Me konkurrentë nga e gjithë bota, “Tirana Film Office” përzgjidhet në listën e 5 më të mirëve

Tirana Film Office është zyrtarisht pjesë e finalistëve të “Global Production Award”, në kategorinë Emerging Location Award (sponsorizuar nga Dallas Film Commission)!

Me vende konkurrente nga e gjithë bota, ndër qindra zyra filmi nga çdo kontinent, Tirana Film Office arrin të përzgjidhet në listën e 5 më të mirëve, duke u bërë pretendente për çmimin fitues.

Ky event i përvitshëm, i cili mbahet në Festivalin e Filmit në Kanë, ka në fokus vlerësimin dhe promovimin e lokacioneve më të përshtatshme për xhirim, si dhe punën përgjatë një viti të zyrave të filmit në vende respektive.

Në thelb të këtyre çmimeve janë iniciativat, projektet dhe punët e shkëlqyera që vendosin standardet më të larta në stabilitet dhe diversitet, duke siguruar kështu që ekonomitë lokale të përfitojnë nga prodhimet e tregut të tyre. Tirana Film Office është pjesë e Agjencisë së Industrive Kreative në Bashkinë e Tiranës./KultPlus.com

Tirana Film Office anëtarësohet në Rrjetin Europian të Komisioneve të Filmit

Tirana Film Office është zyrtarisht anëtare e familjes së madhe të Rrjetit Europian të Komisioneve të Filmit (European Film Commission Network).

Rrjeti ku TFO u anëtarësua, përfaqëson aktualisht 98 komisione nga 31 shtete europiane. Me këtë anëtarësim Tirana Film Office e bën pjesë të networkut europian territorin e Tiranës por njëkohësisht edhe të të gjithë Shqipërisë. Nëpërmjet këtij rrjeti cdo kineast europian do ta ketë më të lehtë të informohet rreth alternativës që Shqipëria ofron me potencialin e saj të lokacioneve në realizimin e projekteve kinematografike ndërkombëtare.

Misioni i këtij rrjeti është: Shkëmbimi i informacionit ndërmjet anëtarëve për përmirësimin e kërkimit të vendxhirimeve (locations) dhe rritjen e mundësive të xhirimit. Prioritet është gjithashtu kryerja e trajnimeve profesionale për anëtarët e European Film Commission Network, ndërmjetësimi i komisioneve të filmit me institucionet publike, organizatat turistike, komunitetin evropian dhe industrinë e filmit. Rrjeti Europian i Komisioneve të Filmit mbështet dhe inkurajon krijimin e komisioneve të reja të filmit.

“Tirana Film Office” është pjesë e Agjencisë së Industrive Kreative në Bashkinë e Tiranës./ atsh / KultPlus.com

Tirana Film Office, projekte me industrinë e filmit amerikan dhe atë aziatik

Vetëm një ditë para se aktori shqiptar Alban Ukaj të parakalonte në tapetin e kuq të Festivalit të Kanës, Shqipëria u prezantua me një ngjarje speciale në qarqet e ngushta të produksioneve botërore të filmit.

Tirana Film Office organizoi një festë private buzë detit në jugun francez, ku të ftuar ishin personazhe të njohur të botës së kinemasë, e jo vetëm.

Gjatë eventit u diskutua ndër të tjera mundësia e bashkëpunimit me vendet e rajonit, Apuglia Film Commission dhe çka duket më emocionues është fakti se kanë nisur bisedimet për projektet e para me industrinë e filmit amerikan dhe atë aziatik.

Të gjitha këto, me sytë nga një destinacion i vetëm, Tiranën. Kështu, marketit të filmit të Kanës këtë vit iu shtua një tjetër risi, ashtu siç është Zyra e Filmit, pjesë e Agjencisë së Industrisë Kreative në bashkinë Tiranë. Ky bashkëpunim u realizua me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe subjekte private. / atsh / KultPlus.com