Në prill do të mbahet konferenca kombëtare e vajzave/grave në fushat STEM

Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë Qeveria e Kosovës njofton se nën patronazhin e Zyrës së Kryeministrit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do të organizojë konferencën kombëtare të vajzave/grave në fushat STEM.

“Konferenca STEMinists do të jetësojë premtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për organizimin e konferencës vjetore për vajzat/gratë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Kjo konferencë do të mundësojë rrjetëzimin e vajzave/grave në këto fusha, promovimin e fushave STEM në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe krijimin e mundësive për punë praktike, mentorim e zhvillim profesional.

Këta mekanizma i shtohen mbështetjes financiare për vajzat/gratë në STEM që tashmë, sipas tyre, po zbatohet si politikë e re e Qeverisë së Kosovës që dy vite.

Qeveria gjithashtu njoftoi se detajet në lidhje me konferencën do të bëhen publike në periudhën në vazhdim. /KultPlus.com