Artistja nga Bosnja kritikon ndërkombëtarët që nuk e ndaluan luftën (FOTO)

Ratko Mladic dje u dënua me burgim të përjetshëm, pasi u gjet fajtor për gjenocidin në Bosnjë për masakrën e Srebrenicës.

Kasapi i Ballkanit do të jetojë pjesën e mbetur të ditëve të tij prapa grilave.

Smirna Kulenović, e lindur në Bosnjë pikërisht në kohën e luftës, është artiste e cila dëshiron që bota gjithandej ta kuptojë të vërtetën për gjenocidin dhe luftën, edhe pse Mladic është dënuar. Drejtësia, sipas saj, nuk përfundon këtu.

Kulenović është fotografuar para ndërtesës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Sarajevë.
Puna artistike quhet Bosnian Girl 2, ndërsa është reagim direkt ndaj vendimit për Ratko Mladic. Bosnian Girl në origjinal është punë artistike e krijuar në vitin 2003 nga artistja Shejla Kameriq, shkruan KultPlus.

“Duhet të solidarizohemi me të gjitha viktimat e Bosnjës që nuk morën kurrë mbështetjen ndërkombëtare, e cila do ta ndalonte krimin dhe vrasjen e të pafajshmëve” shkruan artistja.

Artistja ka kërkuar që fotografia të shpërndahet sa më shumë, pasi edhe bota duhet ta kuptojë që komuniteti ndërkombëtar nuk e ndaloi Mladicin dhe të tjerët gjeneralë nga Serbia ta kryenin krimin e madh në Bosnjë.

Mladic dje u dënua në Hagë me burgim të përjetshëm. Mladic është 74 vjeçar, ndërsa The Guardian dje ka shkruar se gjatë pushimit që ndodhi në gjykimin e tij, Mladic ka ofenduar rëndë njerëzit që i gjendeshin afër në këtë ditë të gjykimit. / KultPlus.com