Vorae Ngo Kosovo reagon ndaj skeçit humoristik të ‘Qumilit’, e konsiderojnë ofendim kundrejt komunitetit Rom

Publikimi i skeçit humoristik “Azeminja Pastrimi i Mbeturinave”, nga ana e humoristit Sevdai Radogoshi i njohur me emrin e tij skenik Qumili, ka ngjallur pakënaqësi tek organizata Vorae Ngo Kosovo, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Vorae Ngo Kosovo përmbajtjen e këtij skeçi humoristik e ka konsideruar ofendim kundrejt komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Sipas tyre, Kosova do të ishim një vend shumë më i mirë nëse humoristët dhe aktorët tonë do të shfrytëzonin dhuntinë e tyre duke krijuar vepra që përmes humorit të tyre edukojnë, bëjnë për të qeshur dhe legjitimojnë probleme të mëdha të shoqërisë siç është edhe diskriminimi e në rastin konkret antigjipsizmi.

Krejt për fund, kjo organizatë kërkon dënimin e këtij veprimi që sipas tyre nxitë dhe përforcon paragjykimet e gabuara ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe promovon gjuhen e urrejtjes ndaj këtyre komuniteteve.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tyre të plotë:

Reagim Publik Në botën e qytetëruar, humori është një armë e fuqishme kulturore dhe politike e cila shfrytëzohet për të ndikuar për një jetë më të mirë të njerëzve, ose për të sjellë një këndvështrim më praktik, më të goditur e më të saktë të fenomeneve sociale. Askund në botë nuk bëhet humor me pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në një formë diskriminuese sepse kjo do të ndikonte në përforcimin e paragjykimeve/stereotipeve të gabuara për këto tri komunitete dhe nuk përcjellë asnjë mesazh tolerance, përkundrazi, në formën e vet përdorimi i stereotipeve në emisione me audiencë kombëtare luan rolin e kundërt: frymëzon sjelljet mohuese, nxitë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminuese ndaj grupimeve të vecanta. Një rast i ngjajshëm në vendin tonë ka ndodhur në skeçin humoristik Qumili – Azeminja “Pastrimi i Mbeturinave” (2020) ku në mënyrë direkte ofendohen komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Përderisa në këtë skeç humoristik qëndrimi në mbeturina pasqyrohet si kënaqësi dhe privilegj, nënçmon pjesëtarët e këtyre tri komuniteteve haptazi dhe krijon perceptim të gabueshëm tek qytetarët e vendit për mënyrën e jetesës së komuniteteve në vendin tonë. Asnjë njeri me logjikë të shëndoshë nuk do të dëshironte për vetën dhe fëmijët e tij të ketë një jetë pranë mbeturinave duke pas parasysh sëmundjet shëndetësore që mund të barten prej kësaj mënyre të të jetuarit. Do të ishim një vend shumë më i mirë nëse humoristët dhe aktorët tonë do të shfrytëzonin dhuntinë e tyre duke krijuar vepra që përmes humorit të tyre edukojnë, bëjnë për të qeshur dhe legjitimojnë probleme të mëdha të shoqërisë siç është edhe diskriminimi e në rastin konkret antigjipsizmi. Ne si organizatë e shoqërisë civile e dënojmë këtë veprim i cili nxitë dhe përforcon paragjykimet e gabuara ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe promovon gjuhen e urrejtjes ndaj këtyre komuniteteve. Andaj kërkojmë që video me përmbajtje të tilla të largohen nga transmetimi dhe të ndalohet prodhimi i tyre. Gjithashtu kërkojmë që z.Radogoshi të kërkojë falje publike ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për gjuhën denigruese dhe paraqitjen e mënyrës së jetesës së tyre në formë diskriminuese./ KultPlus.com