Orkestra Simfonike e RTSH-së, koncert me kolonat zanore të filmave shqiptarë

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar zhvilloi mbrëmjen e sotme një koncert, në parkun “Rinia” në Tiranë, me muzikë nga kolonat zanore të filmave më të njohur shqiptarë.

Nën drejtimin e maestros Gridi Kraja, Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar përcolli për publikun artdashës nostalgjinë e filmave shqiptarë.

Në repertorin e koncertit ishin kolonat zanore të filmave të kompozitorëve shqiptarë si Kujtim Laro, Limos Dizdari, Çesk Zadeja, Aleksandër Peçi, Aleksandër Lalo.

Emocionet e kinemasë u përcollën përmes Orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar me fuqinë e muzikës simfonike, që u prit me emocion nga publiku artdashës.

Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962. Ajo mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Në radhët e saj marrin pjesë instrumentistë virtuozë.

Këtë sezon veror, një tjetër angazhim i rëndësishëm për këtë orkestër do të jetë koncerti i datës 2 gusht, në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të edicionit të pestë të “Ramë Lahaj & Friends Concert”, ku do të jenë të ftuar interpretues të mirënjohur të muzikës klasike nga vendi dhe bota./atsh/ KultPlus.com

Orkestra e RTSH në 4 korrik, program me vepra të kompozitorëve shqiptar dhe të huaj

Në vijim të stinës koncertore, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të vijë me një koncert të veçantë në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Ky event do të sjellë në skenë kryeveprat e kompozitorëve të mëdhenj, duke nisur me Suitën nga baleti “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Nikolla Zoraqi, frymëzuar nga romani i Ismail Kadaresë.

Më pas, publiku do të shijojë magjinë muzikore të Georges Bizet me Suitën Opus.22 për orkestër dhe Adagio për kuartet orkestror nga Guillaume Lekeu, një pjesë e pasur me emocione dhe nuanca të holla.

Vincent d’Indy është një kompozitor shumë i rëndësishëm, sikurse Lekeu apo Bizet, që vijnë me një vepër të një natyre tjetër. Gjithë kësaj atmosfere i vëmë edhe një vepër tonën, pikërisht sepse sivjet është viti i parë i ndarjes së Kadaresë nga kjo jetë,” tregon dirigjenti Zhani Ciko.

Kulmi i koncertit do të jetë interpretimi i Simfonisë për orkestër dhe piano Opus.25 nga kompozitori Vincent d’Indy, ku do të interpretojë pianisti i njohur francez Pascal Gallet.

4 korriku është një ditë shumë e veçantë, sepse për herë të parë do të luhet në Shqipëri simfonia për orkestër dhe piano nga kompozitori francez Vincent Dindy. Personalisht jam shumë i kënaqur që po e luaj këtë muzikë me maestro Zhani Cikon dhe orkestrën tuaj të mrekullueshme. Ata janë të jashtëzakonshëm. E vlerësoj shumë mundësinë që do të performoj me ta në skenë,” thotë pianisti Gallet.

Nën drejtimin e dirigjentit Zhani Ciko, ky koncert premton emocione për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike. Koncerti do të vijë për publikun në datën 4 korrik.

Gazetare: Katerina Kule /rtsh.al/ KultPlus.com

Orkestra Simfonike e RTSH-së me koncert për piano dhe orkestër

Premiera botërore “Simfonia-Albanoi”, do të jepet sonte në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së, e cila në Ditën e Evropës, hap dyert për adhurues të artit muzikor.

Koncerti i bukur për piano dhe orkestër të D.Shostakovich, kumton një emocion ndryshe së bashku me repertorin e rrallë të vlerave kulminante të artit muzikor.

Nën dirigjimin e mjeshtrit Eno Koço, Orkestra e RTSH sjell: Dimitri Shostakovich – Koncerti Nr. 2 për piano dhe orkestër, Vasil Tole – “Simfonia – Albanoi”, soliste: Artemida Qarri (piano).

Një mbrëmje muzikore me artistë të rëndësishëm, në një koncert që ndërthur dramatikën, brilancën dhe identitetin tonë kulturor.

Koncerti mbahet, nga ora 19:00, tek Universiteti i Arteve në Tiranë.

Kuarteti i Orkestrës Simfonike të FA, interpretim të shkëlqyer në Poloni

Kuarteti i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura interpretoi në koncertin e mbajtur në Krakov të Polonisë, me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e vlerësoi sot si të shkëlqyer interpretimin e Kuartetit, teksa theksoi se, “profesionalizmi i katër artistëve të OSFA dhe virtuoziteti i sopranos kroate Gabriela Hrzenjak u vlerësuan maksimalisht”.

“Muzika e mrekullueshme shqiptare solli emocione të mëdha, si një kujtim i veçantë për të gjithë të ftuarit”, nënvizoi ministri Peleshi./atsh/ KultPlus.com

Orkestra Simfonike e RTSH-së, 3 vepra emocionuese për publikun

Orkestra Simfonike e RTSH-së entuziazmoi publikun e pranishëm në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse ndërsa performoi tre vepra të repertorit klasik, njëra prej të cilave premierë.

Koncerti nën drejtimin e dirigjentit Aurélien Azan Zielinski dhe interpretimin e solistes së mirënjohur, pianistes Anna Kravtchenko u shijua nga dashamirët e artit dhe mjaft të ftuar të njohur, protagonistë të jetës artistike në vend.

Koncerti u hap me premierën “Retrospektivë – Homazh për Ligetin”, e kompozitorit të ri Kris Sopiqoti i cili në fjalën e tij para të pranishmëve e cilësoi homazh për kompozitorin Ligeti në 100-vjetorin e lindjes.

Kompozitori Kris Sopiqoti ka qenë pjesë e Synergy Projekt, mbështetur nga programi Creative Europe i Bashkimit Europian me veprat e tij.

Vepra e dytë “Koncert për piano nr. 2, op. 21” nga Frédéric Chopin u realizua me performancën e pianistes Anna Kravtchenko e cila dhuroi plot emocione me interpretimin e saj, shoqëruar nga orkestra në sintoni të plotë.

Vepra e tretë “Simfonia nr. 1 – Pranvera” e kompozitorit Robert Schumann, po ashtu nhohu interpretim emocionues nga artistët e Orkestrës Simfonike të RTSH-së.

Ky ishte koncerti i dytë i sezonit që u hap më 15 shtator me tre vepra të tjera./atsh/KultPlus.com