“Krijime popullore shestanase”, sjellë Simë Gjon Dobrecin në Prishtinë

Simë Gjon Dobreci sot ka promovuar librin e tij “Krijime popullore shestanase” në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Puna e kësaj vepre është një përmbledhje e cila flet për trevën e Shestanit, Tivarit, Krajës, Ulqinit etj. Këto vepra janë publikuar fillimisht në revistën e tij “Buzuku” në Ulqin. Duke qenë se kjo vepër është krijuar për të nderuar gjuhën shqipe ajo fillon me vjershën e Gjergj Fishtës “Gjuha shqipe”, shkruan KultPlus.

Kapitulli i parë përmban këngë dashurie, këngë lirike-dasme, këngë të barinjve, këngë kurbeti, vajtime, këngë humoristike këngë balada elegji dhe këngë kreshnike. Kapitulli i dytë përmban: urtësi – thënie. Pastaj vazhdon me artikullin “Kranjanët me shestanasit shqiptarë autokton në Mal të Zi dhe kapitulli i fundit përfundon me “Shestanasit ma në za”, duke sjellë disa nga figurat më të shquara të kësaj zone.

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi këtë vepër e cilësoi si tejet të rëndësishme për një trevë, e cila në aspektin kulturor është një dëshmi dhe një margaritar për një krahinë të harruar.
“Jemi të nderuar ta paraqesim një vepër të rëndësishme nga një trevë e cila dita e ditës na rrëshqet nga duart. Kultura jonë është aq e begatë saqë tashmë është dëshmuar që mungojnë kapacitete intelektuale për ta ruajtur dhe botuar atë. Kjo vepër sjellë kujdesim dhe seriozitetin për mbijetesën e fakteve shqiptare. Sot në kohën e globalizimit, kultura autoktone e popullit tonë ndodhet në trysni të madhe si rezultat i ndikimeve të huaja si dhe shpërfilljes që po ju bëhet traditës tonë, veçmas asaj shpirtërore nga vet institucionet tona. Ky është një monument i rrallë qe do ti shërbej të ardhmes. Kjo vepër është një monument i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit tonë dhe do të shtegtoj në mbarë hapësirën shqiptare duke i shërbyer të tashmes dhe brezave tonë në të ardhmen”, ka thënë Matoshi.
Kurse në përurim, recensuesi i librit, Hajrrullah Koliqi tregoi se kjo vepër është tejet e vlefshme duke theksuar disa momente të cilat tregojnë realitetin e kësaj zonë të braktisur dhe të tjetërsuar, për të cilën flet libri.

“Shtrati i këtij libri është Shestani, për të cilin është fol dhe shkruar shumë për vlerat kulturore, patriotike dhe njerëzore. Sot Shestani, toka flet ndryshe. Sidomos viteve të fundit u shndërrua vetëm në një toponim gjeografik. Pjesa dërmuese e popullsisë është tjetërsuar etnikisht. Ka raste tragjike kur shqiptarët nuk duan të flasin shqip, mirëpo sot shkolla s’ka nevojë të jetë as shqip, as anglisht, as në gjuhën malazeze, sepse nuk ka më nxënës. Vetëm 5 shestanas në këtë zonë janë deklaruar që janë shqiptarë, janë 5 emra, pra jo 5 %”, tregoi Koliqi.
Kurse vet autori i këtij libri, Simë Gjon Dobreci thotë se ka përfshirë krijimtarinë popullore dhe gjatë mbledhjes së këtyre krijimeve e ka entuziazmuar qysh nga botimet e para në revistën “Buzuku”.
“Kam pasur shumë dëshirë që këto krijime t’i bashkoj në një vepër të vetme, dhe këtë punë e bëra me vullnet e dashuri sepse kjo është një pasuri e çmueshme që na e kanë lënë të parët”, përfundoi ai. Simë Gjon Dobrecin është një personalitet i shquar, duke përfshirë edhe dekoratat presidenciale që i janë dhënë kësaj figure. /KultPlus.com