Kur “Hirushja” ishte histori horrori, disa kuriozitete mbi vëllezërit e famshëm të përrallave

Vëllezërit Grim nuk i kanë shkruar vetë përrallat e botuara në emër të tyre.

Pavarësisht se vëllezërit Jacob dhe Wilhelm Grim gjerësisht lidhen me rrëfenjat e Borëbardhës dhe Rapunzelit, vëllezërit Grim nuk janë autorët e vërtetë të këtyre përrallave. Në fakt, historitë e tyre ekzistonin shumë kohë përpara se dy burrat të lindnin në Gjermani në mes të 1780-s. Përrallat në fakt kanë qenë pjesë e një tradite të pasur gojore, e përcjellë ndër breza. Vëllezërit Grim i mblodhën këto rrëfenja në mënyrë që i shpëtonin nga zhdukja.

Rrëfenjat nuk ishin menduar si histori për fëmijë

Në fillim, përrallat e vëllezërve Grim nuk u menduan si histori për fëmijë. Në fakt, këto histori shpesh përfshinin seks, dhunë, incest etj. Madje ato nuk kishin as ilustrime. Botimet të para të përrallave të vëllezërve Grim ishin për të rritur dhe si të tilla përmbanin elemente të errëta. Për shembull, në versionin origjinal, Rapunzeli mbetet shtatzënë nga princi pas një takimi të rastësishëm. Te Hirushja, gjysmëmotrat e saj presin vetë gishtat që të mund të fusin këmbët te këpuca e famshme. Kur rrëfenjat u bënë popullore mes fëmijëve, skena të tilla u edituan.

Jacob dhe Wilhelm u përballën me deportimin dhe falimentimin

Në vitin 1830, mbreti i Hanoverit, Ernest Augustus, urdhëroi betimin për aleancë nga të gjithë profesorët e universitetit të Gottingenit, ku dy vëllezërit jepnin mësime gjuhe. Vëllezërit dhe 5 profesorë të tjerë refuzuan t’i bashkoheshin mbretit, ndaj i detyruan të largoheshin nga qyteti. Të papunë dhe të quajtur desidentë politikë, ata u detyruan të merrnin hua nga miqtë në mënyrë që të mbijetonin gjatë kohës që mblidhnin historitë që do t’i bënin të famshëm.

“Përrallat e vëllezërve Grim” ishte një sukses i vërtetë

Koleksioni i përrallave Grim rezultoi një sukses i vërtetë. Në kohën kur Wilhelm vdiq në vitin 1859, koleksioni përmbante 211 përralla, shumë prej të cilave me ilustrime./E. Qose