Thumana, qytezë turistike si Puka dhe Belshi

Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me banorët e Thumanës për projektet e rindërtimit u shpreh se falë rindërtimit të banesave të reja Thumana do të zhvillohet si një qytezë turistike në shembullin e Pukës dhe Belshit.

“Ne duam që Thumana, tani kjo ju mund të duket si përrallë. Po përrallat e mia përgjithësisht dalin. Ka ndonjë përrallë që nuk ka dalë akoma se kërkon kohën e vet po të jeni të sigurt që dalin. Kur thosha unë që Puka do të bëhet qytet turistik, vetë pukjanët thoshin kur do iki ky palla i gjatë se boll na kanë pallu në rrena të shkurtrit, por të vijë një i gjatë që rren nuk durohet fare, se i shkurtri mund të rrejë dhe pastaj fshihet. Dy metra rrena nuk ke ku i fsheh. Shkoni në Pukë, shiheni Pukën”, tha Rama.

“Belshi ishte njësoj si Thumana nga pikëpamja e degradimit, more s’kishte asgjë. Pse kujtoj Pukën dhe Belshin, sepse dhe në Pukë dhe në Belsh ka një liqen që është ngjitur me zonën e banuar. Edhe këtu ka një liqen. Ai liqeni është komplet i shkëputur nga jeta juaj. Nuk e di a i bini ndonjëherë nga liqeni, po di që ai liqen aty është një arsye për të besuar se dhe Thumana mund të bëhet një zonë. Ku jo vetëm njerëzit të jetojnë shumë më mirë se sa jetonin, por edhe të tjerë të vijnë. Do thoni kush do të vijë për në Thumanë për ditë të shtunë dhe të dielë. Këtu do jemi”, theksoi Rama.

Por, shtoi Kryeministri, “le ta fillojmë me këtë pjesë njëherë se ne në fillim na intereson që të sistemohen, familjet që janë këtu, pastaj do shikoni se do të vijnë dhe të tjerë”.

Rama shtoi se, “zona që do të ndërtohet do ketë parametra komplet ndryshe. Po bëjmë projektin e infrastrukturës që do të thotë do të fillojmë shumë shpejt me rrugët e brendshme, me kanalizimet, ujësjellësin, ndriçimin, dhe pastaj do të fillojmë me ndërtimin”. /atsh / KultPlus.com