Lady Gaga po arrin suksese të kënaqshme me këngën “Stupid Love”

Kënga e fundit e Lady Gagas, “Stupid Love” ia ka fituar këngëtares një tjetër debutim të suksesshëm në top dhjetëshen e toplistave muzikore, afërsisht nënte vjet pas mega hitit të saj “The Edge of Glory”.

Kënga ritmike e pop yllit Gaga menjëherë pas lansimit, u pozicionua në vendin e pestë të toplistave muzikore në Britani të Madhe, duke u bërë kënga e trembëdhjetë me radhë e këngëtares që e shënon një sukses të tillë, transmeton Koha.

Po ashtu, “Stupid Love” ka arritur të pozicionohet në vendin e pestë edhe në toplistën “Billboard” të 100 këngëve më të mira në Amerikë, ku Lady Gaga i numëron gjithsej 16 hite të cilat e kanë gëzuar këtë sukses.

I xhiruar me iPhone, videoklipi i ri i këngëtares së talentuar i lansuar më 28 shkurt, e sjell atë me shumë energji duke kënduar e vallëzuar në shkretëtirë, por në një ambient ku dukshëm dominon ngjyra rozë.

“Stupid Love” që është pjesë e albumit të gjashtë të Gagas, “Chromatica”, gjithashtu ka arritur të pozicionohet në vendin e parë të toplistës globale të platformës “iTunes”.

Albumi i ri i këngëtares planifikohet të lansohet për publikun e gjerë, më 10 prill. /KultPlus.com