109 vjet nga përfundimi i Konferencës së Ambasadorëve

109 vjet më parë, më 29 korrik të vitit 1913, nënshkruhej Traktati i Londrës, pjesë e Konferencës së Ambasadorëve të zhvilluar gjatë viteve 1912-1913.

Kjo konferencë,  ishte një takim ndërkombëtar i fuqive të mëdha të asaj kohe  dhe erdhi si nevojë e zhvillimeve të ndodhura gjatë ndryshimeve të ekuilibrit të forcave, të dalë nga luftërat ballkanike.

Kufijtë e Shqipërisë dhe të gjitha çështjet e tjera lidhur me të, do të zgjidheshin nga Fuqitë e Mëdha sipas marrëveshjeve midis palëve.

Perandoria Osmane kishte humbur shkëlqimin e saj. Shqipëria dhe fati i qytetarëve të saj do të bëhej pjesë e kësaj rrokopuje dhe produkt i një harte që do të prodhonte ndër vite veç tensione, duke lënë rreth 40 përqind të territorit të saj, jashtë këtij ridimensionimi të Ballkanit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një imazh ilustrues, të këtij zhvillimi historik të rëndësishëm./ atsh /KultPlus.com

103 vite nga Traktati i fshehtë i Londrës

Traktati i fshehtë i Londrës i mbajtur më 26 prill të vitit 1915, ishte marrëveshje e fshehtë e përfunduar midis fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane për të plotësuar pretendimet e imperializmit italian në Shqipëri dhe lakmitë ekspansioniste të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, shkruan KultPlus.

Sipas pikës 5 të Traktatit, bregdeti shqiptar prej derdhjes së Bunës në veri deri në derdhjen e Drinit në jug, përfshirë Shëngjinin, do t’i kalonte Serbisë dhe Malit të Zi. Sipas pikës 6 Vlora dhe ishulli i Sazanit i kalonte Italisë.

Sipas pikës 7 Italia detyrohej të mos e kundërshtonte dëshirën eventuale të Francës, Anglisë dhe Rusisë që pjesët veriore e jugore të Shqipërisë të ndaheshin midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, ndërsa në Shqipërinë e Mesme do të formohej shteti shqiptar “autonom”, i cili do të ishte nën protektoratin e Italisë. Traktati u hodh poshtë nga Kongresi i Leshnjes./ KultPlus.com