumë seriozisht, d.m.th e trajton me pasion të madh duke e ndarë qartë nga realiteti. Gjuha e fikson këtë afri të lojës së fëmijës me krijimin poetik kur veprimtari të tilla krijuese që orientohen nga objektet e kapshme dhe që mund të zbatohen, i quan lojëra: lojë gazmore, lojë tragjike dhe personin që interpreton, e quan lojëtar të shfaqjes (aktor).
Por nga bota artistike joreale dalin pasoja shumë të rëndësishme për teknikën artistike, sepse shumë gjëra që si objekte reale nuk do të na jepnin kënaqësi, në kuadrin e lojës së fantazisë për dëgjuesin dhe shikuesin e krijuesin bëhen burime kënaqësie, megjithëse në fakt janë ngacmime munduese.
Për shkak të një lidhjeje tjeter le të ndalemi për një çast te kontradikta midis realitetit dhe lojës! Kur fëmija rritet dhe pushon së luajturi, kur, gjatë dhjetëvjeçarëve, megjithë seriozitetin e nevojshëm, ai është përpjekur të kapë shpirtërisht realitetet e jetës, një ditë prej ditëve mund të bjerë në një gjendje shpirtërore që rithekson kundërshtinë midis lojës dhe realitetit.
I rrituri kujton se me çfarë serioziteti të madh ushtronte dikur lojërat fëminore dhe teksa barazon veprimtaritë e tij gjoja serioze me ato lojëra fëminore, flak tej hallet e rënda të jetës dhe arrin përfitimin e kënaqësisë së butë te humori.
Pra, i rrituri pushon së luajturi, ai heq dotë në dukje nga përfitimi i kënaqësisë që merrte nga loja. Por kush e njeh jetën shpirtërore të njeriut, e di se për të s’ka gjë më të rëndë se braktisja e kënaqësisë së provuar një herë. Në thelb ne nuk mund të heqim dorë nga asgjë, ne vetëm këmbejmë një gjë me një tjetër. Ajo që duket si heqje dorë, në fakt është një formë e zëvendësuar, surogate. Kështu, edhe i rrituri, kur pushon së luajturi, nuk bën gjë tjetër veçse orientohet tek objektet reale, tani ai fantazon. Ai ngre kështjella në erë, bën atë që quhen ëndrra ditën me diell.

Unë besoj se shumica e njerëzve krijojnë fantazi gjatë jetës së tyre. Ky është një fakt që për një kohë të gjatë ka kaluar pa u vënë re dhe prandaj edhe rëndësia e tij nuk është çmuar sa duhet.
Është më e vështirë të vrojtosh fantazimin e njerëzve sesa lojën e fëmijëve. Fëmija luan me të vërtetë ose formon me fëmijët një sistem të mbyllur psikik për qëllimet e lojës, por në qoftë se s’do t’ua hedhë të rriturve, atëherë nuik e fsheh lojën e tij prej tyre. Por të rriturit i vjen turp për fantazitë e veta dhe i fsheh ato prej të tjerëve. Ai i mban ato si intimitetet e veta personale.

Si rregull, ai do të pohonte më lehtë krimet e tij sesa të shprehte fantazitë e tij. Ka të ngjarë që njeriu që krijon fanatzi të tilla, t’i mbajë ato vetëm për vete, duke mos parandier mbi përhapjen e përgjithshme edhe te të tjerët të krijimeve plotësisht të ngjajshme. Kjo sjellje e ndryshme e atij luan nga ai që fantazon, e ka argumentimin e qetë të fortë në motivet e dy veprimtarive.
Loja e fëmijës dirigjohet nga dëshirat, në thelb, nga një dëshirë që e ndihmon edukimin e fëmijës, pra, nga dëshira për të qenë i madh, i rritur. Fëmija luan gjithmonë rolin e të madhit. Ai në lojë imiton atë që sheh nga jeta e të mëdhenjve. Ai nuk ka asnjë arsye ta fshehë këtë dëshirë. Është ndryshe i rrituri. Nga njëra anë ky e di se prej tij s’pritet më që të luajë ose të fantazojë, por që të veprojë në botën reale dhe, nga ana tjetër, dëshirat e krijuara prej fantazive të tij kanë synime që s’është aspak e nevojshme t’i fshehësh. Prandaj ai ka turp dhe e shikon si fëmijë dhe të ndaluar fantazimin e tij.

Ju do të pyesni se nga i kemi gjetur kaq njohuri të sakta mbi fantazimin e njerëzve kur ata e mbulojnë atë aq shumë. Ka një kategori njerëzish, të cilëve vërtet jo perëndia, por një perëndeshë e rreptë-nevoja-u ka dhënë detyrën të thonë ngase vuajnë dhe për çfarë gëzohen. Këta janë psikoneurotikë që duhet t’i rrëfejnë mjekut, prej të cilit presin shërim me anë të trajtimit psikik, edhe fantazitë e tyre. Nga ky burim vijnë njohuritë tona më të mira; prandaj ne kemi arritur në supozimin e argumentuar mirë se të sëmurët nuk na tregojnë gjë tjetër veçse atë që do të mësonim, edhe prej të shëndoshëve.
Le të futemi e të njohim disa tipare të fantazimit. Na lejohet të themi se i lumturi nuk fantazon kurrë, por vetëm i pakënaquri.

Dëshirat e paplotësuara janë forca shtytëse e linjës së fantazive dhe çdo fantazi s’është gjë tjetër veçse një përmbushje dëshire, është një korrekturë e realitetit të pakënaqshëm. Dëshirat nxitëse janë të ndryshme sipas seksit, karakterit dhe rrethanave të jetës të personit që fanatzon. Megjithatë ato mund të grupohen qetësisht në dy drejtime kryesore. Ato janë ose dëshira ambicioze, të cilat shërbejnë ngritjes së personit, ose dëshira erotike. Te femra në moshë të re sundojnë pothuajse pa përjashtim dëshirat erotike, sepse, si rregull, ambicja e saj përbëhet nga synimi për dashuri. Te burri në moshë të re, krahas dëshirave erotike, janë mjaft të rëndësishme edhe dëshirat egoiste dhe ambicioze.

Megjithatë ne nuk duam të theksojmë antagonizmin e dy drejtimeve, përkundrazi, duam të theksojmë më shumë  bashkimin e shpeshtë të tyre.  Siç shihet, si në një cep të shumë pikturave në altare te portreti i dhuruesit, edhe në ndonjë kënd të shumicës së fantazive ambicioze ne mund të zbulojmë zonjën, për hir të së cilës fanatazisti kryen gjithë aktet heroike dhe së cilës ia kushton gjithë sukseset e tij. Ju do ta kuptoni se këtu paraqiten motive mjaftë të forta për të shpjeguar fshehjen.
Femrës së edukuar i lejohet vetëm një minimum i nevojave erotike dhe i riu duhet që për hir të përfshirjes në shoqëri kaq të pasur në individë me kërkesa të ngjashme të larta, të mësojë të ndrydhë teprinë e ndjenjës së dinjitetit, ndjenjë që e merr qysh nga përkëdheljet e fëminisë.
Produktet e kësaj veprimtarie fantazuese, pra, fantazitë e veçanta, kështjellat e erës ose ëndrrat në ditët me diell nuk duhet t’i përfytyrojmë si të ngrira dhe të pandryshueshme. Ato u përshtatn mbresave të ndryshme të jetës, ndryshojnë në çdo lëkundje të situatave të jetës, marrin nga çdo përshtypje e re vepruese të ashtuquajturën shenjë të kohës.

Raporti i fantazisë me kohën është me shumë rëndësi. Mund të thuhet se fantazia luhatet pothuajse midis tri monumenteve kohore të përfytyrimit tonë.
Veprimtaria shpirtërore merr shkas nga një mbresë aktuale ose nga ndonjë rast i tanishëm që qe në gjendje të zgjonte një nga dëshirat e mëdha të personit, i kthehet që këtu kujtimit të një përjetimi të kaluar. Pra, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja duken sikur të jenë shkruar njëra pas tjetrës në gjalmin e kalimit për te dëshira.
Shembulli më banal mund t’jua sqarojë idenë time.
Merrni rastin e një djaloshi të varfër dhe bonjak, të cilit i keni dhënë adresën e një punëdhënësi: ai mund të shohë një ëndërr me sy hapur që lind në përshtatje me situatën e tij. Përmbajtja e kësaj fantazie do të jetë afërsisht e tillë: djali pranohet në punë; shefi i ri e pëlqen atë; djali bëhet i domosdoshëm për biznesin dhe jetën në familjen e pronarit; martohet me vajzën tërheqëse të tij dhe drejton biznesin, së pari, bëhet bashkëpronar e më vonë pasardhës i të zotit.
Gjatë fantazimit ëndërrimtar ai përtërin atë që ka zotëruar në fëmininë e tij të lumtur: shtëpinë që e strehonte, prindërit e dashur dhe objektet e para të simpatisë së tij të dhimbsur. Ju shihni në një shembull të tillë se si dëshira shfrytëzon një rast të së tashmes për të skicuar sipas modelit të së kaluarës një portret të së ardhmes.
Do të kishte ende lloj – lloj gjëra për të thënë mbi fantazinë, por dua të mjaftohem me sa më pak aluzione. Harlisja dhe fuqizimi i fantazive krijojnë kushtet për degradim në neurozë ose psikozë.

Fantazitë janë gjithashtu hapat e parë shpirtërorë të simptomave të vuajtjeve të ardhshme, për të cilat ankohen të sëmurët tanë.
Këtu dëgëzohet një rrugë anësore e gjerë që të çon te patologjia.
Por unë nuk mund të lë mënjanë lidhjen e fantazive me ëndrrën. Edhe ëndrrat tona të natës s’janë gjë tjetër veçse fantazi të tilla, siç e kemi bërë evidente nëpërmjet interpretimit të ëndrrave.
Gjuha me urtësinë e saj të pashoqe i ka dhënë përgjigje prej kohës pyetjes mbi natyrën e ëndrrave kur i quajti krijimet e nxituara të fantazuesve ëndrra me sy hapur. Nëse megjithë këtë udhëzim ndihmës më së shumti na mbetet i paqartë kuptimi i ëndrrave, kjo vjen ngaqë dëshira të tilla, nga të cilat kemi turp t’ia fshehim vetvetes, të cilat i shtyjmë duke i shtypur në pavetëdije, pra, këto dëshira te ne gjallërohen gjatë natës. Dëshira të tilla të shtypura dhe derivatet e tyre nuk meritojnë asgjë tjetër veçse një shprehje të shtrembëruar keq. Pasi punimet shkencore arritën shpjegimin e shtrembërimit të ëndrrave, nuk është me e vështirë të dallosh se ëndrrat e natës janë po të tilla përmbushje dëshirash, siç janë ëndrrat me sy hapur dhe fantazitë e njohura mirë nga ne të gjithë.
T’i lëmë fantazitë, le të hidhemi te krijuesi!
A na lejohet të bëjmë me të vërtetë përpjekjen për ta krahasuar krijuesin me ëndërrimtarin ditën me diell dhe krijimet e tij t’i krahasojmë me ëndrrat me sy hapur? –Këtu të gërryen shpirtin, së pari, një dallim.

Ne duhet të veçojmë krijuesit që e marrin lëndën e gatshme nga epikat dhe tragjikat e lashta, nga ata krijues që duket se i shpikin nga mendja lëndën e tyre. Le të qëndrojmë te krijuesit e fundit dhe për krahasimin tonë të mos kërkojmë ata krijues që vlerësohen më shumë nga kritiku për tregimet, romanet, novelat dhe historitë modeste e që prandaj kanë edhe lexuesit më të shumtë e më të zellshëm.

Në krijimet e këtyre tregimtarëve para së gjithash na bie në sy një tipar; ata të gjithë kanë një hero, që është në qendër të interesit, për të cilin krijuesi përpiqet me të gjitha mjetet të fitojë simpatinë tonë dhe duket se e mbron me një synim të veçantë. Nëse unë e lë leximin e në kapitulli të ndonjë romani me heroin kryesor pa ndjenja dhe me gjakun që rrjedh nga plagët e rënda, jam i sigurtë se në fillim të kapitullit tjetër do ta gjej në trajtimin më të kujdesshëm dhe në rrugën e shërimit. Nëse volumi i parë i librit përfundon me mbytjen e anijes ku gjendej heroi ynë nga stuhitë në det, jam i sigurtë se në fillim të volumit të dytë do të lexojmë për shpëtimin e mrekullueshëm të tij, sepse pa të s’do të kishte kuptim romani.

Ndjenja e sigurisë, me të cilën unë shoqëroj heroin në fatin e tij të rrezikshëm, është e njëjta ndjenjë , me të cilën hidhet në ujë një hero i vërtetë për të shpëtuar një njeri që po mbytet ose i del ballë zjarrit armik për të sulmuar baterinë e tij, është një ndjenjë e mirëfilltë heroike, së cilës njëri prej krijuesve tanë më të mirë i ka dhuruar shprehjen e lezeçme: “Nuk mund të ndodhë se ky tipar demaskues i pazëvëndësueshëm dallohet pa mundim-madhëria e tij Uni, heroi i të gjithë ëndrrave me sy hapur dhe i gjithë romaneve.

Edhe karakteristika të tjera tipike të këtyre tregimeve egocentrike rrëfejnë të njëjtën afri. Kur vazhdimisht gjithë gratë e romanit bien në dashuri me heroin e romanit, por kjo zor se mund të merret si përshkrim i realitetit, mund të kuptohet lehtë si rrethanë e nevojshme e ëndrrës me sy hapur. Po ashtu personazhet e tjera të romanit ndahen prerë në të mirë dhe në të këqinj duke braktisur larminë e karaktereve njerëzore që vërehen në realitetin tonë: Të mirët janë ata që ndihmojnë, kurse të këqinjtë janë armiq dhe konkurentë të Unit të bërë hero.

Ne nuk e ngatërrojmë kurrsesi dhe e kuptojmë se shumë krijime letrare qëndrojnë shumë larg modelit të ëndrrës naíve me sy hapur, por unë nuk mund të frenoj dot hamendjen se edhe shmangjet më ekstreme mund të hidhen në këtë model nëpërmjet një radhë rrugëkalimesh pa të çara. Edhe më shumë romane të quajtura psikologjike më ka rënë në sy që vetëm një personazh, përsëri heroi, përshkruhet nga ndjenjat e brendshme. Në shpirtin e tij si të thuash, krijuesi i shikon personazhet e tjera nga jashtë.
Romani psikologjik në përgjithësi ia di për nder veçantinë e vet prirjes së krijuesit modern për të ndarë Unin e tij nëpërmjet vrojtimit të vetvetës, në Un të pjesshëm dhe si pasojë e kësaj rrymat e konflikteve të jetës së tij shpirtërore i personifikon në shumë heronj.

Në një kontrast krejt të veçantë me tipin e ëndrrave me sy hapur duket se janë ato romane, të cilat mund t’i emërtonim ekscentrike, ku personazhi i futur si hero i romanit luan rolin më të vogël veprues, porse një spektaor shikon të kalojnë para tij veprimet dhe vuajtjet e të tjerëve. Romane të tilla ka shumë, si p.sh romanet e fundit të Zolas. Megjithatë duhet të vë në dukje se analiza psikologjike e individëve jokrijues që devijojnë nga e ashtuquajtura normë, na ka bërë të njohur lloje të ëndrrave me sy hapur të ngjajshme me krijimin poetik; që një fantazi të jetë vlefshme, para së gjithash duhet të shfaqet në ndonjë mënyrë frutdhënëse. Le të përpiqemi të zbatojmë tezën e formuluar prej nesh për lidhjen e fantazisë me tre komponentët e kohës dhe me dëshirat e përshkruara me veprat e krijuesit dhe të studiojmë me ndihmën e kësaj teze lidhjet midis tij dhe jetës së krijuesit të tij.

Si rregull, kur i futesh këtij problemi, nuk ka ide pritëse. Shpesh këto njohuri që morëm te fanatzitë, do të prisnin dukurinë e mëposhtme: Një përjetim i fortë aktual zgjon te krijuesi kujtimet e një përjetimi të hershëm që në të shumtën i përket fëminisë, nga i cili del dëshira që plotësohet me anë të krijmit. Te krijimi dallohen si elementët e shkakut të freskët, ashtu edhe elementët e kujtimit të vjetër.


Mos u tmerroni nga kjo formulë e ndërlikuar! Ma ha mendja se në realitet ajo do të shfaqet si një skenë tepër e varfër, por megjithatë në të përmbahet përqasja e parë me gjendjen reale dhe pas disa përpjekjeve që kam ndërmarrë, do të isha i mendimit se një mënyrë e tIllë e kundrimit të krijimeve letrare s’mund të rezultojë shterpë. Ju ndoshta nuk harroni të theksoni sa i habitshëm është kujtimi i fëminisë në jetën e krijuesit, gjë që, në fund të fundit, rrjedh nga premisa se krijimi, ashtu si dhe ëndrra me sy hapur, është vazhdim dhe zëvendësim i lojës së dikurshme fëminore.

Të mos harrojmë t’i rikthehemi asaj klase krijimesh ku nuk shihen vepra të lira, përkundrazi përpunime të lëndëve të gatshme dhe të njohura. Edhe këtu krijuesit i mbetet njëfarë pavarësie, e cila shprehet në përzgjedhjen e lëndës dhe shpesh në modifikimin e gjerë të saj. Në rast se lënda ekziston, ajo buron nga thesaret folklorike, psikologjike, që kurrsesi nuk kanë shterruar, por, p.sh, mitet, ka plotësisht të ngjarë që atoi t’u përgjigjen mbeturinave të shtrembëruara të fantazive të dëshirave të kombeve të tëra, pra, ëndrrave shekullore të njerëzimit të sapoformuar.


Ju do të thoni se ju kam shpjeguar shumë më tepër për fantazitë sesa për krijuesin, , të cilin e kam vënë edhe në titullin e ligjëratës sime. E di dhe përpiqem të shfajësohem duke ju treguar shkallën e njohurive tona. Unë isha në gjendje vetëm t’ju jepja nxitje dhe t’ju bëja thirrje, të cilat nga sundimi i fantazive kalojnë në problemin e zgjedhjes së materialit letrar. Problemin tjetër se me ç’mjete i realizon krijuesi, nëpërmjet veprave të tij, efektet e ngacmimit te ne, s’e prekëm aspak. Të paktën unë dëshiroj t’ju tregoj ende se cila rrugë të çon nga diskutimet tona për fantazitë deri te problemet e efekteve poetike. Juve ju kujtohet kur thamë se ëndërrimtari me sy hapur i fsheh me kujdes fantazitë e tij nga të tjerët, sepse ai ka arsyet e tij.


Unë do të shtoja se edhe nëse do të na i shpallte fantazitë e tij nga të tjerët, sepse ai ka arsyet e tij. Unë do do të shtoja se edhe nëse do të na i shpallte fantazitë, nuk do të na shkaktonte ndonjë kënaqësi nëpërmjet zbulimeve të tilla. Pasi t’i kemi mësuar ato, do të na vijë neveri ose e shumta do të mbetemi të ftohtë ndaj tyre. Por nëse krijuesi nga e ekzekuton lojën e tij ose na lexon ato që ne priremi t’i shpjegojmë si ëndrrat e tij personale me sy hapur, ndiejmë një kënaqësi të madhe që ndoshta del nga shumë burime. Se si e arrin krijuesi këtë, është sekreti i tij më i veçantë. Në teknikën e kapërcimit të asaj neverie, e cila sigurisht ka të bëjë me kufizimet që zënë fill midis çdo Uni të veçuar dhe të tjerëve, ndodhet Artpoetica e vërtetë. Ne mund të gjejmë dy lloj mjetesh të kësaj teknike. Krijuesi e zbut karakterin e ëndrrës egoiste me sy hapur nëpërmjet modifikimeve dhe eufemizmave dhe na bën për vete nëpërmjet përfitimit të pastër formal d.m.th. estetik.

Shkëputur nga libri i Sigmund Frojd: “Mbi letërsinë dhe artet”/KultPlus.com

‘Nëse dikush ka qenë i përkëdheluri i padiskutueshëm i nënës së tij, ai ushqen besimin në sukses, i cili jo rrallë sjell me vete suksesin’

Ajo që ka mbetur pas nga Frojdi, i cili ishte baba i filizofisë janë studimet e tij në këtë fushë shkencore, veprat si dhe thëniet e famshme.

Frojdi doli i pari me idenë se mendja është e ndarë në tri pjesë: Id, Ego dhe Superego.

Sipas Frojdit, Uni ose Ego është vija e parë e mbrojtjes së vetes nga tjetri, duke u përpjekur të balancojë dy ekstremet, Id dhe Superego.

Idetë e tij radikale mbi mendjen e njeriut transformuan psikologjinë dhe mbeten kontradiktore edhe në ditët e sotme.

KultPlus ju sjell thënie nga Sigmund Frojdi:

Qytetërimi zuri fill kur një person i zemëruar hodhi fjalën në vend të gurit.

Sa i guximshëm bëhet njeriu, kur është i sigurtë se e duan.

Një qytetërim që lë një numër kaq të madh të pjesëtarëve të tij të pakënaqur dhe i çon ata në revoltë nuk e ka merituar dhe nuk e meriton të ekzistojë.

Njeriu nuk ia arrin t’i eleminojë komplekset e tij, por pajtohet me to: ato ligjërisht e drejtojnë veprimtarinë dhe sjelljen e tij në botë.

Të jesh tërësisht i ndershëm me veten është një ushtrim i mirë.

Fëmijët janë krejtësisht egoistë; ata i ndiejnë nevojat e tyre intensivisht dhe përpiqen mizorisht që t’i kënaqin.

Ëndrrat janë shpesh më të thella kur ato duken më të çmendura.

Nëse dikush ka qenë i përkëdheluri i padiskutueshëm i nënës së tij ai ushqen gjatë jetës një ndjenjë triumfuese, besimin në sukses, i cili jo rrallë sjell me vete suksesin.

 Iluzionet na mbisundojnë ne, sepse ato na kursejnë në dhimbje dhe na lejojnë të shijojmë kënaqësinë në vend të saj. Prandaj ato duhet t’i pranojmë pa ankime kur ato nganjëherë përplasen me realitetin përballë të cilit shndërrohen në thërrime.

Njerëzit janë më moralë se sa mendojnë dhe shumë më tepër imoralë se sa përfytyrojnë.

Sa kemi përparuar. Në Mesjetë do të më kishin djegur në turrën e druve. Tani ata mjaftohen të djegin librat e mi.

Kur njerëzit më kritikojnë, unë e di se si të mbroj veten. Por unë jam i pafuqishëm përballë lëvdatave.

Një pjesë e madhe e asaj që është e vërtetë brenda nesh nuk kuptohet; dhe ajo që kuptohet, nuk është e vërtetë. / KultPlus.com

Disa fakte që nuk i keni ditur për jetën e Sigmund Frojdit

Pionier i terapisë së kafshëve, i tmerruar nga numri 62, i kënaqur me veset e tyre, ja cilat janë aspektet e habitshme të jetës së Sigmund Frojdit, “babait” të psikoanalizës dhe interpretimit të ëndrrave.

Kush ishte Sigmund Frojdi

Lindi më 6 maj 1856 në Frajberg (Pribor), në Republikën e sotme Çeke. Doktor dhe themelues i psikoanalizës, ai e identifikoi tek e pandërgjegjshmja vendin e instikteve dhe të dëshirave, dhe tek konfliktet e pazgjidhura, shkakun e histerive dhe neurozave. Duke përmbysur një traditë mijëvjeçare, që e shihte psikikën si diçka të padepërtueshme ndaj arsyes, ai e bëri atë pikënisjen prej nga ku do të analizonte pacientin. Edhe sot Frojdi është objekt i studimeve, por sa ishte gjallë puna e tij nuk u vlerësua sa duhet, dhe teoritë e tij shiheshin me dyshim.

Pioner i terapisë së kafshëve

Frojdi mbante gjithmonë në studion e tij, Jofin, qenin e tij të racës Choë Choë. Frojdi e konsideronte jetike praninë e tij gjatë seancave të psikoanalizës, pasi ishte qetësuese për pacientët. Jofi u mësua të ndjekë seancat e të zotit, sa që me nisi të llogarisë kohën e çdo takimi. Kur qeni ngrihej në këmbë, Frojdi e dinte se seanca kishte mbaruar.

Frikërat e njeriut që zbulonte fobitë

Thuhet se Frojdi ishte i fiksuar pas numrit 62. Ai besonte se pikërisht në atë moshë, 62 vjeç, ai do të vdiste (në fakt jetoi deri në moshën 83-vjeçare). Për këtë arsye, ai nuk fjeti kurrë në një dhomë hoteli që kishte atë numër.

Një rutinë gjeniale

Zakonet e Frojdit, ishin shumë strikte. Paraditen ua kushtonte pacientëve, hante çdo ditë drekën në orën 13:00. Donte mish viçi, dhe urrente mishin e pulës. Pas drekës, dilte për një shëtitje prej 3 kilometrash, duke ndjekur gjithmonë të njëjtat rrugë. Pasdite merrej sërish me vizitat, dhe pas darke luante letra me gruan ose vajzën e tij.

Divani ishte një dhuratë

Divan i famshëm, ku ai psikoanalizonte pacientët, ishte dhuratë nga një paciente, zonja Benevenists. Ideja që pacientët të qëndronin të shtrirë në divan, i erdhi në kohën kur ai praktikoi hipnozën, dhe zbuloi se njerëzit binin më shpejt në një gjendje transi, nëse ishin shtrirë.

Konsumator frenetik i duhanit

Frojdi i adhuronte purot. Ai tymoste 20 në ditë. Për shkak të purove dhe cigareve që pinte kur ishte i ri, Frojdi u prek nga një tumor i rëndë në fyts, që çoi edhe në vdekjen e tij në vitin 1939. Kur dhimbjet e kancerit u bënë të padurueshme, ai kërkoi që t’i ndihmohej të vdiste. Mjeku i injektoi një dozë të madhe me morfinë.

Pak rroba

Në garderobën e tij, ai kishte vetëm 3 kostume, 3 palë të brendshme dhe 3 palë këpucë. Ndoshta sepse kursente para? Jo, thjesht i dukej e padobishme të blinte rroba të tjera.

Migrena dhe kokaina

Frojdi vuante shpesh nga dhimbje tmerrshme të kokës. Nga leximi i kujtimeve të tij, u arrit në përfundimin se ai vuante nga migrena, të cilën psikoanalisti u përpoq të shëronte duke përdorur kokainë. E kishte zbuluar këtë drogë që në moshën 28 ​​vjeçare. Nisi ta përdorte si një ilaç kundër ankthit, por u bë i varur prej tij, të paktën deri në moshën 40 vjeçare.

Arratia

Kur Gjermania aneksoi Austrinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët pasi dogjën në shesh librat e tij, i hynë në banesë, duke arrestuar vajzën e Frojdit Anën. ‘Babai” i psikoanalizës ishte hebre, por mbi të gjitha simpatizantët e Fyhrerit nuk e pëlqyen hetimin e tij mbi të pavetëdijshmen, dhe instinktet e qenies njerëzore.

Falë ndërhyrjes së njërës prej pacienteve të tij, Princeshës Mari Bonapart, Frojdi me gruan dhe vajzën ia dolën të emigrojnë në Paris dhe më pas në Londër. Por 4 motrat e tij, Roza, Maria, Adolfina dhe Paulina, u zhdukën në një kamp përqendrimi. Frojdi arriti të korruptonte disa nazistë, që mbrojtën arkivin dhe një pjesë të trashëgimisë së tij.

Poliglot autodidakt

Përveç gjermanishtes, Frojdi zotëronte mirë edhe gjuhën angleze. Kur ishte adoleshent, ai mësoi spanjishten me një shok të klasës, për të lexuar në original “Don Kishotin”. Frojdi ishte një admirues i madh i Servantesit.

Dedikim ndaj Duçes

Shkrimtari Xhakinto Romano, që kishte shkruar një dramë me Napoleonin dhe Musolinin si personazhe, i dhuroi Frojdit një kopje me një dedikim të tillë:”Për Sigmund Frojdin, që do ta bëjë botën më të mirë, me admirim dhe mirënjohje Benito Mussolini dhe G. Forzano”.

Nuk dihet nëse Musolini kishte dijeni, por disa besonin se Frojdi ishte dashamirës ndaj udhëheqësit italian.

Frojdi reagoi me një shkrim ku i drejtohej Duçes me pyetjen “Ëarum Krieg”? (Pse luftë?), të bashkëshkruar me Albert Ajnshtajn. Dhe një dedikim:”Për Benito Mussolini, me përshëndetjet e një plaku që tek mbajtësi i pushtetit, njeh heroin e civilizimit”. Historianët e shpjegojnë këtë respekt me faktin se Frojdi besonte se Duçe mund të parandalonte Anshlusin, domethënë aneksimin e Austrisë në Rajhun Gjerman.

Frojdi “shkoi” në Hënë

Në satelitin natyror të Tokës, ekziston një krater i vogël që mban emrin e psikoanalistit gjerman. Ajo ndodhet disa kilometra në perëndim të Vallis Schröteri, një luginë e gjerë dhe e thepisur hënore, që ka një diametër prej vetëm 2 kilometrash.

Pati 12 nominime për Çmimin Nobel

Por në fakt nuk fitoi asnjërin. Dhe nominimet u ndërprenë kur një ekspert, i emëruar nga komiteti i Nobelit, pohoi se puna e Frojdit nuk kishte baza shkencore.

Grumbulloi gati 2000 objekte arkeologjike

Sot kjo do të qe diçka e paligjshme, por në kohën e Frojdit cilësohej e pranueshme. Shumë prej relikeve vinin nga nga gërmimet në mbarë botën. Ato ndodhen edhe sot në shtëpinë e vjetër të familjes, që sot është një muze i hapur për publikun.

Çfarë na mbetet nga Frojdi?

Shumë aspekte të analizës së tij, janë hedhur poshtë nga psikologjia moderne. Por, tek Frojdi vlerësojmë intuitën gjeniale, si fakti që ndjenjat, idetë, impulset, dëshirat, ngjarjet dhe veprimet kanë kuptime të rëndësishme dhe shpesh të pavetëdijshme (pa ndjenja); se eksitimi seksual nuk kufizohet vetëm në organet gjenitale; se e shkuara ka gjithmonë një ndikim në të tashmen, dhe se të folurit ndihmon në lehtësimin e ankthit, dhe çliron mendjen e një personi. / KultPlus.com