Stadiumi i ri ‘Selman Stërmasi’, shpallet fituese projektideja e studios arkitekturore “OMA”

Studioja arkitekturore “OMA” është shpallur fituese e garës ndërkombëtare për projektidenë arkitekturore për rilindjen e stadiumit “Selman Stërmasi”.

Kryetarja e jurisë ndërkombëtare, Amanda Levete, shpalli kompaninë fituese të kësaj gare ndërkombëtare, ndërsa në fazën finale morën pjesë pesë skuadra finaliste që prezantuan para jurisë konceptet arkitektonike për një stadium krejtësisht të ri, sipas standardeve të UEFA-s, kategoria IV, i cili do ta kthejë atë zonë në një qendër të re të Tiranës.

“Përgëzoj qytetin e Tiranës sepse kultura e garave të arkitekturës në Shqipëri tashmë është bërë e rëndësishme. Nuk e di sa me fat jeni që e gjithë kjo kulturë dhe dëshirë për arkitekturën mbështetet nga qeveria dhe gjithë qyteti”, tha ajo.

“Qasjet e ndryshme që ju keni na kanë bërë që të kemi shumë pyetje dhe pikëpyetje në mënyrën se si mund të integrohet në mënyrë të suksesshme një stadium në të gjithë pjesë e qytetit”, tha Levete, ndërsa shtoi edhe disa sugjerime mbi projektin që pritet të realizohet nga studio arkitekturore “Oma”.

“Juria ka disa rekomandime që do donte t’i shihte të zbatuara në projektin e realizuar për të rafinuar formën e fasadave qoftë për interesat tregtare, por edhe ato të stadiumit”, vuri në dukje ajo duke sugjeruar që një nga ndërtesat në vendndodhje të jetë më pak ndërtesë, e më shumë në formën e një kulle sahati apo një obelisku. “Ishim jo fort të bindur për aktivitetin publik në tarracë dhe sugjerojmë që përdorimi i këtyre hapësirave të bëhet edhe me energji diellore”, pohoi Levete.

Nga ana e saj, drejtuesja e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona u shpreh se “skuadrat konkurruese në këtë garë na bënë të ëndërrojmë dhe reflektojmë mbi Tiranën tonë”.

“Ky konkurs ka një funksion të dyfishtë, rendit koncept idetë arkitekturore më të mira si hap të parë dhe si hap të dytë për tre skuadrat e renditura të para nga juria ndërkombëtare hapet zarfi që përmban ofertën financiare”, tha ajo.

“Kjo ofertë përmban përqindjen e zhvillimit, që secili konkurrent i ofron shtetit apo korporatës, përqindje e cila nuk duhet të jetë më pak se 47% e sipërfaqes së zhvilluar mbi tokën shtet. Pasi të hapen dhe renditen ofertat financiare të tre më të mirëve, ftohet skuadra e përzgjedhur e para nga juria ndërkombëtare e arkitekturës për të bazuar ofertën e saj me ofertën më të lartë të ofruar për korporatën nëse kjo është e nevojshme”, pohoi Kokona. /atsh/ KultPlus.com

Dy projekte të mëdha pritet të nisin në Ferizaj, pallati i kulturës dhe stadiumi i ri

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, ka vizituar sot Komunën e Ferizajt, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu, me të cilin kanë diskutuar për projektet që janë në interes të përbashkët në fushën e kulturës, trashëgimisë, sportit e rinisë.

Bëhet fjalë për projekte që do të përmbushin kërkesat e qytetarëve të kësaj komune nga fusha e trashëgimisë ku u diskutua për futjen e festivalit të këngës “Kosovarja këndon” në kuadër të trashëgimisë shpirtërore, ndërkaq në 50 vjetorin e teatrit të Ferizajt që po shënohet sivjet, ministrja ka thënë se objekti i teatrit do të restaurohet me përkrahje të ministrisë.

Edhe në kuadër të përkrahjes së drejtpërdrejtë organizata që veprojnë dhe merren me kulturë në Ferizaj, çdo vit përfitojnë nga thirrja që bën MKRS-ja për përkrahje të projekteve kulturore. Këtë vit i kemi mbështetur 12 organizata të komunës së Ferizajt, u shpreh mes tjerash ministrja.

Edhe në kuadër të sportit sqaroi ministrja, MKRS-ja është prezent me investime kapitale, siç është projekti i palestrës sportive në Greme të Ferizajt, kompleksin e fushave të tenisit, pishinën gjysmë-olimpike, por projekti më i rëndësishëm të cilin e paralajmëroi ministrja është ndërtimi i stadiumit të ri të Ferizajt.

“Bashkë me kryetarin Aliu u pajtuam që të nisim procedurat për projektin e ndërtimin të një stadiumi të ri të Ferizajt. E dimë që është stadiumi i vjetër është në Ferizaj dhe ne do të mundohemi që të punojmë edhe aty ashtu që t’u japim mundësi sportistëve dhe komunitetit që të zhvillojë gara. Por është vlerësim dhe kërkesë e Ferizajt që të ndërtohet stadiumi i ri me standarde ndërkombëtare”, shpjegoi ministrja.

Nga ana e tij, kryetari Aliu e falënderoi ministren dhe MKRS-në për përkrahjen e projekteve që realizohen në Ferizaj.

“Ferizaji ka një jetë të pasur me aktivitete kulturore dhe sigurisht që nuk do të ishte kështu nëse do të mungonte përkrahja e MKRS-së ngase këto nuk do të ishin të mundura pa pasur mbështetjen e ministrisë”, ka theksuar kryetari Aliu.

Ai tregoi se mes tjerash me ministren Dumoshi kanë biseduar që shumë shpejtë të vënë gurthemelin edhe të pallatit të ri të kulturës, i cili sipas kryetarit Aliu, pritet të jetë objekti i parë i atij lloji në Kosovë.

Mst. Projekti i muraleve, atraksion që është përkrahur nga MKRS-ja

Në vizitën e sotme në Ferizaj, ministrja Dumoshi dhe stafi i MKRS-së, bashkë me kryetarin Aliu kanë parë për së afërmi Festivalin e Muraleve, i cili ka për qëllim promovimin e artit vizual të jetës kulturore në Ferizaj.

“Në Ferizaj po qëndrojnë 15 artistë duke filluar nga SHBA, të Barcelonës dhe nga shumë vende tjera, të cilët përveç vizatimeve ose pikturave të cilët ata i bëjnë, ata mishërohen edhe me traditën tonë”, tha ministrja, duke e konsideruar këtë lloj bashkëpunimi dhe shkëmbimi të artistëve edhe si një lloj diplomacie kulturore, sepse këta artistë kur të kthehen në vendet e tyre, do të tregojnë për përvojën të cilën kanë kaluar në vendin tonë.

Edhe kryetari Aliu tha se Festivali i Muraleve i ka dhënë një impuls më të madh jetës kulturore në Ferizaj dhe ky festival ka kaluar përtej kufijve të Kosovës duke pasur një rëndësi edhe më të madhe sa që kishte vite më parë dhe për këtë falënderoi edhe ministren për përkrahjen e këtij festivali. / KultPlus.com