Festivali ‘Sofra Dardane’ mbledh 1 mijë artistë nga trevat shqiptare në Bajram Curri

Trevat shqiptare janë bërë bashkë në qytetin e Bajram Currit për edicionin e 18-të të festivalit “Sofra Dardane”.

Festivali “Sofra Dardane” ka zbritur në bjeshkët e Tropojës për të sfiduar me kostumografinë, folklorin, kulturën, traditën, këngën, vallen dhe më të bukurën e trojeve shqiptare, kulturën.

Një sfilatë tradite, që dukej sikur hapi sëndukun e shekujve për të nxjerrë në pah vlerat më të mira, ngjyrat mahnitëse gjithë dritë dhe kontrast të kostumeve popullore, nga jeleku me ornamente, xhamadani i llojit unik në Ballkan, shamitë e stiluara me të gjitha ngjyrat, zbriti në qytetin e Bajram Currit, prej tre ditësh dhe me konkurrimin me përfaqësuesit e të gjitha trevave shqiptare, në festivalin “Sofra Dardane”, organizuar nga Unioni Artistik mbarëkombëtar shqiptar.

Ky aktivitet mbështetet nga bashkia Tropojë, Këshilli i Qarkut Kukës dhe sponsorë të tjerë të ndryshëm.

Shfaqjet u zhvilluan në “amfiteatrin” e stadiumit të lojërave me dorë  të qytetit. Në këtë aktivitet morën pjesë duke shpalosur krijimtaritë e tyre artistike me këngë e valle popullore, rreth 1000 artistë e artiste nga mbarë trevat shqiptare.

Në natën e dytë të “Sofrës Dardane” përshëndeti prefekti i qarkut Kukës Zenel Kuçana, i cili falënderoi organizatorët që mundësuan realizimin e edicionit të 18-të të këtij festivali, si dhe vlerësoi qëllimin e këtij festivali duke e  konsideruar si një mundësi për ruajtjen dhe transmetimin e vlerave artistike, kulturore, folklorike, etnografike, të të gjitha trevave mbarëkombëtare shqiptare.

Për tre netë me radhë, qyteti i Bajram Currit u kthye në qendrën e kulturës kombëtare shqiptare.

Edicioni i 18-të i këtij festivali përfundoi sot si një nga organizimet më të mëdha të Unionit Artistik mbarëkombëtar. /atsh/KultPlus.com

Sofra Dardane bashkon trojet, mbi 1000 artistë dhurojnë spektakël

Ka përfunduar festivali Sofra Dardane, edicioni i 17-të në Tropojë, i cili ndezi atmosferën për 3 net me radhë në stadiumin e qytetit. Në Festivalin e organizuar nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” në stadiumin e lojërave me dorë në qytetin e Bajram Currit, rreth 60 grupe artistike shpalosën vlerat kulturore të zonave që ata përfaqësojnë.

Mbi 1000 artistë nga të gjitha trojet etnike të kombit shqiptar u ngjitën në skenë me datë 10-11-12 qershor dhe festivali u përcoll për orë të tëra nga mijëra qytetarë.

Këngët, vallet dhe meloditë orkestrale që u interpretuan sollën folklorin e të gjitha trevave shqiptare.

“Ky edicion përkoi me 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe ka pasur vetëm mbështetjen e Bashkisë së Tropojës pasi është përjashtuar politikisht nga projekti shtetëror nga Ministria e Kulturës”, shprehet kreu i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, njëherazi producent i këtij festivali Azgan Haklaj.

“Një surprizë gjatë festivalit ka qenë edhe momenti kur i është uruar ditëlindja, 45-vjetori Kryetarit të PD së Shqipërisë z. Lulzim Basha i cili është kujdesur për festivalin”, thotë më tej Haklaj.

Sofra Dardane prej 17 vitesh ka bashkuar trojet shqiptare në amfiteatrin sportiv të qytetit të Bajram Currit. Në natën e tretë të festivalit të Sofrës Dardane u ndanë disa çmime. Çmimi i parë iu dha ansamblit Folk Alba Tiranë, i dyti nga ansamblet Krahu i Shqipes Vlorë dhe Ansambli i Elbasanit i ndjekur nga Ansambli i Prishtinës dhe Ansambli Romaja.