‘Sytë e zinj të Borës’, promovohet libri më i ri i autorit Ballsor Hoxha që trajton temën e shëndetit mendor përmes letërsisë

Mbrëmë, në ambientet e Librarisë Dukagjini është promovuar libri “Sytë e zinj të Borës” nga autori Ballsor Hoxha, shkruan KultPlus.

Në një panel diskutimi mbi librin, të pranishmit patën mundësi t’i dëgjojnë analizat e Edona Llukaçajt, Bardh Rugovës dhe Agron Gashit për librin më të ri të Ballsor Hoxhës, i cili në thelb trajton qështjen e shëndetit mendor, specifikisht temën mbi të menduarit ciklik. Në libër disikutohen edhe abuzimi me heroinën, disocizmi e shqetësime të tjera psikike që e kaplojnë njeriun.

Panelistja Edona Llukaçaj përmes një analize të dërguar për librin e  Ballsor Hoxhës ka thënë se ai dukshëm ndjek me fanatizëm atë që Kadare e përkufizonte si “të shkruash letërsi normale në një vend anormal”.

“Po ashtu edhe Ballsori përpiqet të shkruajë letërsi bashkëkohore, në përputhje e dinamikat dhe trojeve shqipfolëse, në gjuhën e një populli që- qoftë këtej a andej kufirit- viktimizimin e ka të shenjur në gjene. Kjo bashkërenditje letrare është ndoshta elementi më i rëndësishëm që përshkon librat e tij, të cilët po bëhen gjithnjë e më të guximshëm. Veçanërisht, po sjellin në vëmendje ato tema tabu që, haptazi, shoqëritë në zhvillim, sidomos e jona, kanë tendencën t’i fshehin”, ka thënë Llukaçaj.

Panelistja po ashtu ka thënë se tronditja e lexuesit është një prej taktikave të autorit për të rrëmbyer vëmendje dhe për të shpënë lexuesin thellë brenda ngjarjes.

“Më lejoni të përgëzoj edhe një herë Ballsorin për artin e tij multidimensional, letërsinë e tij të guximshme në fjalëë dhe ide, për faktin se na bezdis status quo-në, për faktin se ndërton ura stilistike me perëndimin duke çmuar traditën, dhe mbi të gjitha, për vërtetësinë këmbëngulëse deri në tronditje”, ka thënë ajo.

Kurse, panelisti Bardh Rugova ka thënë se koherenca tekstore e narracionit të Ballsor Hoxhës është ajo e të menduarit ciklik.

“Prosedeu i Ballsor Hoxhës është ky: të menduarit ciklik. Ai i rikthen motivet, në dukje të parë si përsëritje për të mbajtur mend më mirë atë motiv, siç do të bënin artistët e artit gojor. Ai është një mekanizëm për të gjëlluar  mbi mendimet e errëta në qoshet e mendjes së tij. Edhe kur përballe me elementet e opsesiv-kompulsivitetit, edhe kur ka nevojë të bëjë arrëdhënie me Razën me ndikimin dhe paradoksin e ksanaksëve” ka thënë Rugova.

Tutje, panelisti Rugova të menduarit ciklik të autorit Hoxha e ka cilësuar prosede letrar, i cili sipas tij vlen pikërisht se është i tillë.

“Te tregimi “Sytë e zinj të Borës”, mbushur me një cikël poezish si nus -produkt, vet Ballsor Hoxha flet edhe për thyerjen/krisjen ai mendon për disruption të Dweridasë, i cili e përdor këtë term, edhe Ballsor Hoxha e njeh mirë, si thyerje, krisje çarje të strukturave tradicionale të të hartuarit”, ka thënë Rugova.

Ndërsa, panelisti Agron Gashi ka thënë autori në librin “Sytë e zinj të Borës” ka aplikuar strategji të ndryshme të shkrimit të cilat janë strukturuar jashtëzakonisht mirë.

“Tregimet bardhezi dhe novelat “Sytë e zinj të Borës” së pari sinjifikojnë me këndvështrimin e jetës dhe dramave jetësore,së dyti me personazhin që evidenton njëherësh fenomenin letrat, borës, si simbol i pastërtisë e simbolikë e zbulimit dhe rrëfimeve të sinqerta , mbi të gjitha protagonistes, e cila reprezanton dashurinë ankthin  dhe frikën që narratori- autori e shfrytëzon si trampolinë për t’i sheshuar provat estetike dhe përvojat erotike”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit libri “Sytë e zinj të Borës” në të ardhmen do të mund të hap debate publike, mbi tema jo shumë të trajtuara deri më sot, si ajo e sëmundjeve mendore.

“Përfundimisht, Ballsor Hoxha si prej kohësh, edhe në këtë përmbledhje me novela është duke eksploruar të hapë debate të ndjeshme për shoqërinë tonë, për atë që quhet e papranueshme dhe e fajshme e që është sëmundja mendore. Këtë po e bën panda përmes luftës së gjuhës dhe gjuhës së letërsisë”, ka thënë ai.

Kurse, autori Ballsor Hoxha ka thënë se ky libër vjen si rebelim, zemërim e luftë me stigmën dhe stigmatizimet në shoqëri.

“Jam matur me vite të tregoj për dramën dhe aq më shumë për fajin në tërë papranueshmërinë, duke pas jetuar si i papranueshëm. Jam matur me vite si ta tregoj, posaçërisht si të mos lëndoj të dashurit e mi, duke e treguar po të njëjtën, gjithnjë publikisht, dhe, zgjidhja më ka ardhur, është ndërtuar e krijuar, duke rrëfyer, në letërsi. Duke luajtur lojën e ndërmjetësisë në mes të reales dhe të letrares. Dhe gjithmonë, me ëndrrën se po të njëjtat rrëfime arrijnë edhe te ndonjë person tjetër, ndihmojnë edhe një tjetër, dhe me shpresën në këtë ëndërr që kujtdo mund t’i shërbejë si udhëzim, për të jetuar, për të vazhduar, tutje”, ka thënë autori.

Tutje, autori Hoxha ka thënë se ai tanimë ka shpresë në horizontin e letërsisë shqipe dhe jovetëm, sa i përketë trajtimit të temave të tilla, të cilat mund ta nxjerrin njeriun nga ‘humnerat’ e mendjes së tij.

“Jam edhe, i vetëdijshëm, për këtë guxim, këtu dhe tash. Por, mua, letërsia, sidomos ajo e Kadaresë e mjeshtërve si ai, në kohët më të rënda të këtyre vështirësive të mia, përmes forcës që gjeja në përvojën e të tjerëve rrëfyer në letërsi, si një litar më pat ofruar daljen prej humnerave ku qarkoja, prej subterreneve, undergroundeve, e të nëntokës ku fshihesha në kërkim të, qoftë një grimë strehe nga tmerret e përjetuara”, ka thënë autori Hoxha./ KultPlus.com