Foto të rralla: Tirana në vitin 1921

Foto të Tiranës në vite të ndryshme para luftës.

Një gazetar zviceran që vizitoi Tiranën në vjeshtën e vitit 1921, u largua me përshtypjet më të mira nga ajo që pa dhe dëgjoi. Ai shkruan kështu në gazetën “Journal de Genève” të 14 nëntorit 1921:

“Në këtë kryeqytet politik u desh të improvizohej e gjithë administrata, sepse nuk mund të pritej për të ngritur ndërtesa të mëdha qeveritare. Me një ndjenjë demokratike vërtet për t’u lavdëruar, autoritetet i përdorën me nikoqirllëk mjetet tepër të pakta që kishte qyteti. Një shtëpi e vetme (sot Teatri i Kukullave) u bë selia e parlamentit dhe e shumicës së ministrive. Të tjerat u shpërndanë nëpër qytet.”

“Me një thjeshtësi që i ka lezet, tamam siç është zakon edhe në Zvicër, ministri të pret në një dhomë ku muret janë të lyera me gëlqere dhe ku shikon pak gjëra: një tryezë pune, disa karrige e ndonjë divan. Të nxjerr një cigare dhe biseda rrjedh lirshëm. Të krijon një ndjenjë besimi, së cilës ne ia dimë mjaft vlerën.”

“Krah për krah, me veshje të ngjashme, myslimanët dhe të krishterët mendojnë për të ardhmen e vendit me të njëjtin shpirt shqiptari. Çfarë qetësie në qytet! Çfarë dinjiteti nëpër rrugë dhe në dyqane! Nuk shikon asnjë të dehur, askënd që t’i merren këmbët nga pija. Asnjë e bërtitur, asnjë gjest i papërmbajtur. Sjellja fisnike që i bën përshtypje çdo vizitori në një vend mysliman, këtu është e pranishme kudo.”
Marrë nga Ilir Ikonomi


Shpëtim Selmani, shkrimtari i muajit gusht në rezidencën letrare në Tiranë

Shpëtim Selmani (Kosovë, 1986) është mik gjatë muajit gusht në Programin “POETEKA – Tirana in Between”.

Kjo rezidencë, që fton shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga rajoni dhe Europa, organizohet prej pesë vjetësh nga Poeteka me mbështetjen e rrjetit evropian për letërsinë dhe librat TRADUKI, Ministrisë së Kulturës, Ambasadave të Gjermanisë, Austrisë dhe partnerëve të tjerë vendas.

Shpëtim Selmani ka studiuar sociologji në Universitetin e Prishtinës, ka përfunduar studimet Master në Fakultetin e Arteve – Aktrim. Ai shkruan poezi, prozë, dramë dhe publicistikë dhe luan gjithashtu në teatër. Më 2006 Shpëtim Selmani botoi librin me poezi “Brenda Gucës”, në 2011 botoi edhe përmbledhjen tjetër me titullin “Poezi”, ndërsa “Shënimet e një Grindaveci” u botuan nga “Qendra Multimedia” në vitin 2015 dhe u përurua në Tiranë, në qendrën kulturore “Tulla”.

Shpëtim Selmani është një nga autorët më të spikatur të brezit të ri letrar të Kosovës. Në tekstet e tij ai ndjek një frymë avangardiste, që shkëputet në përmbajtje dhe stil nga kanonet e letërsisë tradicionale, e cila orientohej ose me ide iluministe, romantike e progresiste të jetës kombëtare, ose me një modernizëm të tipit hermetik dhe simbolist.

Duke qenë i frymëzuar nga letërsia bitnike dhe adoptimi i saj për nën qiellin e Kosovës që e ka bërë Arben Idrizi në fillim të këtij shekulli, Selmani në shkrimet e tija sjell fjali, ide dhe pamje të drejtpërdrejta të përditshmërisë së vrazhdë dhe shumëfish sfiduese për individin dhe kolektivitetin, me një zë herë thellësisht shpotitës, herë ironik e sarkastik, por që në instancën e fundit synon një katarsis shëlbyes të lirisë së shprehjes.

“Unë e admiroj këtë zhabë unike në një pellg të harruar. Unë e admiroj kreativitetin, inteligjencën dhe vecantinë e tij, pa dyshim. Unë e admiroj disiplinën e tij, njohuritë dhe shumëllojshmërinë e talentit të tij, natyrisht. Por para së gjithash – unë e admirojë atë si një qenie me të vërtetë të mrekullueshme”
Vladimir Arsenijevic , Shkrimtar.