Muzeu i Artit Mesjetar, ekspozon për herë të parë vepra të ikonografëve të studiuara nga Theofan Popa

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë ekspozon për herë të parë disa prej veprave të artistëve ikonografë të mirënjohur, të evidentuara dhe të studiuara nga Theofan Popa.

Bashkia Korçë bën të ditur se, Theofan Popa studiues shkencor i ikonave dhe të afreskeve kishtarë, shpëtoi nga shkatërrimi diktatorial me mijëra ikona dhe objekte të tjera liturgjike, që janë një pasuri e çmuar për historinë e vendit.

Popa njihet si një nga themeluesit e Muzeut ikonografik të Korçës që u vendos në Kishën e Burimit Jetëdhënës. Më vonë ai punoi në krijimin e Muzeut Onufri në Berat. Ndërsa një fazë e rëndësishme për veprën e Theofanit janë vitet 1974-1980 kur ai merrej me ruajtjen e kishave dhe të manastireve. Theofanin regjimi i asaj kohe e akuzoi se shfrytëzonte detyrën shkencore për të bërë propagandë fetare, duke e distancuar nga kjo pune, por vepra e tij studimore dhe shkencore, janë sot një pasuri e çmuar.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ndodhet në qytetin e Korçës është ndërtuar në vitin 24 prill 1980 dhe është vendosur në dy banesa karakteristike korçare të shpallura monumente kulture.

Ky muze konservon trashëgimin më me vlerë të krijuar nga piktorët shqiptar për pesë shekuj.

Në pavijonin e artit ikonografik janë ekspozuar pikturat me prestigjioze të erës pasbizantine.

Ato janë të shekujve XII e XIV. Ky muze përmban 7500 objekte artistike prej guri, druri, leshi, argjendi dhe metale të tjera, kostume folklorike dhe objekte të tjera që tregojnë traditën dhe origjinalitetin e kulturës qytetare.

Rreth 1200 objekte shumica me përkatësi kohore nga Epoka e Bronzit dhe Epokës së Hekurit, dhe rreth 6000 janë ikona./atsh/ KultPlus.com