Më 14 maj 1450 ka filluar Rrethimi i Parë i Krujës nga ushtria osmane

Rrethimi i parë i Krujës ka ndodhur në vitin 1450, kur një ushtri Osmane prej rreth 100.000 trupash janë caktuar që të rrethojnë Krujën në Shqipëri.

 Lidhja e Lezhës, e udhëhequr nga Skënderbeu, pësoi moral të ulët pas humbjes të Svetigradit dhe të Beratit në vitet 1448-1450. Megjithatë, thirrjet e Skënderbeut dhe mbështetja e klerit, të cilët pohuan se kishin vizione të engjëjve dhe fitores, i motivoi shqiptarët për të mbrojtur kryeqytetin e Lidhjes, Krujën, me çdo kusht.

Pasi la një garnizon mbrojtës prej 4,000 burrash nën togerin e tij të besueshëm Vrana Konti (i njohur edhe si Kont Urani), Skënderbeu i bastisi kampet osmane rreth Krujës dhe sulmoi karvanët e furnizimit të ushtrisë së Sulltan Muradit II. Deri në shtator, kampi otoman u shndërrua në një rrëmujë ndërsa morali u fundos dhe sëmundja u përhap.

Ushtria osmane pranoi që kalaja e Krujës nuk do të binte me forcë të armëve, hoqi rrethimin dhe morri rrugën e saj drejt Edirnes. Shumë shpejt pas kësaj, në dimrin e vitit 1450-51, Muradi vdiq dhe u pasua nga djali i tij, Mehmed II. / KultPlus.com

Sot, kujtojmë Betejën e Sfetigradit, beteja kryesore e ushtrisë shqiptare e komanduar nga Skënderbeu

Beteja e parë e Sfetigradit u zhvillua në vitin 1448. Ajo ishte një nga betejat kryesore të ushtrisë shqiptare, e komanduar nga Skënderbeu, kundër ushtrisë osmane. U zhvillua prej 14 majit deri në fund të korrikut. Ushtria osmane komandohej nga vetë Sulltan Murati II.

Më 14 maj pararoja e saj arriti në Dibrën e Poshtme dhe rrethoi Sfetigradin. Skënderbeu, për të lehtësuar mbrojtjen e kështjellës, tërhoqi në grykën e Rovikut pararojën turke dhe e shpartalloi. Kur ushtria osmane mbërriti në Stefigrad, Skënderbeu e afroi gjithë ushtrinë disa milje larg kampit të saj.

Murati II kërkoi dorëzimin e kështjellës, e bombardoi, por dështoi. Ndërkohë Skënderbeu e godiste kampin osman ditën dhe natën dhe bashkë me mbrojtësit e kështjellës e vunë armikun midis dy zjarreve. Trupat osmane, që ruanin shpinën e forcave të tyre kryesore, patën shumë të vrarë e të plagosur, midis të cilëve edhe komandantin e tyre, Firuz Pashën. Natën e 22 qershorit, shqiptarët sulmuan dhe hynë thellë brenda në kampin turk. Vetëm kur osmanët gjetën ujësjellësin e kështjellës dhe i prenë asaj ujin, mbrojtësit u detyruan të dorëzohen, me kusht që të dilnin të lirë e të largoheshin të armatosur prej saj. Megjithëse e pushtuan Sfetigradin, për shkak të humbjeve të shumta dhe zgjatjes së rrethimit për më shumë se dy muaj e gjysmë, osmanët u detyruan të ndërprisnin mësymjen dhe të tërhiqeshin, të ndjekur këmba-këmbës nga ushtria shqiptare. / KultPlus.com