“Takohemi në Vlorë”, një qendër e re kulturore për artdashësit

Hapet në Vlorë qendra kulturore “Resonancë” me promotor dirigjentin Thanas Çaçi. Streha e re do të mbledhë artdashësit vlonjatë me projekte e ide artistike. Mbahet mbrëmje koncertale në teatrin “Petro Marko”

Theodhori Proko

“Takohemi në Vlorë” është një ftesë e sinqertë kulturore, për të gjithë artdashësit, nga një grup artistësh, të cilët kudo ku jetojnë dhe punojnë, qytetin e lindjes, Vlorën, e kanë dashurinë e parë të zemrës së tyre. Dhe siç thuhet në refrenin e një kënge të njohur “Dashuria e parë nuk harrohet…!”. Për t’i kthyer qytetit, që tani duket sikur ka rënë në “qetësinë e një përgjumjeje” kulturore, gjallërinë e mëparshme, për të ruajtur e zhvilluar më tej trashëgiminë e pasur, që nuk mungon, ashtu si djemtë e Vlorës së dikurshme, në kushte të vështira të një kohe të vështirë, krijuan klubin “Labëria”, edhe këta artistë me shpirt patriotik, krahas angazhimeve të tyre profesionale, vendosën të krijojnë qendrën kulturore “Resonancë”. Kjo qendër e një lloji të veçantë, do të përfaqësojë një tendencë të parisë artistike vlonjate, e cila ka për objekt të veprimtarisë së saj, realizimin e projekteve artistike, letrare, shkencore e argëtuese në interes të publikut, duke “resonuar” kulturën e kësaj treve edhe jashtë kufijve të saj gjeografik.

Realizmi

Ideatori dhe promotori i realizimit të saj, është dirigjenti Thanas Çaçi, një personalitet muzikor i njohur jo vetëm në Vlorë dhe skenat e vendit tonë, por edhe në ato të vendeve të tjera, pinjoll i një familjeje të njohur me tradita muzikore që gëzon respektin e artdashësve vlonjatë. Genin muzikor e trashëgoi nga i ati, Thomai, pjesëtar i orkestrës frymore të qytetit dhe themelues e drejtues i shkollës së parë të muzikës në Vlorë në vitet 1959-1960, në bankat e së cilës mori mësimet e para të solfezhit e pianos edhe vet Thanasi. Prej asaj kohe shumë gjëra kanë ndryshuar në formimin dhe realizimin e tij profesional, por ajo që ka mbetur e pandryshuar brenda vetes është pasioni për muzikën dhe dëshira e përkushtimi për ta përhapur atë, për ta lëvruar e zhvilluar më tej e për ta vënë në shërbim të edukimit dhe argëtimit të qytetit e njerëzve të tij artdashës. I rikthyer në qytetin e lindjes nga ku nisi së pari rrugëtimin e tij artistik, pas një përvoje të pasur e të suksesshme, mendoi që si “prolog” të veprimtarive të qendrës kulturore të sapo krijuar të shërbente ajo që ai e ka më shumë për zemër, ngritja e formacionit orkestral “Vlora Philarmoni”, me pjesëmarrjen e krijuesve, instrumentistëve e interpretuesve me formim të lartë profesional, të aftë për të realizuar shfaqje dinjitoze për një publik elitar.

Organizmi

E po të mendosh se i gjithë organizimi i këtij formacioni bëhet mbi bazën e një bashkimi vullnetar, vetëm me dëshirën dhe përkushtimin qytetar për të rijetësuar atë që u mungon prej disa kohësh spektatorëve, nuk është diçka e thjeshtë. Fatmirësisht, duke e diskutuar gjatë këtë mendim me shumë shokë e miq të vetë, duke rrahur mendime e duke parë e riparë “skica” projektesh, ata përveç e mirëpritën u treguan dhe të gatshëm për të dhënë ndihmesën e tyre. Falë kësaj gatishmërie, u krijua dhe bordi artistik, i cili mori mbi “shpatullat” e veta programimin dhe realizimin e veprimtarive, ku veç nismëtarit Thanas Çaçi, marrin pjesë edhe tenori me famë botërore Josif Gjipali, violonçelisti që ka interpretuar në shumë skena të botës, deri në Japoninë e largët, Vlorent Xhafaj, kompozitori Enis Mullaj dhe producenti muzikor Sokol Marsi. Të gjithë së bashku, menduan që siparin e veprimtarive ta hapin me një “Mbrëmje Koncertale”, që u realizua këto ditë në skenën e teatrit “Petro Marko” të qytetit, e që u mirëprit dhe u duartrokit nga artdashësit e shumtë që e shijuan “live” në sallën e mbushur plot. Kënaqësinë dhe mirënjohjen e shprehin edhe fjalët që tha njëri prej tyre pas shfaqjes: “Kishim kohë që e prisnim një koncert të tillë. Na kishin munguar artistët tanë që dikur i ndiqnim dhe i admironim për interpretimin në koncertet e tyre”. E për t’i dhënë më shumë bukuri e gjithëpërfshirje, bordi kishte ftuar në këtë mbrëmje edhe mezzo-sopranon nga Tetova, Besiana Mehmedi, solistët instrumentistë nga Elbasani Zeqir Sulkuqi, Martin Kushi, Igli Zeqiri dhe dirigjentin Altin Babameto.

Repertori muzikor

Repertori i zgjedhur me kujdes dhe shije artistike përfshinte pjesë nga kompozitorë austriakë, italianë, rusë, francezë, gjermanë e shqiptarë, që u interpretuan me mjeshtëri profesionale nga orkestra. Atmosferë të këndshme krijuan me zërat melodiozë dhe interpretimet skenike edhe këngëtarja lirike Erina Balla dhe këngëtari amator me profesion jurist, Hektor Sinanaj, që interpretoi dy këngë të vështira edhe për një profesionist të vërtetë nga muzika italiane, “Caruso” të këngëtarit të dëgjuar Luço Dalla dhe “Con te partiro” të Francesco Sartini. I gjithë koncerti u mbyll me një “finale” emocionuese të interpretuar nga tenori Josif Gjipali, ku salla e shoqëroi me duartrokitje gjatë gjithë kohës që ai këndonte “Nessun Dorma” nga Giacomo Puçini. Emocione deri në përlotje u shfaqën edhe në sytë e atij vet, që rikthehej pas një mungese të gjatë në skenën e qytetit ku nisi të këndojë që kur ishte ende  fëmijë, në festivalet e atëhershme. Duartrokitjet e spektatorëve nuk reshtën për asnjë çast edhe kur në skenë u ngjit violinçelisti Vlorent Xhafaj, i ardhur enkas nga Parisi, për këtë mbrëmje koncertale, ku ai dhe Enis Mullaj u nderuan me titullin “Mirënjohje e qytetit të Vlorës.”