Përzgjidhen 5 aktorët/aktoret e Kosovës për Spotlight

Në bashkëpunimin e sivjetëm me Spotlight, PriFest ka mundësuar anëtarësimin për pesë aktorët Kosovarë, për 1 vit falas, në njërën nga kompanitë më të njohura për shërbime kastingu në Evropë, përcjellë KultPlus.

Aktorët e përzgjedhur janë: May Linda Kosumovic, Rozafa Çelaj, Shkumbin Istrefi, Kushtrim Hoxha dhe Shpëtim Selmani.

Spotlight është shërbim kastingu që lidh aktorët me role në teatër, televizion dhe projekte filmike. Profesionistēt e kastingut përmes Spotlight bëjnë përzgjedhjen e aktorëve për projektet e veta pasi Spotlight njihet si kompania më e mirë në këtë industry. Me studiot e veta në West End të Londrës si dhe ekipet e stafit në çdo kënd të Evropës, Spotlight ndodhet mu në qendër të industrisë së arteve skenike.

Përkrah partnerëve në Evropë, Amerikë e Australi, moto e Spotlight në të cilën besojnë fuqishëm është se casting është një punë me të vërtetë globale dhe një aktor që mund të përshtatet për një rol apo punë mund të vijë nga kudo në botë.

Aktorët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen një workshopi (punëtorie) parapregatitor me datën 5 nëntor, për të mësuar se si mund të perdoret platforma Spotlight në mënyrë më efektive për aplikim në projekte filmike apo të teatrit jashtë Kosovës.

Të pesë aktorët kanë fituar anëtarësimin falas në këtë platformë falë bashkëpunimit të PriFest me Spotlight, bashkëpunim ky që do të zhvillohet edhe më shumë në vitet në vazhdim.

Poashtu, javën e kaluar, PriFest kishte organizuar një masterclass me Spotlight për të gjithë aktorët dhe filmbërësit e Kosovës brenda javës së edicionit të 12-të të festivalit.

Edicioni i ardhshëm i PriFest, i 13-ti me rradhë, do të mbahet nga 13-18 korrik 2021. / KultPlus.com

Dumoshi i ndan mirënjohje shkrimtarit Shpëtim Selmani, laureat i çmimit të BE-së për letërsi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, priti sot në takim Shpëtim Selmanin, prozator e poet dhe së fundmi laureat i çmimit të Bashkimit Evropian për letërsi, për vitin 2020.

Shkrimtari Selmani ka fituar edicionin e dymbëdhjetë të ndarjes së çmimeve të BE-së për letërsi (EUPL) i cili njeh shkrimtarët nga e gjithë Evropa dhe përfshin 31 vende.

Ky çmim i është ndarë autorit nga Kosova me motivacionin një rrëfim që trajton një larmi temash nga e zakonshmja, e botshmja dhe shpirtërorja duke ndërtuar monologje të brendshme të cilat demonstrojnë transformime njerëzore në mes personazhesh.

Ministrja Dumoshi, si drejtuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ndau mirënjohje shkrimtarit Selmani për të arriturat në përmasa ndërkombëtare, në fushën e letërsisë si dhe i bëri dhuratë okarinën – instrumentin e lashtë ilir.

Ministrja u shpreh e lumtur që emrat e shkrimtarëve e artistëve shqiptarë çdo ditë e më tepër po tejkalojnë kufijtë shqipfolës e po njihen ndërkombëtarisht.

Ky është jo vetëm sukses personal por sukses dhe përforcim i imazhit të Kosovës në Evropë e botë – theksoi ministrja Dumoshi. Ajo u zotua se do të mbështesë gjithmonë shkrimtarë që kanë suksese ndërkombëtare të cilët janë ambasadorët më të mirë të vendit.

Shkrimtari Selmani e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe për mirënjohjen e cila është një njohje e kontributit të tij dhe njëkohësisht shtysë për rrugëtimin e tij të mëtejmë letrar. / KultPlus.com

Poezi e muzikë u mishëruan dhimbshëm në mbrëmjen e organizuar nga Artpolis

Tetë karrige në skenë, tetë njerëz për të cilët poezia ka rëndësi sa vetë jeta.

Meli Qena, Shpëtim Selmani, Ardiana Rexhepi, Sibel Halimi, Edis Galushi, Arbër Selmani, Qëndresa Kajtazi dhe Daniela Markaj mbrëmë sollën 25 poezi në një mbrëmje ku dikush qau e dikush qeshi, drejt përjetimit të emocioneve që veç poezia mund t’i zgjojë në epshet e njeriut.

‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 marsi’, organizuar nga ArtPolis, mbrëmë në Menzën Ramiz Sadiku mblodhi këta poetë e aktivistë për të lexuar për gruan, për fuqinë e gruas, për gruan e nënshtruar por edhe gruan e suksesshme, për gruan e përulur por asnjëherë të parëndësishme. Për një grua në jetën e gjithsecilit e gjithsecilës.

Zana Hoxha, drejtoreshë e ArtPolis dhe moderatore e natës, disa herë i rikujtoi audiencës rëndësinë e natës së poezisë në prag të 8 marsit, e cila organizohet tanimë tradicionalisht. Mbi 150 të pranishëm dëgjuan poezitë dhe u emocionuan edhe me muzikën nga ‘Dont listen to your neighbours’.

Meli Qena e nisi dhe e përfundoi mbrëmjen. Me leje nga vetë Ali Podrimja, Meli e solli poezinë ‘Unë, bija yte Kosovë’ – në versionin origjinal ‘Unë, biri yt Kosovë’, ndërsa e vazhdoi natën duke sjellë edhe poezi në gjuhën ruse, dhe magjinë e fjalëve të Rumit, shkruan KultPlus.

Secili prej të pranishmëve në skenë solli edhe tri poezi të tjera, nga dashuria për nënën, për fëmiun, për burrin, për gruan, për të vdekurit e për të gjallët. Edis Galushi lexoi edhe në gjuhën rome, ndërsa Izet Sarajlic erdhi përmes tij në gjuhën e tij amë.

Në skenë një poezi e lexoi edhe Ulrika Richardson nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, derisa më pas secili prej poetëve, aktorëve e aktivistëve për të drejtat e njeriut solli poezi personale dhe poezi të poetëve të tjerë të njohur në vend dhe botërisht, shkruan KultPlus.

Shpëtim Selmani i ‘këndoi’ poezive e vjershave që nuk janë shkruar kurrë, ndërsa Sibel Halimi gjeneratave që pafajësisht janë me faj. Arbër Selmani solli tri poezi me motiv familjen, dashurinë dhe fenë, ndërsa Ardiana Rexhepi erdhi fuqishëm me sharmin prej aktoreje me poezi për gjuetarin e dashuruar. Qëndresa Kajtazi recitoi një poezi nga Majlinda Bregasi ndërsa në gjuhën angleze, Daniela Markaj solli poezi për fuqinë e gruas dhe zemrës së mirë të saj. /KultPlus.com

Nga KultPlus, dhjetë libra si propozime për lexim gjatë janarit

Me fillimin e një viti të ri, gjithmonë ekziston dëshira edhe për të menduar për librat që do të lexoni këtë vit.

Janari gjithmonë ka shumë rëndësi, meqë po u krijua shprehia e leximit tash, do të vazhdojë e tilla gjatë tërë vitit 2020.

Plot libra në raft, pak kohë për t’i lexuar. Megjithatë, është koha të mendojmë seriozisht të lexojmë diçka.

KultPlus po ju sjellë një listë me dhjetë libra prej të cilëve mund të zgjedhni të lexoni çkado që doni, për një fillim të mbarë, dhe pse jo letrar, të këtij viti.

1.Franz Kafka – Letër babait

Kjo letër duhet lexuar e rilexuar. Mund të lexohet edhe me një frymë, e mund të reflektohet mbi të sa herë të doni. Niseni vitin 2020 duke lexuar një letër të dhimbshme dhe shumë të sinqertë nga shkrimtari, dedikuar babait të tij, një burri i cili nuk u kënaq asnjëherë me djalin e tij dhe të arriturat e këtij të fundit.

2. Elena Ferrante – Histori arratie e qëndrese

3. Shpëtim Selmani – Libërthi i dashurisë

4. Stephen Hawking – Përgjigjje të shkurtra për pyetje madhore

5. At Zef Pllumi – Rrno për me tregue

“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë, ata që kanë jetuar në atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë te shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë” Ismail Kadare në lidhje me veprën “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit.

6. Milan Kundera – Mosdija

7. George Orwell – 1984

8. Robert Elsie – Fiset Shqiptare

Ky është një nga librat më të thelluar për studimin e historisë, shoqërisë dhe kulturës shqiptare nga albanologu Robert Elsie. Është nga veprat e fundit që la autori para se të ndahej nga jeta. Në këtë libër trajtohen 69 fiset shqiptare, me një historik të shkurtër dhe me drejtuesit e tyre. Noel Malkolm shkruante: asnjëri nuk do të mund ta bënte këtë më mirë sesa Robert Elsie, i cili është i pashoq në njohjen e kësaj lënde.

9. Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku – ‘Enciklopedia e Mërgimit’

10. Michel Houellebecq – Serotonina

“Serotonina”, me magjinë e saj të papërsëritshme, mes ironisë thukëse dhe trishtimit të fshehur pas saj, është një vaj për jetën e vërtetë që po venitet relievit mahnitës të Francës. Houellebecq është zëri i qartë francez, që bën shpjegimin tronditës për Europën sot, por edhe të botës ku po jetojmë. Si përherë, edhe me këtë vepër, “profeti ogurzi” e parashikoi lëvizjen e “jelekëve të verdhë” disa javë përpara se ajo të shpërthente, siç ka ndodhur deri tani me veprat e tij. / KultPlus.com

Mbi shenjtërinë e çmendinës

Shpëtim Selmani

Le të shkoj në çmendinë dhe atë sa më shpejtë që të
Të jetë e mundur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Le të shkoj në çmendinë dhe atë sa më shpejtë që të jetë
E mundur cari rus bashkë me egërsirën e tij të frikshme,
Le të shkojnë në çmendinë të gjithë liderët politik
Të Ballkanit, këta hundëleshë që nuk dinë asgjë
Mbi dashurinë e njeriut të thjeshtë, bekuar nga pema,
Le të shkojnë të kapur dorë për dore drejt asaj
Porte, që e hapin duart e Zotit, sa pamje mallëngjyese,
Le të shkojë në çmendinë presidenti turk dhe nga aty
Le të formuloj një kërcënim të ri mbi popujt
E vegjël, një tjetër për bukurinë e pidhit dhe një për
Gishtin që futet në syrin e së vërtetës,
Le të shkojë në çmendinë presidenti sirian dhe
Në dhomën e tij trupat e dy fëmijëve të vrarë
Nga sulmet kimike, le të jetë i lumtur,
Le të shkojnë në çmendinë dhe nga aty
Le ta kuptojnë njëherë e mirë se
Çfarë ndiejnë lepujtë në pyll*.

*sipas Louis Ferdinand Celine./ KultPlus.com