90-vjetori i lindjes së piktorit e studiuesit Maks Velo

 Më 7 maj të vitit 2020 u nda nga jeta Maks Velo, piktor, arkitekt, studiues dhe shkrimtar i njohur.

Viti 2025 që përkon me 90-vjetorin e lindjes së tij, është shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit si “Viti Maks Velo”.

Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në qytetin e Korçës, ku Maksi kaloi fëmijërinë. Pas gjimnazit ai vazhdoi studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas u specializua për arkitekturë dhe në vitin 1960 mori pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë.

Vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg. Maks Velo vuajti dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit mori pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera

Velo është autor i një sërë botimesh si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele” etj. /atsh/ KultPlus.com

Velo kontribuon me vepra për fondacionin me emrin e vëllezërve Ivanaj

I bashkon fati i dënimit gjatë diktaturës. Mirash Ivanaj ishte një prej intelektualëve shqiptarë që dha kontribut të madh për arsimin. E artisti Maks Velo midis krijimtarisë së tij ka punuar edhe vepra për Ivanain e të vëllanë. Velo ka dhuruar 7 vepra të realizuara në kohë ndryshme që, sipas tij, u frymëzuan nga personaliteti i Mirash e Martin Ivanaj. Veprat i janë dhuruar Fondacionit të themeluar për nder të vëllezërve.

Drita Ivanaj, e bija e Martin Ivanaj, themeluesja e fondacionit “M&M Ivanaj” e ka vlerësuar këtë dhuratë dhe ka ndarë dhe shumë përshtypje për punën dhe kontributin e Velos, duke apeluar që shoqëria shqiptare ta kultivojë këtë ndjenjë. Veprat e artit ndryshojnë në madhësi dhe në llojin e artit, nga skica të vogla me laps mbi letër, tek dy të mëdha të skicuar me qymyr druri dhe bojë vaji.

Të gjitha punët e piktorit të njohur janë realizuar falë disa fotografive që janë shfaqur në vitet e fundit në artikujt e gazetave që ilustrojnë jetën dhe punën e Mirash Ivanaj për vendin e tij. Velo ka përgatitur një cikël, kushtuar personalitetit të Mirash Ivanaj që shihet si një personazh i jashtëzakonshëm, që e ka bërë për vete arkitektin dhe piktorin e njohur.

Mirash Ivanaj është një figurë shumëdimensionale dhe që me kujdesin e tij iu dedikua arsimimit shqiptar, dhe reforma e tij synonte të prekte thelbin e strukturës së paditurisë shqiptare. Ishte ministër i Arsimit në kohën e Mbretit Zogu I. Por jeta dhe fati i Mirash Ivanajt përfunduan në mënyrë tragjike, i trajtuar shumë keq nga regjimi komunist. Mirash Ivanaj u lind më 12 mars 1891 në Podgoricë. Pas veprimtarisë si mësues, jurist e ministër u arrestua nga regjimi komunist dhe më 1947 u dënua me 7 vjet në burg. Vdiq më 22 shtator 1953 në Spitalin e Tiranës, 12 ditë para se të lirohej nga burgu.