Nga erdhi uji i Tokës?

Ekziston një enigmë që i ka magjepsur të gjithë shkencëtarët: kur Toka u formua 4,5 miliardë vjet më parë, planeti ynë në thelb ishte një top shkëmbi i shkrirë, sipas BBC.

Uji që mund të ketë qenë i pranishëm gjatë formimit të planetit – me siguri do të ishte zhdukur menjëherë. Megjithatë, sot, uji mbulon rreth 70% të sipërfaqes së Tokës.

Pra, nga erdhi i gjithë ky ujë? Dhe akoma më intriguese, kur mbërriti në Tokë?

Një ekip kërkimor nga Universiteti i Emirateve të Bashkuara Arabe ka publikuar së fundmi një studim të ri në “Nature Astronomy”, një nga revistat kryesore ndërkombëtare në astronomi.

Studimi paraqet prova të reja që sugjerojnë se uji ekzistonte në univers para se të formoheshin blloqet ndërtuese të galaktikës sonë, gjë që sfidon dhe ripërcakton kuptimin shkencor të formimit të ujit dhe potencialin për jetë në universin e hershëm.

Dr. Muhammad Abdul Latif, Profesor i Asociuar në Departamentin e Fizikës në Universitetin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe autor kryesor i studimit, shpjegoi se hulumtimi hedh dritë mbi rolin e supernovave të para në formimin e ujit.

“Grumbullime të dendura të pasura me ujë mund të kenë formuar disqe proto-planetare, duke çuar potencialisht në krijimin e planetëve të qëndrueshëm në agimin e universit dhe mundësinë e ekzistencës së jetës shumë më herët sesa mendohej më parë”, tha ai.

Studimi ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme globale.

Toka e hershme nuk ishte një vend miqësor me ujin – një peizazh i shkëmbinjve të shkrirë, shpërthimeve vullkanike dhe bombardimeve të vazhdueshme nga kometat dhe asteroidet, me nivele të larta të rrezatimit diellor.  Këto kushte do ta kishin avulluar ujin.

Gjithashtu, Prof. Richard Greenwood nga “Open University”, tha se bërthama prej hekuri e shkrirë e Tokës do të kishte qenë një top ndryshku nëse do të kishte pasur ujë në përzierjen proto-tokë.

Pra, nëse uji nuk ka qenë gjithmonë këtu, nga ka ardhur?

Në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër, Prof. Sara Russell ka krahasuar “gjurmën e gishtërinjve” izotopike të ujit të Tokës me ujin e gjetur në asteroidin Bennu – të kapur dhe të sjellë nga misioni i fundit i NASA-s “Osiris Rex”. / atsh/ KultPlus.com

Ora e Tokës fik dritat në gjithë globin

Zelanda e Re ishte e para sot në të gjithë globin që fiku dritat duke përuruar kështu fillimin e ngjarjen mbarëbotërore të Orës së Tokës.

Lëvizja globale nxit vendet të fikin dritat për një orë për të tërhequr vëmendjen ndaj  ndryshimeve klimatike.

Monumentet e Auckland duke përfshirë ”Sky Tower” dhe ”Harbour Bridge”, plus ndërtesat e parlamentit në Uellington mbetën pa drita në orën 20:30 (07:30 GMT).

Më vonë, monumente të tjera anembanë globit, përfshirë Shtëpinë e Operës së Sidneit, Syrin e Londrës dhe kullën Eifel, do të fikin dritat e tyre në shenjë solidariteti.

Tani në vitin e saj të 18-të, koordinatori i WWF International po kërkon gjithashtu që njerëzit të kontribuojnë në “Jepni një orë për Tokën” dhe të shpenzojnë 60 minuta duke bërë diçka pozitive për planetin.

Drejtoresha e përgjithshme, Kirsten Schujit tha në vitin 2023 se mbi 410 000 orë i janë dhënë planetit tonë nga mbështetës në 190 vende dhe territore, që përfaqësojnë 90% të planetit.

“Është thelbësore të përfshihemi, nëse duam të rrisim ndërgjegjësimin për sfidat mjedisore dhe të përkulim kurbën e humbjes së biodiversitetit deri në vitin 2030”, tha ajo.

“Mbrojtja e planetit tonë është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon veprim kolektiv nga çdo cep i shoqërisë”, theksoi Schujit.

Nisma filloi në vitin 2007 në Australi./atsh/KultPlus.com