Gjirokastër, nis puna për rikonstruksionin e teatrit “Zihni Sako”

Në qytetin e Gjirokastrës ka nisur puna për restaurimin e teatrit “Zihni Sako”, i cili do të kthehet në një hapësirë tejet të rëndësishme për jetën kulturore e artistike të qytetit të gurtë.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, shprehu kënaqësinë që më në fund nisën punimet për restaurimin e teatrit “Zihni Sako”, të cilin e cilësoi “hapësire kaq shumë të rëndësishme për jetën kulturore e artistike të Gjirokastrës”.

“Për vite me radhë në këtë teatër nuk është bërë asnjë rregullim thelbësor, por thjesht arnime aty-këtu sa për të thënë se diçka po bëhej edhe për trupën e aktorëve, të cilët i kanë dhuruar Gjirokastrës shfaqje dhe emocione për vite me radhë, por për fat të keq kurrë nuk kanë pasur ambiente pune dinjitoze”, – nënvizoi Golemi, duke shtuar se as spektatorët që shkonin në teatër nuk kishin kushte komoditeti.

Kryebashkiaku Golemi shprehet se me ndërhyrjen që po bëjmë falë ndihmës së çmueshme të miqve tanë italianë, përmes programit IADSA dhe një pjesë të buxhetit nga vetë të ardhurat e bashkisë, nëse gjithçka shkon sipas planit, është i bindur në pranverë ky investim i shumëpritur do të përfundojë.

Teatri “Zihni Sako” u themelua në 27 nëntor 1968 nën udhëheqjen e regjisorit Bernard Kokalari, i cili vuri për herë të parë në skenën premierën dramatike “Shokët”. Plejada e aktorëve të teatrit “Zihni Sako”, kanë dhënë mbi 100 premiera dhe ka marrë pjesë në takimet kombëtare, ku ka merituar edhe çmime.’/atsh/KultPlus.com