“Malet e zeza” famëkeqe të Zambisë, grumbuj të mëdhenj mbetjesh minerare që shëmtojnë horizontin e rajonit Copperbelt, janë jashtëzakonisht personale për Stary Mwaba, një nga artistët pamorë më të njohur të vendit.
“Kur ishim fëmijë, e quanim ‘mu danger’, që do të thotë ‘në rrezik’,” thotë Mwaba.
“‘Mali i zi’ ishte ai vend ku nuk duhej të shkoje,” thotë piktori, i cili ka lindur dhe jetuar në Copperbelt deri në moshën 18-vjeçare.
“Por ne gjithsesi futeshim fshehurazi, për të mbledhur fruta të egra që, për çudi, arrinin të rriteshin atje,” kujton artisti.
Sot, të rinjtë që shkojnë drejt “mu danger” janë në kërkim të copëzave të xeheve të bakrit mes mbetjeve të gurta të këtyre grumbujve të lartë, trashëgimi toksike e një shekulli prodhimi industrial minerar në Zambi, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të bakrit dhe kobaltit.
Ata hapin tunele të thella dhe dredha-dredha dhe nxjerrin gurë për t’i shitur kryesisht blerësve kinezë, të cilët më pas nxjerrin bakrin.
Është një punë e vështirë, e rrezikshme, shpesh e paligjshme dhe ndonjëherë fatale. Por mund të jetë edhe fitimprurëse dhe në një rajon ku papunësia tek të rinjtë është rreth 45%, për disa të rinj është mënyra e vetme për të mbijetuar.
Vepra më e fundit e Mwabas e ekspozuar këtë muaj në Muzeun Kombëtar të Lusakës rrëfen historinë e të rinjve që punojnë në malin e zi në qytetin Kitwe dhe kap ritmet e jetës mes banorëve të lagjes Wusakile.
Ata punojnë për drejtues bandash të njohur si “jerabos”, një formë e deformuar e fjalës “jail boys”, që nënkupton perceptimin e tyre si kriminelë.
Artisti ka pikturuar një seri portretesh të mëdha, duke përdorur gazeta të vjetra si kanavacë. Ai pret artikuj që i tërheqin vëmendjen, të cilat i quan “rrëfime të mëdha”, dhe i ngjit në një letër bazë.
Ai përdor një hekur saldimi për të djegur disa nga fjalët dhe për të krijuar një seri vrimash në rrëfimet. Pastaj derdh bojë për të krijuar portretet, apo siç i quan ai, “rrëfime të vogla”.
“I marr këto rrëfime të mëdha, dhe krijoj vrima në mënyrë që të mos mund t’i kuptosh më. Pastaj i imponoj imazhet e njerëzve që njoh mbi to, për të treguar që rrëfimet e vogla, rrëfimet e njerëzve të zakonshëm kanë gjithashtu rëndësi,” shpjegon Mwaba. “Ata kanë histori që janë të rëndësishme dhe që janë pjesë e historisë më të madhe.”/BBC/KultPlus.com
