Ujëvarat Iguazu në Argjentinë, mrekullia natyrore ku takohen historia dhe natyra

– Ujëvarat Iguazu u zgjodhën si një nga “Shtatë Mrekullitë e Reja Natyrore” në një votim global të organizuar nga Fondacioni “New7Wonders” me seli në Zvicër në vitin 2011.

Të vendosura në rajonin Misiones në verilindje të Argjentinës, Ujëvarat Iguazu përveçse janë një mrekulli natyrore e vendit, ato spikasin si një pikë unike ku takohen historia dhe natyra.

Të vendosura në Parkun Kombëtar Iguazu në qytetin Puerto Iguazu, ujëvarat shërbejnë si një kufi natyror midis Argjentinës dhe Brazilit. Duke mirëpritur mijëra vizitorë vendas dhe të huaj çdo vit, Ujëvarat Iguazu u shtuan në listën e “Trashëgimisë Botërore” nga UNESCO në vitin 1984.

Ujëvarat Iguazu u zgjodhën si një nga “Shtatë Mrekullitë e Reja Natyrore” në një votim global të organizuar nga Fondacioni “New7Wonders” me seli në Zvicër në vitin 2011. Zona natyrore përgjatë lumit Iguazu përbëhet nga gjithsej 275 ujëvara. Më e habitshmja prej tyre është ujëvara gjigante e njohur si “Garganta del Diablo” që bie nga një lartësi prej afërsisht 80 metrash.

Ndërsa vizitojnë ujëvarat, vizitorët kanë mundësinë të shohin fuqinë dhe madhështinë e natyrës në formën e saj më mbresëlënëse në ndalesën e fundit, kodrën me pamje nga “Garganta del Diablo”.

Parku Kombëtar Iguazu, i cili shquhet edhe për pasurinë e tij ekologjike, është shtëpia e specieve të rralla si puma, jaguari dhe tapiri. Shumë prej këtyre specieve janë nën mbrojtje.

Thahet ujëvara 22 metra e lartë në Kroaci

Ujëvara e Krçiqit në Kovaçiq afër Kninit në Kroaci është tharë, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index.hr.

Ujëvara 22 metra e lartë është e fundit e lumit Krçiq, shkruan mediumi kroat.

Nga ajo ujëvarë, uji pas një udhëtimi të gjatë prej rreth dhjetë kilometrash derdhet në lumin Krka poshtë ujëvarës.

Ujëvara e Bogovës, ndër atraksionet më të vizituara nga turistët

Ujëvara e Bogovës, monument natyre në Parkun Kombëtar të Tomorit, gjithmonë e më shumë po renditet si një ndër atraksionet më të vizituara, nga turistët vendas dhe të huaj.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau momente nga vizita e turistëve të huaj në këtë ujëvarë gjatë fundjavës që lamë.

“Në këto ditë të nxehta vere Parku Kombëtar “Mali i Tomorit” ofron një shumëllojshmëri mundësish për t’u vizituar dhe pse jo për t’u freskuar”, thekson AKZM.

Duhen afërsisht 45 minuta nga Berati për të zbritur në ujëvarë e në burimin natyror të ujëvarës. Ndërkohë, rrugës mund të ndaloni në disa fshatra shumë piktoreskë që shtrihen fare afër rrugës. Fshatrat e këtyre zonave janë shumë të njohur për kultivimin e frutave dhe të rrushit.

Në anë të Osumit mund të shijoni një panoramë që nuk do ta harroni lehtë.

Ujëvara e Bogovës është e lartë 20 metra bie në një pishinë të kaltër e të thellë 12 metra. Ujërat e kristalta, zhurma tunduese e ujëvarës që bie pareshtur nga shpatet, e gjelbërimi që e rrethon, si dhe prania e akullit e bëjnë atë të jashtëzakonshme dhe ndjellëse për turistët./ATSH/KultPlus.com