“Green Fest” këtë edicion vjen me temën “Tfillo”, si thirrje për kryerjen e detyrave me përgjegjshmëri

Tfillo! Kjo shprehje popullore që na ka shoqëruar që nga fëmijëria, mëton të nxisë individin për të vepruar kundrejt parregullsive në të mirë të tij, mjedisit dhe shoqërisë.

Të tfillosh në kulturën tonë ka kuptime nga më të ndryshmet, por festivali “Green Fest” në bashkëpunim me komunitetin do përqendrohet në trajtimin e tfillimit në kontekstin e sjelljes së njeriut në mjedisin që na rrethon, për trajtimin e çështjeve shoqërore e mjedisore në nivelin lokal e nacional, si dhe si thirrje për kryerjen e detyrave me përgjegjshmëri.

“Green Fest” është festival multidiciplinar që ofron një laryshmëri aktivitetesh duke fuqizuar artin dhe kulturën si medium më tërheqës që do çonte më shpejt drejt ndërgjegjësimit të shoqërisë mbi çështjet mjedisore, ndryshimet klimatike si dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Andaj, ky edicion i “Green Fest” përmes aktiviteteve përcjellëse që do të organizohet në Mitrovicë, do të inkurajojë institucionet dhe qytetarët që të tfillojnë punët e tyre përtej barrierave, përtej vetvetes e familjes, në dobi të shoqërisë e njerëzimit, duke u siguruar qëndrueshmëri gjeneratave të ardhshme.

Tema e edicionit të sivjetmë të ”Green Fest” është motivuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, “Prodhim dhe Konsumim i Përgjegjshëm (SDG12), që njëherit vije si praktikë e vazhdueshme e në sinkronizim me numrin  12-të të edicionit, të festivalit.

Festivali do të organizohet përgjatë 17-23 korrik 2022 në qytetin e Mitrovicës, ndërsa programi më i detajuar do të ndahet së shpejti për publikun e gjerë. / KultPlus.com