Ndërron jetë në moshën 75-vjeçare Terry Reid, legjenda e muzikës britanike

Muzikanti britanik Terry Reid, i njohur për zërin e tij të fuqishëm dhe shpirtëror, i cili mori nofkën “Supermushkëritë”, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, konfirmuan përfaqësuesit e tij në Britani. Karriera e tij ishte e lidhur ngushtë me ato të grupeve legjendare si “The Rolling Stones” dhe Jimmy Page.

Në muajt e fundit të jetës së tij, Reid po merrte trajtim për kancer. Edhe pse asnjë këngë e tij nuk arriti të renditet në tabelat britanike, albumet e tij si “River” (1973) morën vlerësime të larta nga kritikët.

Reid kishte një vetëbesim të jashtëzakonshëm, duke refuzuar kërkesat nga grupe si “Led Zeppelin” dhe “Deep Purple” për t’u bërë vokalist i tyre. Përkundrazi, ai i kishte përkushtuar veten karrierës së tij solo, dhe kishte patur një lidhje të ngushtë me Jimmy Hendrix. Në moshën 16 vjeçare, ai ishte mbështetje për “The Rolling Stones”, Ike dhe Tina Turner, dhe “The Yardbirds”, dhe më vonë kishte nisur një karrierë solo që e çoi në SHBA si mbështetës i Stones.

Në vitin 1968, Aretha Franklin e kishte cilësuar Terry Reid si një nga tre gjërat më të rëndësishme në muzikën britanike, duke e krahasuar me emra si “The Beatles” dhe “The Rolling Stones”. Ndërkohë, kitaristi i “Yardbirds”, Jimmy Page, kishte ofruar që Reid të bashkohej me bendin e tij të ri, “Led Zeppelin”, por ai e kishte refuzuar, për t’i dhënë përparësi turneut me “The Rolling Stones”. Pas kësaj, Page formoi grupin legjendar me Robert Plant, John Bonham, dhe Jimmy Page. Ai gjithashtu kishte refuzuar të bëhej vokalist i “Deep Purple”, duke theksuar se ndihej i nderuar, por vendosi të ndiqte rrugën e tij.

Albumi debutues i Reid, “Bang Bang, You’re Terry Reid”, përmbante këngën “Without Expression”, e cila kishte tërhequr vëmendjen e grupeve të njohura si John Mellencamp, REO Speedwagon dhe Crosby, Stills, Nash & Young. Gjatë karrierës së tij, Reid ishte mbështetje për grupe të mëdha si “Cream”, “Fleetwood Mac”, dhe “Jethro Tull”, por albumet e tij nuk arritën të kishin sukses komercial. Pas një periudhe të pasigurisë, ai u rikthye në studio për të regjistruar albumin “River” në vitin 1973 dhe kaloi një kohë në Kaliforni.

Në vitet ‘80, Reid pati një pauzë nga karriera si solo artist dhe filloi të punonte me emra të njohur si Bonnie Raitt, Don Henley dhe Jackson Browne. Në vitin 1991, ai publikoi albumin “The Driver”, i prodhuar nga Trevor Horn, por ai nuk pati sukses as komercial dhe as artistik. Megjithatë, Reid mbeti një ikonë për koleksionistët e muzikës së vjetër, dhe këngët e tij u përqafuan nga grupe si DJ Shadow dhe Alabama 3.

Në vitet e mëvonshme, Reid ishte ftuar për paraqitje si mysafir nga emra të njohur si “The Raconteurs”, Marianne Faithfull dhe Chris Cornell. Ai gjithashtu kishte pasur një bashkëpunim me Dr. Dre, i cili ishte mahnitur nga albumi i tij “Seed of Memory”.

Pavarësisht sfidave të mëdha që përjetoi për shkak të sëmundjes, Reid e vazhdoi karrierën e tij dhe kishte ende një ndikim të madh në muzikë. Megjithatë, disa data turneu u anuluan për shkak të trajtimeve mjekësore, dhe një fond publik u ngrit për të mbështetur shpenzimet e tij. Ajo që mbeti e padiskutueshme ishte fakti se “shpirti i Terryt mbetet i fortë”, dhe ai u përkujtua nga shumë muzikantë, përfshirë Joe Bonamassa, i cili e quajti atë “një prej më të mirëve të tij, një person dhe një shpirt i bukur”./theguardian/KultPlus.com