Ablatio Retinae

Shkruan: Sinan Gashi 

Tregim

Pasi e shikoi me dy sy të vegjël zhbirues, sikur donte të kuptonte për gjithçka që mban fshehtësi shpirti i njeriut, i tha të ulët në një karrige të vjetërsuar nga përdorimi i shpeshtë, dhe ta vinte kokën mbi një bazë të metaltë, duke përqendruar shikimin te një sy i zi artificial. Me duart e hajthme dhe tërë deje afroi kokën e pacientit sa më të pushueshme  dhe u afrua aq afër sa ndihej era e rëndë e nikotinës shumëvjeçare së bashku me aromën e njeriut te plakur por pedant.  

-Shiko këndej-, tha nervoz, këndej thashë! Lart, anash, poshtë, drejtë… Sërish u largua dhe ndezi një dritë të vockël pranë aparatit. Shikimin sërish e nguliti te fytyra e njeriut të mbushur dhe pak të hutuar, sikur nuk ishte së bashku në një kabinë dhe sikur nuk kishte interes për t’u mjekuar. Doktori bëri edhe një lëvizje prapa. Karrigia me rrotëza e largoi më shumë seç mendoi dhe, kur shikimi i hasi në një pako cigareje, e ndezi rrëmbimthi dhe e thithi thellë. 

-Po, ç’është me ty, or burrë? Përvoja ime e ka përcaktuar shpejt diagnozën dhe fare pak duhej hamendur për përcaktim shërimi. E ti, ti… s’di! Plus ke ardhur edhe nga larg, ke kaluar me vështirësi kufirin për t’u shëruar, thua se s’ka mjek atje… 

Pasi bëri dhe dy-tri lëvizje dore në ajër së bashku me cigaren, duke formuar rrathë formash të ndryshme në hapësirën e dhomës, sikur rrethonte mendimet e tij, sqaroi me një shprehje të dyshimtë. 

– Kjo s’është sëmundje, kupton. Syri me dioptri është rezultat i punës së ngarkuar tej mase në profesion, por kjo tashti s’ka të bëj me të. Këputja e retinës bëhet me dhunë… Është mirë ta rrëfeni vetë që të më lehtësohet sado pak, se… 

(…e kishte dorën të rëndë i paudhi. Kishte të rame armiku, që synim ka sakatosjen shkatërrimin… Ai kishte qëndruar me kokë poshtë kur të tjerët silleshin si lukuni hienash rreth e rreth, me të rame e të shame.  Kishte vjedhur me bisht syri pikat nevralgjike ekzistenciale të njeriut, të jetës. Maja e këpucës kishte qëlluar fikse në testiset dhe dritat e syve. Trashëgimi dhe shikimi. Ardhmëria dhe  vazhdimësia. Kishte përjetuar pastaj një temperaturë jo të zakontë në tërë trupin. Kishte dëgjuar  cingërimën e trishtueshme e xhamit të syzeve nëpër dysheme, e më pas disa minutash kishte parë çantën e gërvishtur gjysmë të hapur dhe fletët e shpërndara në një qoshe të korridorit të gjatë…) 

Heshtja e tij nuk e nervozoi doktor Sulon. Ishte mësuar me lloj-lloj tipa pacientësh, disa që kërkonin kohë pushimi, disa të tjerë që fshihnin imtësitë sikur u vite turp, disa që nuk flisnin fare e disa, madje, që fillonin vetërrëfimin hiq pa i pyetur ai. Por, kësaj radhe, kishte qëndrim krejt tjetër. Kujdesin e shtonte nga largësia e pacienti dhe madje që vinte nga një vend i okupuar dhe, pse jo, që ishte edhe punëtor arsimi… Një parandjenjë të keqe e kishte për rastet e dhunës atje. Hiq pa lexuar gazetat, pacientët e shumtë kohëve të fundit rrëfenin për gjithçka të rëndë dhe makabre për atje.  

-Mund edhe të mos tregosh asgjë-, tha ngadalë sikur foli me vete. Ndoshta fatkeqësi komunikacioni ishte, ndoshta rrëzim nga diku ishte, ndoshta dhunë ishte. Si të duash…, – përsëriti edhe njëherë. Operacioni  duhet bërë, e sa për suksesin…- dhe në vend të përfundimit të mendimit, rrudhi krahët. Ishte operacion i rëndë, delikat, dihej. 

(…gjaku i pleksur ia kishte mbyllur kapakun e syrit, por dhimbje nuk ndjeu, në mos kishte harruar gjithçka nga fjalët fyese dhe të rënat me mjetet të tjera. 

Ju kërkoni republikë, gërthiti në gjuhën e huaj një syskuqur. Dhe kërkoni ndihmë nga Amerika, piskati një tjetër që i bëhej se kishte synim edhe t’ia shurdhonte veshët përjetësisht.  Në do t’ju vrasim të gjithëve deri sa të vjen dikush në ndihmë, or të mjekër. Në kemi gjithçka në dorë, prej kërbaçit e deri te raketa, e ju s’keni asgjë. Bythëjashtë jeni, he nënën e keqe ta… Pastaj vini të përziera shtërzimet, fyerjet e rrahjet, maltretimet e ngërdheshjet sadiste. 

Si qenka njeriu!, iu përvodh për një çast një fije mendimi. Po u krijuaka një krenari edhe kur je i vetmuar, edhe kur je i pa forcë fizike… Vetimthi i rrëshqiti, mendimi të një fytyrë heroi që kishte lexuar a parë në film. Por vetë nuk kishte asgjë të heroit. Njeri i thjeshtë, madje tepër delikat, që tërë jetën s’e kishte provuar asnjë shuplakë, as nga prindi as nga shokët e fëmijërisë… Si qenka jeta! Edhe në këso rrethanash futka hundët ndonjë mendim që nuk e ka vendin këso radhe. Këtu ku qenka çerdhja e sharjeve, e grushtimeve, e ndrydhjeve, e… 

Humbës janë këta, i buroi dika një mendim në çastet e pakta kotësie. Kur unë, urtaku u dyzet vjetëve u prishkam punë, vërtetë e paskan fundin e përgjithmonshëm…) 

-Doktor Shkëlqimi dhe Elona, përcilleni në kabinën numër dhjetë. Sqarojeni se si duhet të mbaj qëndrimin dhe disiplinimin, tha dhe doli nga një derë interne që, më vonë e mësova, kalonte në sallën e operacionit.  

Doktor Shkëlqimi, me do syze të rrumbullakëta e shikoi me një fije dhimbe kosovarin e shqetësuar, kurse dr. Elona me bishtalecin e Vitës së letërsisë, gjeti diku një fije gazi e mirëkuptimi që e shprehu me shkëlqimin e syve të zezë. 

Këtu, thanë njëzëri, kur të keni nevojë, jemi në dhomën e tretë, këtu afër. Njëri nga ne edhe kujdestaron patjetër… 

Dhoma mbeti e zbrazët. U lëshua këputshëm mbi krevatin e vjetër dhe ofshani thellë… Sikur ta pija duhanin, mendoi, do lehtësohesha ndoshta. Athua duhani lindi si shoqërues i vetmisë apo ishte lojë mashtru4ase… 

(… a thua se ashtu do ndodh. Nuk do shoh më përreth askënd? Jo more, s’bëhet ashtu. E keqja s’vjen aq shpejt, qetësoi veten… Po librat duhet lënë rehat, ama. S’duhet lexuar më fjalët e bukura, artistike, që ishin ushqim, ishin kënaqësi, ishin pushim, ishin lehtësi jete në këso rrethanash… Jo, more, jo! – sërish arsyetoi veten. Mjaft ke parë në jetë. Tashti të duhen disa gjëra të mëdha, shikimi i të cilave është domosdoshmëri sa për të mos qenë ngarkesë për të tjetër, për djalin, vajzën, gruan, rrethin më të gjerë. Po, puna po mbetej përgjysmë, se!… 

Posa kishte vënë emër prej njohësi profesional, posa kishte projektuar ide të reja profesionale propagandistike, ngase kishte mësuar diçka nga ajo formë e punës në terren. Kishte krijuar një rreth të njohurish nga fshati në fshat, dhe madje ndjente kënaqësi kur shoqëronte shqetësimet e tyre të shumta… Epo, jeta…, fshehtësitë që paska!!! U shtri tashti në kurriz dhe mbylli sytë përdhunshëm. Në fakt mbylli vetëm njërin sy, nga ata që ndjente lodhje dhe skuqje. Ashtu mendoi të merrte një sy gjumë, por hajde shkoqi mendimet, se.  Ato përvidhen dhe në mënyrën më të padukshme për të hyrë ku kanë synimin dhe po ashtu pa u hetuar fare, ikin pastaj dhe strehohen kudikush … Po, sikur edhe ky syri tjetër të dobësohet?… Me sy s’paska, ë! Por nuk kanë thënë  kot se sytë janë jeta vetë, madje edhe pasqyrim i brendësisë së shpirtit njerëzor. Shikimi është simbolika e ardhmërisë. Mu për këtë syve u janë kënduar shumë këngë, u janë thurur shumë vargje. Sytë janë bota e brendshme e njeriut. Ata shprehin edhe gëzimin, edhe hidhërimin, shqetësimin, lodhjen, urrejtjen, lakminë, injorimin, përbuzjen e çka jo tjetër të njeriut… 

Po, fundja, ky ishte një borxh i vogël, apo një sakrificë simbolike që duhej bërë për rrugën e re që është trasuar… 

Sërish mendime të shkëputa gjithfarë llojesh, të turbullta e herë të ngatërruara më pas, deri sa gradualisht u shkrinë në një gjumë lodhës nga rruga tërë natën.) 

-Zotëri!- u dyshua zëri i butë i infermiere Evës. Më falni, por doktor Gjergji lajmëroi se salla është gati. Operacioni bëhet në ora dhjetë. Më falni, tha edhe njëherë dhe butësisht tërhoqi derën pas. Ora e qytetin tregoi nëntën.  

Duhet provuar edhe njëherë shpresën e fundit. / KultPlus.com

Floknajë

Nga: Sinan Gashi

Tragjiken e bënte e vërteta se dashuronte njëkohësisht në dy drejtime: në njërën anë një zonjë që kishte përmasat e një bukuria mahnitëse, gjatoshe me vijëzime simetrike, të cilave po t’ia shtosh edhe lëvizjet me takt e timbrin melodik të fjalës, të mahniste. Madje kjo të bënte të tillë edhe për një respekt, duke e ditur një historik të rrugës së mundimshme jetësore të saj, dhe të një atdhetarie të theksuar, që nga gjysh – stërgjyshi; tjera ishte më e re, me një trup më të imtë, por me një karakter tejet të fortë, deri në kokëfortësi, dhe që kishte synime të hetueshme për t’u dukur e madhe, më mirë për të thënë madhështore po si e para, në mënyrë që e njihte  në përmasa më të gjëra rajonale, ashtu si e para. Ç’është më e rëndësishmja, këtë e kishin rrëmbyer që të dyja, se kishin emra thelbësor të njëjtë dhe mjaft karakteristika të ngjasimeve mosdalluese, me përjashtim të timbrit, që kjo e reja e kishte ende të shpërfillur dramatikisht. Thëniet i shprehnin njësoj dhe madje, thua ti se kanë bërë marrëveshje para se të takoheshin, pavarësisht se ato reflektonin ngjashmërinë vetëm nga gjeni trashëgimor. Ai sillej brenda një rrethi të domosdoshmërisë ndjenjore të pakapërcyeshme, jashtë të cilit nuk shihte asgjë dhe nuk mund të vërente as farë vlerash jetësore të jetësimit. Lente takime me të dytën me orë të caktuar dhe, fshehurazi nga syri i botës, se ju ruhej shumë përgojimeve, të cilat në raste të kthesave të mëdha lulëzojnë së tepërmi dhe nuk të vete, mendoja se do të dilte ndonjëherë nga ajo, apo do të pushojë qetësisht trurin e stërngarkuar, i cili atë forcë që ia fali zoti dhuratë të arsyes, do ti duhej për ndriçimin  e rrugës së re të synuar. Me të dytën nuk kishte nevoja të tilla, se ajo dilte sheshit, madje shoqërohej më shumë, sa nuk dihej shpesh kufiri mes asaj që ishte ndjenjore dhe asaj që ishte teatralitet shpëtues nga zallahia që e kaplonte shpesh. Përvoja jetësore dhe përcjelljet e shumta, së fundi edhe me shikime zhbiriluese, e kishin regjur në ato veprime, sa në disa raste të vete mendja se të gjitha ato ndjenja trashëgimore janë shpërlarë, e di vetëm të thotë, madje qetë e me një ngadalësi që krijon valëzim shprehës me melodizitet tërheqës, mbase vetëm për joshësi. Kjo, e reja, dhe më e vogla nga trupi, mërdhezej nga tensionimi emocional dhe dëshira rrëfyese, sa shpesh edhe fjalët e mendimet i ngatërroheshin që në grykë, duke mbetur të përgjysmuara, që krijonin hije mbi vërtetësitë e madha, që i kishte ndrydhur me vite brenda gjoksit të freskët. Ndoshta këtë përshtypje ta jepte edhe sinqeriteti deri në naivitet, i cili nuk i mbulohej edhe sikur të donte. Dua kështu, edhe sikur nuk jam më, aq më bën, që shprehur një herë kur i dha vërejtje për këto veprime, që nuk e kishin kohën të bëheshin publike në një kohë të pakohë, kur përcjellja është shumë e madhe dhe spiunimi e ka pagesën e majme.

Në paratakimet ai ndjente një kënaqësi, madje ajo i zgjaste edhe gjatë prezencës me to qoftë vetëm me përkufizime të fantazisë së tepruar apo edhe ajo që krijohej si atmosferë pas ndarjes. Gjithçka ishte ne një natyrë të njëjtë, me synime po të njëjta, vetëm se kjo nuk ishte gjithmonë kështu. Madje veç që ishin përhapur fjalë se Zonja e Madhe kishte flirtuar dhe atë po e bënte vazhdimisht, kur njëherë ky e kishte parë edhe vetë. Me të parin, thoshte se është jugosllav, miqësinë si duket e kishte vetëm të interesit, por mjeshtria e atij tjetrit ishte shndërruar edhe në diçka më shumë se kaq. Bënin vizita, madje në pikë të dritës, këshilloheshin për gjithçka, e u pat krijuar imazhi se janë dashnorë të përjetshëm, ngase ishin edhe fqinjë. Ai pispillani i huaj që kishte gjenetikisht një butësi të jashtme, shumë vështirë hetohej qëllimi shkatërrues, se ia zinte sytë një bukuri përrallore, që fjala nuk ishte e zonja të shprehje përkufizimin estetik të gjithçkahes së saj. Ai shfrynte. E shihte, por assesi nuk mund t’i ndahej. Krejt çka mund të bënte, ishte shtimi i urrejtjes ndaj atij qen bir qeni, që hapte kthetrat padiktueshëm për asgjësim. Kjo i krijonte një gjendje tejet të rëndë shpirtërore, sa kishte net që e zbardhte qyqe vetëm, me taketuken përplot bishta cigareje e me vargun e filxhanëve të kafesë, për të zhdukur pagjumësinë. Mendonte andej e këndej, maste e çmaste, se s’mund ta shkoqte nga ai apo t’ia shpjegonte bindshëm asaj se kjo dashuri ishte deshtake, pavarësisht jashtësinë romantike e delikatesën respektuese. Njëherë madje ju pat mbushur mendja që të hakmerrej keq, le të dalë ku të dalë. Kjo ide fikse e mendimit i pati ardhur një të hëne, pak para agut, kur qepallat nisen  t’ia lëbyrin shikimin e lodhja t’ia errësonte arsyen. Por, pas një gjumi lapurak dy orësh, kishte ndërruar mendje. Kjo ishte rrjedhojë e matjeçmatjes së gjithë atyre mendimeve: po sikur ai …, po sikur unë …, po pas gjithë asaj … , po rezultati i fundit …, dhe pasi piu dy aspirina u rrotullua në krahun tjetër dhe, mbuloi kokën me fillin e jorganit të bardhë. Ditët kalonin, e fatmirësisht u panë fijet e prishjes. Ajo madje ndodhi me një arrogancë shpërfillëse, sa u habitën të gjithë. Nisi me të madhe përfolja. Jo e ka lënë ai, jo e ka lënë ajo, jo u ka munguar takti, jo gjithçka ishte e interesit dhe ajo mbaroi, jo i doli kllapia asaj dhe e pa se nuk ishte ashtu siç shitej në fillim, madje e përsëriste shpesh,  se i humbi tërë sinqeriteti, e çka jo. Por, nuk vonoi shumë e nisi flirtin tjetër. Tashti me një tip të ftohtë si gjarpri, edhe më dredhaxhi. Kjo për çudi ishte edhe më pompoze, thoshin, e tëra për inat të të parit. Shëtisnin pandërprerë bulevardeve, duke shikuar rrethit se a po i lakmon kush, duke harruar krejt atë që i gdhinte netët po si përpara, me një përkushtim tejnjerëzor. Filluan të trashën miqësitë; asaj i dhuronin veshje të bukura, të cilat i ndërronte përditë, për tu dukur e bukura e dheut, ngase i shkonin  shtatit të hedhur e ecjes së lindur teatrale. Këto bukuri të jashtme linin përshtypje mjaft të mëdha, sa krijuan një tis bindjeje e kjo ishte madhështia. Ai nuk mund të duronte më në vete. Shpërtheu keqas, sa iu përsëritën pasojat e herës së parë. Së pari, kur foli shkoqur, por më zë të ulët sa nuk e dëgjuan shumë njerëz, e dënuan me të holla për gabimin e bërë, e vërejtje se më nuk falet, i thanë. Kot mundohej t’i bindte ai se ajo ishte e tij, e shpirtit të tij, ngase natyra ia dhuroi, e tjerët i përdhosin për inat që të mos i shihnin të lumtur. Kësaj radhe, si gjysmë i mpitë, se kishte nisur të mos duronte më vrazhdësinë e shpirtit, i dhanë edhe burg të qelive të ftohta. Xhelozinë e shprehe më but, ose mbaje në vete, i tha prokurori. Nuk lejohet në shoqërinë tonë humanitare socialiste të prishet miqësia e njerëzve, që bashkohen vullnetarisht. Atje ishte jetë ferri, se cilës ia shtuan edhe shpifjet e tjera, kinse ka tentuar t’i ndajë ata me dhunë, kinse i ka përgjuar dhe u ka zënë pritë me një mauzer të stërgjyshit, në shteg të lamës, kishte ajo as që qarë kokën për të dhe, rrallë ia lëshon ndonjë shikim, dhe atë tepër të ftohte, duke u frikësuar mos po ia kthen shpinën dashnori i madh me trup, që i bënte hije duke e siguruar nga sulmet e të tjerëve … Kur u lirua kishte tridhjetë kilogram peshë, me do sy futur zgavrave si pangjyrë dhe me një fytyrë të rrudhosur, që,  kështu ndoshta do t’i vinte ndot asaj ta ofronte pranë. Me këtë të dytën, naiven e sinqertë e të re, fliste vesh e më vesh, me qu – qu e me qa – qa, në qoshet e errëta apo pas hijeve të ferrave, sa për të mos u dukur nga syri i keq. Nuk flirtonte kjo, por vështirë e kish të ruante fshehtësinë për kohë të gjatë, sepse shenjat veç kishin qitur kokë. Madje një mbrëmje, aty para se të errohej trualli, ia kishte shprehur sinqeritetin, se e kishte edhe një dashuri më të hershme. Ajo mund të mos e dojë sinqerisht, por sikur është krejt si ti, me të gjitha tiparet kryesore, pos pamja u dallon pak, ishte rrëfyer duke e ndjerë veten të lehtësuar për sekretin e nxjerrë. Për çudi vajzusha nuk shprehi habi. Njëherë ndaloi shikimin mbi ballin e madh të tij për ta vërtetuar bindjen, pastaj aprovoi më kokë. Ti nuk heq dorë nga ajo, megjithë këto peripeci, i tha. A e di more i dashur se ajo sërish është prishur me atë ftofcakun e stepës, armikun e poshtër, dhe ka nisur, thonë, me një imcak buzëtrashë përtej deteve. Nga belaja po shkon në bela. Prishet me njërin dhe për mbrojtje e gjen tjetrin. S’di ku do t’i jetë fundi. Nuk e besoj, tha ai qetas. Përvoja e dreqit ndoshta nuk e lë të trulloset më. Çka nuk bëhet, por me këtë ndoshta e ka formalitet, apo janë fjalë rrugësh. Ani, ani, i tha njomëzakja e pasherr. Unë nuk të ndahem asnjëherë, por ngase të dua me gjithë mend e me tërë qenien, më dhimbsesh. Madje çfarë kam menduar një ditë: të shkoj drejt e te ajo dhe të bëhemi shoqe, për ta ditur se si është në të vërtetë, që aq shumë të ka përvetësuar dhe aq shumë po të shkatërron. Heshti për pak dhe pasi shpupurisi flokët e gjata, ajo mbuloi me to kokën, sikur ia siguroi edhe mendimet nga prekja e territ të natës verore. Pak çaste më pas ajo u shtri sa gjere e gjatë, me kryet që e kishte vënë në shpatullën gjysmë të zbuluar nga kindi i fustanit bezhë, dhe u shpreh fund e krye. Dëgjo, i tha. Do ta them botërisht se edhe ty të dua, e sa për atë Zonjën e dinë të gjithë, për çka janë dëshmitë zyrtare. Le të dal ku të dal. Më nuk e mbaj fshehtësinë. Pavarësisht çrregullimet qç mund të ndodhin, nuk duroj më. Këto takime gjithnjë të fshehta më krijojnë një frikë dhe dyshim. Po sikur edhe për këtë të kërcënojnë, maltretojnë, vrasin ndoshta. Çka nuk mund të ndodhë këtu, në këtë mes. E shëmtuara është mbjellë herët e në vazhdimësi këtu, shprehi dyshim ajo me buzën qershi, që nga emocioni i dridhej frikshëm, por me një bukuri mahnitëse. Po vazhdojmë edhe kështu. Edhe pak, se  s’mund të mendoj të jem pa ty. E, unë çfarë bëj, mrroli vetullat ai. Gjithçka timen e kam lidhur me ty, me atë, me ju, dreqi le ta hajë! Sa duhet bërë e sa duhet folur për tu bindur njëherë e mirë! Një zallahi e shtrishme u dëgjua një moment, pastaj një pauzë vëzhguese e pastaj sërish zhurmëri zjarrëse. Pastaj krisma, kondak, grushte, skurrila gjaku, alivanosje. Një si rizgjim, dhe serish mbretëria e territ. O zot, pse, sa, kur, si … Nuk më lejohet të dua sërish. Nuk guxohet të marrësh frymë lirisht prapa, a?! S’duhet dashur zonjën e përvojës së hershme, nuk lejohet afria me vajzushën e ndjenjave freskuese. Çka duhet bërë. Për ku synojmë të vemi? E tashti kështu, që ndoshta përthekohet fundi, s’mund të mos e pranoj këtu mes këtyre çubajave që u ngjyrosën me gjakun e vakët; i dua e i kam dashur gjithmonë këto të dyja, dëgjo fuuushëëë… maaalll … heeeejjj…!!!

Zëri që i përfundoi në shtërrje e bëri njësh me të dashurën e përjetshme. /KultPlus.com   

Dy poezi nga cikli “Vargjet e jetës sime” të Tomorr Alikos

Nga: Sinan Gashi

Autori i këtyre poezive, Tomorr Aliko (1925 – ) është nga Libohova (Shqipëri). Që 17 vjeç përqafoi idetë nacionaliste, kur edhe u bë anëtar i “Ballit Kombëtar”, udhëhequr nga Mit’hat Frashëri. Për idetë e tija denohet me burgim të përjetshëm. Lirohet më 1963, pas 17 vjet burgimi. Pastaj internohet në Mamurasë, deri më 1991. Pas këtyre katrahurave dhe përjetimeve rrëqethëse të burgjeve e inerenimeve, ai botoi librin “Fundi i udhës së gjatë” (Tiranë, 1999), ku janë dhënë kujtimet e trishta të dhunës, shprehur me plotë emocione. Për ata që ishin dënuar me pushkatim me varje, me burg të përjetshëm etj., jepen edhe lista të atyre që bëjnë vetëvrasje në qeli ose në spitalin e burgut.

Shkrimet ilustrohen me foto portrete dhe pamjeve të Burrelit, ku u dergjën intelektualë e krijues të shquar, shumica të shkolluar në universitetet perëndimore. Është domosdoshmëri të përmenden disa, si: Musine Kokalari, Xhevat Korça, Sabri Dangëllia, Zef Kadare, Terenc Toçi, Jakov Milaj, Gjergj Kokoshi, Hasan Reçi, Arif Gjyli, Pjetër Meshkalla, Mirash Ivanaj e të tjerë. Veç këtyre dokumentarëve, Aliko shkruan edhe vargje, të motivuara nga jeta e ferrit. Po i botojmë dy poezi që u kushtohen dy personaliteteve; shkrimtares e demokrates Musine Kokalari dhe atdhetarit Mirash Ivanaj, nga cikli i poezive “Vargjet e jetës time”.

Tomorr Aliko

BURRIT TË SHTETIT

(Atdhetarit Mirash Ivanaj)

MIRASH IVANAJ

1891-1953

Mërgove se s’pranove pushtimin

S’duroje tiranë, s’pranoje nënshtrimin

N’Azi u degdise, atje gjete strehimin

Shtatë vjet të tëra prite çlirimin

Erdhe se mendove që Shqipëria u çlirua

Që shqiptarët e shporrën robërinë

Nuk e dije që vendi prapë u zaptua

Nga klika komuniste e lidhur me Serbinë

Erdhe se në shpirt të vlonte malli

Për tokën mëmë, për Atdhetarë

Për ata që rrebeshit i bënë ballë

Për ata burra që dikur ishin ndarë

Të pruri balta, erdhe përsëri

E prisje këtë ditë me mall e dashuri

Se gjaku i kulluar të vlonte në gji

I gatshëm që jetën ta bëje fli

E kujtoj sa herë Mirash Ivananë

Atë burrë shteti që na mbante pranë

Sigurimsat për të çfarë nuk thanë

Agjent i Imperializmit anglo-amerikan

Si armik populli e dënuan

Patriotin e cilësuan armik

Në spitalin e burgut e helmuan

Agjentët e Bashkimit Sovjetik.

PISHTARES SË DEMOKRACISË

(Musine Kokalarit)

MUSINE KOKALARI

1917-1983

Më kujtohet ishte nëntori në të mbaruar

Të pashë Musine të përlotur, të trishtuar

Të ndoqa pas me një hov rinor në zemër

Ndalove sapo të thirra në emër

Në krahët e mi me dhimbje të pushtova

Për Muntazin e Vesimin të ngushëllova

Që terrori komunist u mori jetën

Se ishin shqiptarë, thonin të vërtetën

Një dhimbje ndjeva kur të pashë në sy

Gjithçka për ty ishte kthyer në zi

Si burrneshë dy fjalë m’i the

Vëllezërit e mi vdiqën për atdhe

Të pashë përsëri në burgun e vjetër

Muri që na ndante- i trashë një metër

Në mes të shoqeve flisje, ligjëroje

Në oborrin e burgut rrethuar me roje

Të burgosën Musine se kërkoje lirinë

Të dënuan xhelatët se doje Shqipërinë

Simbol u bëre për gruan shqiptare

Katër dekada qëndrove krenare

Me qëndresën tënde armikun tmerrove

Fjalën e lirë e the kudo që shkove

Në burgje, në kampe, në internim

Qëndrove kryelartë, u tregove trime

Jetë në vuajtje më tepër të forcoi

Optimizmi i fitores energjitë t’i shtoi

Komunizmit barbar kurrë s’ju përkule

Qysh në vajzëri derisa u rrudhën

Sot shokët e tu që për fat mbetën gjallë

Të kujtojnë Musine duke qenë krenarë

Se e mbylle jetën në emër të lirisë

Fitove titullin “Pishtare e demokracisë”

(Tiranë, Burgu i Vjetër, 1957) /KultPlus.com

Poeti Pirro Floqi, cili qe ai?

Shkruan: Sinan Gashi

Ndodhë në fatet e krijuesve shqiptarë që, duke qenë në kundërshti me politikën në pushtet, të akëcilës kohë, të jenë të skajuar, mbase edhe të përbuzur, të burgosur, të ekzekutuar, sa së bashku me të i është heqet edhe biografia, duke mos e lënë as ashtu të dihej se cili ishte dhe, aq më keq, se çka krijoi.

Mbase ndër të tillët është edhe Pirro Floqi, djali i shkrimtarit dhe të doktoruarit në shkencën e drejtësisë në Universitetin e Athinës, dramaturgut më prodhimtar, Kristo Floqit (1872-1951). Por, ajo që në kundërshtim kësaj, krijuesve ua heq anonimatin, përkatësisht i cyt të tjerët që të interesohen edhe për jetën e tyre, është vetëm krijimtaria, vepra postume, qofshin në ndonjë botim sa për të thënë ose të lëna tërësisht në dorëshkrime.

Ndër të tillët është edhe Pirro Floqi, djali i vetëm i Kristos, për të cilin dihet fare pak. Ajo që u mësua së voni, pa një hulumtimi, ai ishte i lindur më 11 mars 1911 në New York, ku ishte e lindur edhe motra Tefta, binjake me të vëllain, e cila vdiq si foshnje, dhe motra tjetër Drita, e lindur më 1919 në Shkodër, që jetoi vetëm 6 muaj; se prindët e tij ishin shkrimtari dhe veprimtari kombëtar në Shqipëri e Amerikë, Kristo Floqi, ndërsa e ëma Urania, e motra e Sevasti Qiriazit, qëndistares së flamurit kombëtar.

Pasi ishin riatdhesuar nga Amerika në Shqipëri, Pirroja kishte jetuar mirë, ngase i ati ishte në detyra të rëndësishme, sa edhe kishte pasuri të mjaftueshme,sa dhe kishin ndërtuar një shtëpi në Tiranë, në rrugën e Dibrës, më 1926. Pirroja në vendlindje kishte mbaruar shkollimin fillor, ndërsa që për studime në ndonjë kolesh, e kishin dërguar në Austri më 1922, ku kishin shkuar familjarisht, që te mësonte gjermanishten si dhe daktilografinë, por që nuk qëndruan më shumë se tre muaj. Thuhet se në Vjenë kishte vajtuar edhe një herë për kurime më 1942, sepse nuk e ndjente veten mirë. Kishte punuar për njëfarë kohe nëpunës i Këshillit të Shtetit të mbretit Zogu I. Por, pas ardhjes së sistemit komunist në pushtet, familjen e tij e deklasojnë si “armik të popullit”, duke ia sekuestruar tërë pasurinë, madje edhe vilën në rrugën e Dibrës dhe një bibliotekë shumë vëllimshme. Tashti jetonin në bodrum të po asaj shtëpie, që ishte shndërruar në shkollë fillore. Kristoja, për arsye tepër të ulëta (se kishte shkruar tekstin e himnit për Mbretit Zog, arsyetohej në aktakuzë!), ishte arrestuar dhe dënuar me burg politik nga viti 1945 deri më 1950. Edhe kur lirohet, i fyer, i rraskapitur dhe në një moshë të shtyrë, mbi 70 – vjeç, heq edhe për bukën e gojës, si plak që ishte; jetonte në mjerim, me lëmoshë, deri sa vdiq më 1951, pasi pak kohë më parë i kishte vdekur edhe guraja Urania.

Pirro Floqi mes babait Kristo dhe mëmës Urania

E, Pirroja, i mbetur fillikat në botë, duke u munduar ta nxjerrë përkohësisht kafshatën e gojës me daktilografim materialesh, e ngryste ditën. Vështirësitë e ndiqnin vazhdimisht. I varfër po, i fyer përherë, me përjetime të rënda emocionale, duke bredhur pa cak rrugëve të qytetit, ai lente përshtypjen e një njeriu të çakërdisur. Para luftës ai bredhte fshatrave, duke mbledhur folklor, shkruan Stilian Adhami[1] për të. Më pastaj ai ikën për në Shkodër, rrugë të cilën e bëri më këmbë. “Atë e kishin porositur me ardhë në Shkodër, mbasi në Tiranë ishte bë i bezdisshëm”[2], shënon Ftitz Radovani.  Por edhe atje e përcolli fat i njëjtë, bredharak e lypsar rrugësh. I jepte kush për mëshirë sa për ta mbajtur frymën, ndërsa gjumin e bënte aty ku e mëshironte kush, qoftë edhe në ndonjë skutë hoteli, si në “Evropa” të Shkodrës. Përkujdesje të veçantë pat treguar për të Imz. Ernest Çoba, i cili i jipte shpesh edhe për të ngrënë.[3] Por përcjellja nga sigurimcat ishte e përhershme. Rrëfehet një rast për kontrollin policor të natës dhe, kur këtë e zgjojnë për dokument dëshmi, ky kishte vetëm pasaportën amerikane, e cila i irritonte edhe më shumë ata. I shqetësuar, iu tha: ”Ja. Prisni një minutë, merreni këtë dreq pasaporte, ndryshoni at dreq New Yorku, se jeni duke me çmendur.”.[4] Atje, më ata pak njerëz që e afronin, lente dëshmi të një njeriu të ditur. Dinte “Lahutën e Malësisë” të Gjergj Fishtës, njihte shkrimtarët e Veriut, të cilët për kohën ishte rrezik t’ua përmendje vetëm emrin e lënë më edhe veprat. Kjo dëshmonte se ishte një i ditur dhe i rritur në gjirin e një familje intelektuale, me shkrimtarin e studiuesin shkencor Dr. Kristo Floqi. Ashtu i drobitur, edhe fizikisht e edhe psikikisht, ai e mbylli jetën përplot travaje, i internuar në Kampin e Lezhës, që si datë e përafërt mund të merret 1960 (?).

Pirro Floqi kishte trashëguar një talent krijimtarie nga i ati shkrimtar. Ai nisi krijimtarinë që në rini, kur dihet e dhëna që si gjimnazist kishte nxjerrë vëllimin e parë me poezi. Madje edhe në orientimin kombëtar, gjykojmë sado pak sipas shkrimeve të lëna, ai ishte mjaft i përkushtuar. Shkrimet poetike fillimisht i kishte botuar në periodikun e kohës, para Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht “Zotit”,[5] por, e tërë trashëgimia letrare i ishte dëshmuar me botimin e katër librave fare të vegjël me poezi, që nuk e kalonin numrin e faqeve mbi 15. Nganjëherë vetëm një poezi e gjatë a poemë ishte si një libër e veçantë.

Veprat e botuara që dihen, janë:

  1. “Vajtimi mbi të paharrueshmen N.M.S. Mbretëreshën Nanë”, botues “Kristo Luarasi”, Tiranë 1934, 15 faqe,
  2. “Vjersha”, shtypshkronja “Tirana”, Tiranë 1935, 14 faqe, libri i kushtohet prof. Filip Fishtës,
  3. “Bajram Curri”, vjersha, shtypshkronja “Atë Gjergj Fishta”, Shkodër 1941, 13 faqe,
  4. “Çamërija e lirë”, vjershë, pa vend dhe vit botimi,
  5. “Kosova e lirë:”, vjershë, shtypshkronja “Atë Gjergj Fishta”, Shkodër 1941, 14 faqe,
  6.  “Kosova e lirë:”, vjershë, botues “Kristo Luarasi”, Tiranë 1941, 14 faqe.

Vepra “Kosova e lirë” e botuar në Shkodër, më 1941

Vjersha për Kosovën ishte botuar edhe në të përditshmen “Rilindja”[6].

Vepra “Kosova e lire” e botuar në vitin 1941, një poemë me gjithsej 225 vargje, është një frymëzim për një pjesë të Shqipërisë, përkatësisht të pjesës më vitale të kombëtarizmës. Si edhe te poetët e deritanishëm, Kosova mban virtytet e asaj që nuk do të kishte krahasimtare tjetër për gjithçka që është madhore e një kombi. Por, në vijimësi, sikur të ishte i njëjti në të gjitha rastet, vjen dhimba për pushtimin e saj nga i huaji, i cili një herë ishte otomani e pastaj sllavi.

I përshkruar herë-herë me nota sentimentale e herë me ngritje të hoveve besimi për pashterrshmërinë e traditës çlirimtare, poeti Pirro Floqi edhe e përmbyll këtë poemë.

Renditja e historisë është me një ecuri faktike: niset me meritat që kishte në të kaluarën e të cilat ishin trashëgimore, vinin pastaj te realiteti, duke i derdhur të dhënat për robërinë, nënshtrimin, grabitjen, varfërimin, për të vazhduar në vijimësi për fitoren e patjetër, pasi lëshohej kushtrimi anekënd vendit. Të huajt “Nuk kursyen kurrnji shqyptar./ Banë çmos me t’qitun fare, / Moj Kosovë, Kosovë shqyptare”.

Poema për disa specifika tematike dhe mënyrën mbarështuese, i ngjet poemës së Pashko Vasës “Shqypnis së robnueme”. Ajo që është karakteristikë këtu, njësoj qahet fati i Kosovës dhe i pjesës tjetër shqiptare – Çamërisë:

Jo, jo kurr nuk e xa besë,

Se Kosova kshtu do t’jesë.

Kam uzdajë n’Zotin e qiellit

Se një dit rrezet e diellit

Kan me shkrep e me ngjallnue

Kam me shndrit e me trimnue,

Kan me njall çdo shpirt shqyptarit

Kan me i pri, po kosovarit

Kan me i çelë rrugen liris

…………………………

…………………………

…………………………

Bashkë me atë të Çamëris;

Parashikimi i fitores, sipas poetit, është me mobilizim, me bashkim të të gjithë kosovarëve, të cilët unji duhet të manifestojë kërkesën me çdo mjet qoftë:

Dilte vrik burr’ i Kosovës

Si prej Pej’s, si prej Gjakovës,

Si prej Plavet, si prej Hotit,

Qi i njef mirë njai syni i Zotit,

Si prej Kuçit a Gjilanit,

Qi ja kan dorën taganit,

A prej bjeshk’ve të Planinës,

Prej Tetovet e Gucinjës,

Prej Kërçovës s’Kaçanikut,

Tue ja shti mnderen anmikut.

Edhe kjo poemë, si të gjitha krijimet e tjera, përmbyllin mendimin se vendi do të jetojë i lumtur, me gëzime dhe përjetësisht në këto troje. Mjetet shprehëse janë të ndryshme, por ecuria dhe fillimi e fundi i tyre ngjason dukshëm.

Pirro Floqi nuk dyshonte në ardhmërinë e mirë të kosovarit, në aftësinë e tij për t’i dalë zot vetes dhe për të jetuar kombëtarisht mbarë, si të gjithë shqiptarët. Fundi i këtij krijimi më tepër vjen si urim i dalë nga një adhurues i kësaj pjesë shqiptare:

Rrnosh e kjosh Kosova trime,

Kjosh e lumtun, plot gëzime,

Kjosh e rrnosh ti porsa zallet.

Krijuesi ende nga ne i panjohur mirë me bio-bibliografi, nga kjo reflekton se ishte edhe një krijues me talent, të cilin duhet ta ketë dëshmuar me më shumë vepra, që shpresojmë t’i njohim më vonë. Nëntërrokëshi i vargut shprehës, me rimën aa, bb, cc, dd, ee, e tjerë, ka rrjedhën e një gurre me pak katarakte. Krijimi është bazuar me tepër në përshkrimet e karakterit, të veprimit dhe të fateve të njeriut të kësaj hapësire, për ta përcjellë fatin kolektiv nëpër situata karakteristike e dëshmuese kohore-nyje, atë të historisë dhe fateve të tërë një popullate. Momentet e dhimbjes, kur habia për mosmbajtje të asaj që ishte tradicionale këtu që nga lashtësia e madhe edhe në shtrirje më të gjerë, gjithshqiptare, janë thënë shkoqur.

Një ditë, kur njohim gjithçka për krijues-krijimet e Pirros, do të flasim më drejt, më bindshëm dhe me një mendim më jetëgjatë.

Pirro Floqi

KOSOVA E LIRË

Moj Kosovë, Kosova trime,

Pse vajton me aq idhnime,

Pse nuk çon syt kah Empiri

Prej kah nierit i vjen hiri?

Kah t’ka shkue trimnija e parë

Me fatosat t’u Shqyptarë,

Qi nuk din… nuk din shka a tuta,

Nuk i trembë kurr pushka as huta?

Shka t’ka gjetë, Kosova e shkretë,

Qi po t’shof me ftyrë të zbetë?

Pse, mjerisht, nji thund’r e vshtrirë

Rrin tue t’shkelë pa kurrnji mshirë!

Pse t’ra ty mbi qafë mizori,

Serbi i egër: ai gjaksori!

Qi pa shpirt e pa farë mshrire,

T’prishi zemër e dishire,

Tue të shkelë e tue t’varrue,

Tue të vra e tue t’coptue;

Edhe djelmt të gjith t’i korri:

Mija-mija i çoi tu vorri.

U shkretnue Kosova trime,

Ka mbetë vetem nder mjerime.

An e kand sot ndihet gjama,

Vaji, zija, lott e nama.

…Zot, shka kje gjith kjo poterë,

Qi setcillit me i shti mnderë?

Pse u shkretnue kjo tokë e gjanë,

A kje e drejtë të mjerë m’e lanë?

Shekujt mbarë a kan kurr pamun

Kaq dishmorë per dhe të ramun?

Si s’t’u hoqen mizorit

Digiet, pjekjet, tiranit

Qi ke hjekë prej osmanllis,

O moj zemr e Shqypnis!!!!

Kqyr nji herë se si n’qafë Slavi

T’ra, të shkeli, n’gjak të lavi.

Edhe sot rrin me krye ultë

Si e l’ngatueme: krejt pervujtë.

E shkado qi t’la Turkija,

T’a plotsoi dyfish Serbija!

Kjani, Kjani pra me mue

Kjani, kjani pa pushue,

Mbi Kosovë të ngratë e t’mjerë

Qi e ka mblue gjith kjo poterë,

Qi ka bjerrë shpresë e uzdajë,

As nuk din sot kah t’i a mbajë…

Kjajë trimni burrat që shkuene,

Kjajë të mirat që mbaruene…

Ra Kosova, ra krejt vdekun,

Ra pikë gjallë, ra krejt e mekun.

Serb’t si t’egjer e barbar

Nuk kursyen kurrnji shqyptar.

Bane çmos me t’qitun fare,

Moj Kosovë, Kosovë shqyptare.

Kaloi gzimi edhe lumnija

Mbaroi krejt per ty burrnija,

Qysh se dridhesh si purteka:

Thue t’ka ardhë mordja ase vdeka!!

Mblidhnju t’gjith, burra shqyptarë,

Per Kosovë dhe kosovarë:

Britni, kjani edhe vajtoni,

Ditë e natë kurr mos pushoni.

Kjani vlugune  djelmnis,

Kjani lulen e Shqypnis

Qi ka mbetë e vejë, e shkretë

E përvajshme, n’ftyrë e zbetë

Zi dhe mnderë atje ka ra,

Me gjak vendi krejt a la!

Qyshë e latë, o kosovarë,

Vendin t’uej ashtu krejt mbarë:

Me ju djegun shpi e troje

Me ju marë buken buzë goje

Pasuni, lopë edhe shtjerrë

Gjanë e gjallë, tokë edhe djerre?

Qyshë durohet Serbi n’derë

Me ju vra e me ju therë

Nder zakone me u-dhunue,

Varza e motra me u shnjerzue?

Me ju gri me mitraljoza,

Me ju ba krejt hi e bloza…

Kjajë, pra kjajë, Kosovë e mjerë,

Për fatosa qi ke bjerrë.

Kjaje vlugun e trimnis,

Kjaje ajken e djelmnis,

Kjaje tokën qi u shkretnue,

An e kand sot me gjak mbulue!

Po a thue s’je Kosova e parë,

Ti qi t’dasht’ nen Shqypni mbarë

Me trimni fort e madhnove,

Namë e za ti ja naltove,

Ti qi rrxove sa Sulltana

Me djelm t’u t’letë porsi Zana?

Po edhe sot çdo mal e prrue

Si çdo kodër e çdo krue

Za ngadhnjimesh prap jehojn,

Namin t’and duen prap t’dishmojn.

Si prendoi kjo kohë kreshnike,

Për ket tokë gjithmonë fisnike!

Ku gjimojshin pushk’t breshana,

Tuj u turrë trimat si Zana,

Ku, si fletë, çetat anmike

Bijshin rrash, t’mekun prej frike,

Dhe ku kanga shungullote,

Mal e fushë e bjeshkë jehote:

Djelm e burra kosovarë

Në mejdan delshin krenarë

Mirë mberthye me armë të leta

E me pushkë e me shigjeta.

Ah!  u-zhduk krejt porsi n’anderr

Si një voesë e si një gjanderr

Gjith ajo madhni me namë

Tue mos mbetë veç zi e gjamë.

N’at tokë t’bukur kosovare,

Kenë gjithmonë çerdhe shqyptare,

Si me u-zhdukë kjo kohë e lume

Per Shqypni përherë t’bekume?

Koha n’za e mrekullis,

Për t’u drashtë prej Osmanllis,

Tue lanë namë dhe lavd Shqypnis

Tue shti mnderen mbarë Turkis

Kur njato pushka breshana,

Karajfile dhe shishana

Krisshin plot me fishkullime:

Porsi rr’fe me bumbullime,

E gjimojshin fushë e male

Bjeshkë e det e l’qej e zalle,

Edhe zani tuj ushtue

Gadi Zotit i asht afrue.

Njallshin zemra me krahnore

Ndiesi t’buk’ra atdhedashtnore

Edhe e luftës kanga trime

Gjithkund kriste ashkë me gzime.

E thue sot: gjith ata trima

Kan mbarue zhdukë si vetima?

Thue me shpresa hupi ngeli,

Pse Kosovën Serbi shkeli?

A thue ‘i mend se shkoi tanë shpresa,

Porsi njegulla, si vesa?

Mos kujtoni, ju malcorë,

Se i perhershmi ka hjekë dorë

Prej Kosov’s qi aq fort permendet

Kah bjen dielli e hana endet.

Jo, jo kurr nuk e xa esë

Se Kosova kshtu do t’jesë.

Kam uzdajë n’Zotin e qiellit

Se nji ditë rrezet e diellit

Kan me shkrepë e me gjallnue

Kan me shdrit e me trimnue,

Kan me njallë çdo shpirt shqyptarit

Kan me i pri, po, kosovarit

Kan me i çilë rrugen liris

Tue ja falë kta bij Shqypnis

Ka me shndritë kjo si brilanti

Me kandritë ka si djamanti

Mbi kunoren e Mbretnis

Bashkë me atë të Çameris;

Pse atje nalt kur nuk tha Zoti

Kjo Kosovë, si tym baroti,

Kshtu qi t’zhduket e t’mbarojë

Thundra e anmikut t’a farojë!

Perëndija s’e ka thanë

Qi robneshë me ndejë n’nji anë

Kjo qi fort martirizue

Asht trimnin tue trashigue.

Qyshë se doli drita e diellit

E na erdh kjo rreze qiellit

Qyshë se bota ko krijue

E shqyptari kje trajtue.

Po dikur ky tue zemrue

Shok’t e vet, ka me fitue

Troet e para. Thundra anmike

Ka me u heshtë para asaj frike,

Edhe at-herë ka me dishmue

Me t’vërtetë, tuj e besue,

Se mbarë toka kosovare

A tokë shejte, tokë shqyptare

Mblidhnju, pra, mor’ju Shqyptarë

T’gjith sa jeni, e kosovarë:

Sot asht dita me kërkue,

Lirin t’uej ju me fitue

Jeni burra si vetima,

Jeni t’rrebtë, porsi ushtima:

Kur në luftë keni qillue,

Burni mjaft keni tregue;

Por njetash duhet burrnija,

Zemra e ndezne: atdhedashtnija.

Kur kersitte, tjera herë,

Pushka qi përhapte mnderë,

Toka e qiellë tue bumbullue.

Edhe sh’ndija rreth tue l’shue,

Dilte vrik burr’ i Kosovës

Si prej Pej’s, si prej Gjakovës,

Si prej Plavet, si prej Hotit,

Qi i jef mirë njai syni i Zotit,

Si prej Kuçit a Gjilanit,

Qi ja kan doren taganit,

A prej bjeshk’ve të Planinës,

Prej Tetovet a Gucinjës,

Prej Kerçoves s’Kaçanikut

Tue ja shti mnderen anmikut.

Por shka t’thom un fill ma parë

Per kta trima kosovarë,

Trima n’za, sokola malit,

Kurse plaku ja del djalit,

E nder lufsta nierz ma t’zot

Bota kurr nuk pa der m’sot.

Pra, Shqyptarë, kqyrni t’bashkohi,

Porsi vllazen ju t’shterngohi,

Leni smirë, leni çdo mni,

Lidhni besë, lidhni miqsi

Votrat, fiset, nderen pshtoni,

Tokt e hup’ na sot fitoni.

Pse ka thanë Zoti i vërtetë,

Se Kosova gjallë do t’jetë,

Prap do t’njallet, do t’naltohet,

Do t’qindrojë, e do t’smadhohet:

Per nen flatrat e Shqypnis

Ka me gzue vjett e liris;

Ka me rrnue, po, kosovari

Qi nder dej ka gjak shqyptari.

Rrnosh e kjosh Kosova trime,

Kjosh e lumtun, plot gsszime,

Kjosh e rrnosh ti porsa malet,

Porsa fushat, porsa zallet.

                           1941, Tiranë /KultPlus.com


[1] Prof.dr. Stilian Adhami: “I anatemuari Kristo Floqi “, Gazeta shqiptare , Tiranë, 20 tetor 2008,

[2] Fritz Radovani: “’Pasaporti’ i Pirros”, Zëri i Shqiptarëve, 3.12.2013 

[3] Më gjerësisht po aty

[4] Po aty 

[5] Botuar në “Lajmëtari i zêmrës së Krishtit”, Shkodër, tetuer 1940

[6] “Rilindja”, 8 mars 1998, f. 9

Veprat shqipe të botuara në Zarë të Kroacisë

Shkruan: Sinan Gashi

Duke qenë fati i krijuesit letrarë shqip tarë i lidhur edhe me fatin e krijimit të veprës së tij, ajo shte- gtoi gjithandej hapësi-rave të botës. Kështu, shumë vepra, në mos ato që ishin të parat si histori botimi, kishin zënë fil;;ë në Romë, o në Vjenë, o në Stamboll, o në Bruksel, o në Bukuresht, o në Nju Jork, o në Mynih e tjerë.

Atje i shpuri fati nëpër fërfllazat e kohëve personalitetet tona, të vetëdijes së lartë kombëtare dhe të aftësive e dhuntive të dëshmuara intelektual e e krijuese.

Kësisoj, edhe në Zarë të Dalmacisë (Kroaci), kur që nga vitet ‘700 të shekullit që lamë pas, ku ishte bërë një strofull i disa grupeve të shqiptarëve të ndjekur nga lokalitete e Rrethit të Shkodrës, kishte frymuar, me vështirësi, fjala shqipe, sa edhe ishte bërë përpjekja që edhe aty të mësohej, shkruhej e botohej në gjuhën shqipe. Aty madje ishte nisur një iniciativë për ta nxjerrë një të përkohshme në gjuhën shqipe, që qe emërtuar “Zâni i Šćyptarit”, i cili mbeti vetëm dëshirë e tyre.

Por, jo vetëm kjo iniciativë ishte ajo që e bën vendvotim të veprave letrare këtë vend. Këtu, në Zarë, ishin botuar veprat e para të krijuesve të shquar shqiptarë, autorët e të cilave kishin jetuar dhe punuar këtu, që ia shton edhe më vlerat e kësaj oaze shqiptare, nga ku është vendlindja e disa veprave të rralla dhe madje disa të njëhershme në literaturën shqiptare. Se pse ishin botuar mu këtu, në këtë mes të huaj gjuhësor, veprat e gjuhës shqipe, duhet kërkuar të vërtetën bë disa kahe: në lirinë e çfarëdo lloj shkrimi, pa frikën e censurimit, në lehtësinë teknike të nxjerrjes së një libri dhe në përkushtimin e autorit që aty edhe e kaluan njëfarë kohe të jetesës.

   Kush dhe çka u botua në Zarë

Janë krijues të shquar të kulturës dhe letërsisë shqiptare ata që krijimet e tyre i  bënë në formë libri në Zarë. Ndër ata që do t’i përmendim janë edhe mësues të gjuhës shqipe, të cilët ishin caktuar të ligjëronin gjuhën e tyre shtesë, për nxënësit shqiptarë atje. Mbase edhe ajo largësi nga vendlindja ua nxiti edhe më fantazinë krijuese dhe përmallimin atdhetar. Janë të ditura më se pesë vepra, të cilat janë botuar mbase edhe kruar në Zarë.


Pashk Bardhi (1870-1947) nga Shkodra, mësues i gjuhës shqipe, gjuhëtar dhe leksikograf, e kishte shkruar me pasionin e një studiuesi një vepër, për të cilën fitoi njohur për së afërmi. Kështu kishte bërë një studim të rëndësishëm, me përkushtim, për këtë të folme arbneshe. Puna e tij u kurorëzua me botimin e veprës studimore “Gjuha shqype e arbëneshvet në Zarë”, (Zadar,1905). Ai, ngase jepte mësim në Shkollën Normale të Zarës, mblodhi edhe gojëdhëna e fjalë të rralla në këtë mes, të cilat i botoi në të përkohshmet “Ylli i dritës” dhe “Albania”, por këto materiale ishin edhe materiale plotësuese për “Fjalorin e ‘Bashkimit’”. Këtu, mbase për herë të parë u panë dhe u evidencuan lashtogjuha e këtij grupi shqiptarësh, të cilët të folmen gegërishte të veriut të Shqipërisë e kishin konservuar në mënyrën më të saktë, vetëm nga pamundësia për të komunikuar më me atdheun e tyre dhe me ndryshimet që kishte pësuar gjuha shqipe atje. Vdiq në vendlindje.

Gjergj Fishta (1871-1940) nga Shkodra, poeti i epikës kombëtare dhe atdhetari i dëshmuar, dy herë u dëshmua si autor i botimit të veprave letrare atje. Së pari ai botoi vetëm një pjesë nga vepra e tij kapitale “Lahuta e Malcis”, titulluar “Te  ura e Rrzhanicës”, madje dy herë radhazi, (Zadar,1905 dhe 1907) ishte e para, dhe tjetra, po e Gjergj Fishtës, “Pika voëset”,  (Zadar, 1909). Ai asnjëherë dhe në asnjë vend nuk e ndaloi veprimtarinë atdhetare dhe krijuese. Vdiq në Shkodër.

Kostandin Kotte (1889-1950) nga Korça, është intelektuali tjetër, e kishte dëshmuar talentin krijues letrar me botimin e një drame, “Shpërblimi i gjaksís”, pjesë në tri akte (Zadar, 1929). Ai ishte marrë me aktivitete politike e pushtetore. Kishte migruar për njëfarë kohe jashtë atdheut, pas pushtimit të Italisë fashiste. Pasi dorëzohet në Shqipëri, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit.

Ernest Koliqi (1903-1975) nga Shkodra, shkrimtari e studiuesi i shquar i letërsisë shqipe, si dhe i përkushtuari për arsimimin e shqiptarëve, në trojet shqiptare si dhe jashtë saj, botoi veprën e vlerave të rralla artistike “Hija e maleve”, (Zadar, 1929). Ai edhe para kësaj e kishte botuar një vepër në Tiranë, “Kushtrimi i Skënderbeut”, më 1924. Edhe në Itali, ku kishte jetuar pjesën e dytë të jetës, kishte qenë  profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në universitete prestigjioze atje. Vdiq në Romë.

Shtjefën Konstantin Gjeçovi-Kryeziu (1874-1929) nga Janjeva, njeriu i shumësisë së aftësive intelektuale dhe artistike, ngase njihet edhe si arkeolog, folklorist, dramaturg, poet, etj., kudo që u gjend u aktivizua në mbledhjen e materialeve nga arkeologjia shqiptare, krijoi vepra letrare përherë me theks kombëtar si dhe luftoi me çdo mjet kundër shkombëtarizimit të shqiptarëve, si në Zarë, Pejë, Rubik, Laç e vende të tjera, ku kreu shërbimin e meshtarit.. Në Zarë ai ishte në detyrën  e mësuesit të gjuhës shqipe, ku e kishte shkruar po këtu një nga dramat e shumta të tij më temë atdhetare, “Tradhti gjaksore (vrasja e Marka Kulit)”, dhe atë në vitin 1906. mu për shkak të veprimtarisë atdhetare, ai u vra nga serbomëdhenjtë në Zym të Hasit.   / KultPlus.com     

Muharrem Qena, artisti i pesë kaheve

Nga: Sinan Gashi

Njeriu që është i tëri talent në vend si mish e kockë, i tëri përkushtim në vend se lakmi, i tëri sakrificë artistike në vend se pushtet, është pa mëdyshje Muharrem Qena.

I nisur një rruge të re jetësore e artistike, të parespektueshme për fillimin, aktori i lindur dhe ambiciozi i pashoq, që ta shpreh mendimin e idetë e veta të ngritura në mesazhe artistike, është i riu nga Mitrovica i viteve 1930, i cili përherë, derisa ia mundësoi shëndeti e mosha, nuk rreshti së dëshmuari se do, se mundet dhe se di ta begatojë jetën e njeriut, atë begati ideore e shijojë që e kishte në qenjen e vet.

Ai nisi rrugën e re, atë të aktorit, atë të artit teatral, që në vendlindje për të bërë shfaqje teatrale, duke tubuar rreth vetes grup entuziastësh dhe duke dëshmuar se ky është një art i ri dhe tejet i nevojshëm edhe për ne në Kosovë. Pas një kohe, ai nisë shkollimin profesional për aktor teatri e filmi në Beograd, për ta ndërprerë vetëm sa mësoi nismat e zanatit, kur dhe do kthehet në Prishtinë, për t’ia vënë themelet teatrit të parë profesionist në Kosovë. Me një grup shokësh tashti të ndjerë, ai krijon adhurimin e shikuesve, të cilët përditë e më shumë aktualizojnë këtë lloj arti. Edhe pse në kushte të rënda dhe nën një përcjellje të regjimit sllav, i cili kontrollonte temat e dramave, ata detyrimisht nisën me drama të përkthyera nga gjuhët e huaja, por që mundësisht të anonin kah vlerat njerëzore e univerzale. Madje edhe regjisorët ishin nga të huajt. Regjisori i parë që inskenoi dramën “Besa” të Sami Frashërit, por edhe shumë pjesë të tjera nga dramaturgjia botërore, ishte Muharrem Qena.

Kronologji e një jete të begatë

Vitet kronologjike të jetë – krijimtarisë së Muharrem Qenës, mund të radhiten këso forme: Më 1930 është i lindur në Mitrovicë, ku kreu shkollën fillore, kurse të mesmen në Prishtinë. Në vitin 1947 pranohet student në shkollën e lartë të filmit në Beograd. Në kohën zgjatore 1948-1955 ai është në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës, edhe si aktor edhe si regjisor. Ai kreu njëkohësisht edhe punën e dramaturgut, për shumicën e dramave të interpretuara, që ishte një intervenim i domosdoshëm për përshtatjen e teksteve të dramave të huaja për kërkesën tonë të mesazheve kombëtare.

Në vitet 1955 dhe 1956 ai kthehet regjisor në Teatrin e atëhershëm profesional Popullor të Mitrovicës, pra për dy sezona. Shfaqjet kulmojnë veçanërisht në rolet kryesore të dy aktorëve talentë të përhershëm: Muharrem Qenës dhe Melihate Ajetit – Qena. Pastaj, pasi mbyllet ky institucion, kthehet në Teatrin e Prishtinës, ku përgatiten edhe dramat: “Besa” e Sami Frashërit, pastaj “Nuk martohem me pare” e Murteza Pezës, “Mërgimtarët”, melodramë e maqedonasit Anton Parov, “Hani në rrugën kryesore” e Anton Çehovit, “Zhorzh d’Andoli” e Molierit, “Zonja me kamielje” e Aleksandër Dyma – Birit, e mjaft të tjera. Këto ishin në Prishtinë dhe në Mitrovicë. Ai nga viti 1972 deri 1973 punon në Prizren, për teatrin e atëhershëm profesionist. I përgatit nja dy vepra dramatike. Në detyrën e regjisorit punoi edhe në Teatrin e Gjakovës, ku realizoi “Fisheku në pajë” të dramaturgut shkodran Fadil Kraja, e cila edhe ishte realizim për përpunimin e këtij teatri si profesionist. Kishte punuar një kohë edhe në teatrin e Shkupit, si regjisor mysafir.

Vepra që mbeti antologjike dhe që fitoi të gjitha shpërblimet e një festivale, ishte “Erveheja”, e dramatizuar sipas veprës së bejtexhiut Muhamet Kyçykut – Çamit. Edhe pse në pllakatë shkruante se është dramatizuar nga Ahmet Qirezi, gjithsesi ishte intervenimi thelbësor i Muharrem Qenës, i cili me përvojën regjisoriale që kishte, i dinte mangësitë dhe domosdoshmëritë e tekstit në raste.

Në festivalin e teatrove profesioniste të ish-Jugosllavisë, në Novi Sad, në një konkurencë të fortë, të gjitha shpërblimet e mundshme i ishin dhënë kësaj shfaqjeje, edhe për regji, edhe për aktrim, edhe për muzikë, edhe për skenografi. Aktivitetin profesional e përmbylli në TV, atëherë të Pristhinës, si regjisor në redaksinë e dramës, ku përgatiti seriale për fëmijë, dramën “Miu në xhep” të Hivzi Sulejmanit dhe një sërë programesh kulturo-artistike, dokumentare e zbavitëse, kryesisht për programet festivale për vitin e ri.

Muharremi si aktor filmi

Prirja e tij aktoreske, manifestohet natyrshëm dhe tepër me talent jo vetëm në dërrasat e teatrit, por edhe në film. Roli i parë ishte ai i ballistit, në filmin “Kapiten Lleshi”, film në temë nga LNÇ-ja. Më pastaj, në filmat e autorëve të Kosovës, aktivizohet në “Proka” të Isa Qosjes. “Njeriu prej dheu”, “Lepuri me pesë këmbë” të Ismail Ymerit, e disa të tjerë. Edhe pse në role episodike në raste, ai në çdo rast jep shenjat e një aktori të përkushtuar, i cili zbulon talentin dhe përshtatjen natyrshëm me karakterin e personazheve të ndryshëm, natyrisht nga filmi në film. Futet thellë në botën e rolit, për të dhënë me bindshmëri karakterin e tij dhe ngjizjen reale në raport me personazhet e tjerë dhe rrjedhën e ngjarjes në tërësi.

Muzika, një dhunti tjetër natyrore

I binte kitarës që në rini, duke emituar melodi të adhuruara të kohës, nga muzika jonë si dhe ajo e huaja. Po ashtu, gjatë ekzekutimit, edhe nxirrte tinguj që ishin origjinalë, që, më vonë, pasi ua shtonte tekstin, bëhej këngë e lehtë fort e adhuruar nga dëgjuesit. Edhe zëri melodik dhe fort karakteristik, që vështirë të emetohej nga dikush tjetër, bëri që disa nga ato këngë të mbesin hite. Tashti, këto ditë, u bë përurimi i më se njëzet këngëve të tija në një CD, në nis e me “Kaçurrelen” edhe sot aktuale, pastaj me “Shokut”, “Pa ty”, “Lamtumirë, “Kënga e çobanit”, e mjaft të tjera. Ajo që dëshmon përkushtimin edhe këtu, madje, është interpretimi i disa këngëve edhe në dy a tri variante, si me “Kaçurrelja” apo “Lamtumirë”. Ishte edhe koautor në disa nga këto këngë, por kanë ngelur disa interpretime të tjera që nuk janë përfshirë në këtë botim CD-je.

Muharrem Qena dhe Katarina Josipi në një skenë drame

Muharrem Qena në vitin 1982, në Prishtinë, botoi dramën e vetme titulluar “Bashkëshortët”, e cila që nga titulli na fut në problemin me bashkëkohore dhe më aktual, atë të jetës bashkëshortore në shoqërinë shqiptare, paksa të vonuar. Muharremi, me përvojën e madhe të dramaturgut të veprave të përkthyera për teatër, mandej me përvojën e shumtë të inskenimeve të veprave të huaja dhe asosh origjinale, diti me saktësi se çka kërkon drama si zhanër, duke hedhë edhe talent prej artisti, në digresionet e rënjet e katarakteve emocionale në jetën e bashkëshortëve, për ta mbajtur lexuesin, përkatësisht shikuesin, në ankth deri në fund të përmylljes. Ai po ashtu kishte shkruar tekstin për operetën “Hoxha me tri fletë”, që në bashkëpunim me kompozitorin Rexho Mulliqi mendonin ta realizonin, por vdekja e atij e la përgjysëm projektin. Sido që të jetë, disa nga tekstet e këngëve të interpretuara nga ai dhe këto vepra të botuara, dëshmojnë edhe këtë kahje të dhuntisë krijuese.

Muharrem Qena duke e kënduar “Kaçurrelen” e famshme

Në përmbyllje

Ngase tani ai është në moshë të shtyrë dhe i pamundshëm për të krijuar në çfarëdo lëmie të dëshmuar artistike, mund të themi si rezyme, se Muharrem Qena, aktori, regjisori, këngëtari, dramaturgu, shkrimtari, dha këtë rezultat tashti shifror: Në 200 shfaqje ishte regjisor, në dhjetë drama aktor, luajti në pesë filma, interpretoi më se njëzet këngë të lehta dhe shkroi një dramë e një operetë.

Neve, gjeneratave të tanishme, na la mesazhin se dinte shumë nga sfera e artit, po jeta është e shkurtër për të shkuar deri në fund për të gjitha. Ajo që ishte kulminantja e forcës së tij, përgatiti për aktor dhjetra talentë, që u mungonte shkolla profesionale por kishin talentin. Kështu edhe erdhëm në ditët tona, të shkollave profesionale aktoreske, për teatër, film e regji. /KultPlus.com