Sëmundja e Alzheimer ia pamundëson Tony Bennett të performojë në Grammy me Lady Gagan

Legjenda amerikane, Tony Bennett, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Grammy Awards të këtij viti si pasojë e sëmundjes Alzheimer.

95-vjeçari është ftuar në ngjarjen e madhe muzikore që të performojë në skenën e Las Vegasit së bashku me Lady Gagan, por fatkeqësisht, kjo nuk do të ndodhë.

“Ai është i gëzuar që albumi i tij, ‘Love for Sale’, është i nominuar në gjashtë kategori. Megjithatë, Alzheimeri e ka bërë të veten, prandaj kemi vendosur se është më mirë që ajo të performojë vetëm”, ka thënë djali i këngëtarit, Danny Bennett, për revistën Variety.

Sëmundja e Alzheimer është një formë e demencës që ndikon në kujtesën, të menduarit dhe sjelljen. Simptomat zhvillohen aq shumë saqë pengojnë në kryerjen e obligimeve ditore. Alzheimer është shkaku më i zakonshëm i demencës – një term i përgjithshëm për humbjen e kujtesës dhe aftësive tjera njohëse, aq rëndë saqë ndërhyn në jetën e përditshme.

Tony do ta përcjellë interpretimin e Lady Gagas të këngës “Love for Sale” nga shtëpia e tij në New York.

Bennett është diagnostikuar me sëmundjen Alzheimer në vitin 2016, ndërsa disa muaj më parë kishte njoftuar se do të tërhiqet tërësisht nga jeta publike.

Për herë të fundit, legjenda ka performuar në gusht të vitit të kaluar në koncertin e quajtur “One Last Time” në Radio City Music Hall të New Yorkut./ KultPlus.com

Tony Bennett thyen rekord në muzikë

Ikona 95 vjeçare e muzikës, Tony Bennett vazhdon të bëjë për vete dashamirë të muzikës nga e mbarë bota. Ai di si të bëjë që muzika e tij të dëgjohet.

Ky fitues i 20 çmimeve Grammy theu rekordin botëror për librin e Ginisit. Ai kësaj radhe theu rekordin në kategorinë “këngëtari më i moshuar që lansoi album me këngë të reja”, për albumin “Love for Sale”.

Kënga e tij e cila po ashtu mban emrin e albumit, të cilën e realizoi në bashkëpunim me këngëtaren Lady Gaga, u lansua me 1 tetor 2021.

Gaga në një deklaratë për media me këtë rast ka thënë se përkundër asaj se kanë 60 vite diferencë në moshë, kur performon pranë tij gjen inspirim.

Ajo ka thënë se sa herë këndon me Bennett, në të sheh një djalë, dhe kjo e bën të mahnitshme përvojën e të kënduarit. Ajo ka thënë se dy shpirta këndojnë bashkë. Por ajo, po ashtu ka thënë se njëkohësisht përfiton nga përvoja e tij shumë vjeçare në këndim.

Për Bennett dhe Gagan, ky nuk është albumi i parë në të cilin bashkëpunuan. Ata edhe në vitin 2011 realizuan këngën “The Lady is a Tramp”, ndërkaq tri vite më vonë lansuan albumin e titulluar “Cheek to Cheek”.

Natyrisht se ky nuk është as rekordi i parë që arriti Bennett me këtë album në karrierën e tij 70 vjeçare. Sipas librit të rekordeve, Ginis, ai ka thyer katër rekorde, përfshirë këtu: rekordin për personin më të moshuar që ka arritur të kryesojë toplistën e albumeve në SHBA me albumin “Cheek to Cheek”, personi më i moshuar që u vlerësua në toplistën e 20 albumeve më të mira në Britani me “Duets: An American Classic”, kur ishte 80 vjeç, dhe kohën më të gjatë në mes lansimeve të një incizimi origjinal dhe riincizimit të tij nga një artist.

Veç si këngëtar, Bennett është edhe piktor. Ai ka krijuar disa punime artistike të cilat janë ekspozuar në disa institucione.

Bennett është themeluesi i shkollës së artit Frank Sinatra në Astoria, Queens, New York./KultPlus.com

Sfidon Alzheimerin, Tony Bennett realizon album të ri me Lady Gagan

Legjenda e muzikës, Tony Bennett dhe ylli i muzikës pop, Lady Gaga, janë duke e realizuar një album së bashku.

Bennett po punon në këtë projekt pas diagnostikimit me sëmundjen e Alzheimer.

Këngëtari 94-vjeçar së fundmi e bëri të ditur se është duke luftuar me këtë sëmundje progresive, pasi e kishte mbajtur të fshehtë për katër vjet, dhe tani u konfirmuar lajmi se gjatë kësaj beteje private me Alzheimerin, Bennett e ka incizuar albumin e radhës së bashku me mikeshën e tij të afërt, Lady Gaga.

Ky projekt i ri muzikor vjen pas albumit të vitit 2014, “Cheek to Cheek”, dhe është incizuar ndërmjet viteve 2018 dhe 2020.

Lajmi rreth muzikës së re të dyshes së famshme, u publikua përmes një profili të Tony Bennettit të shkruar nga revista “AARP”, e cila raportoi se albumi ishte vonuar për shkak të orarit të ngjeshur të Gagas si dhe pandemisë së koronavirusit, por më në fund ai do të lansohet për publikun mbarëbotëror në pranverë të këtij viti.

Në një intervistë të fundit, djali i këngëtarit ikonik, Danny Bennett, deklaroi se një prej arsyeve pse familja e tij kishte vendosur ta bëjë publike diagnozën e Tony Bennettit me Alzheimer, ishte ngase e dinin se ai nuk do të ishte në gjendje ta promovojë albumin e ri, me tu lansuar në treg./ KultPlus.com