Ngjyrat e Henri Matisse

Nëse ka piktor që i bëri ngjyrat të flasin, të këndojnë e madje të kërcejnë, ai ishte pa dyshim, Henri Matisse. Dashuria për “ngjyrën e pastër, të shndritshme, farfuritëse” ishte një nga veçoritë e qëndrueshme dhe të pandërprera të rrugëtimit të tij artistik (punoi deri në të 80-at).

Në vitin 1908, i njohur dhe i vlerësuar tashmë, Matisse shkruan në esenë: “Shënime të një piktori”: “Unë ëndërroj artin e ekuilibrit, pastërtisë, qetësisë, pa shqetësime ose brenga, një art që është për çdo punëtor intelektual, si për biznesmenin, edhe për njeriun e letrave, për shembull, një qetësues, qetësues cerebral, diçka e ngjashme me kolltukun e rehatshëm ku mund të prehesh pas lodhjes fizike”.

Pa dyshim, pikturat e tij ende frymëzojnë gëzimin e të jetuarit (joie de vivre), duke marrë titullin e një prej veprave të tij më emblematike. Kryevepra si “Nudo blu”, “Luksi”, “Muzika dhe vallëzimi”, krijuar në dekadën e parë të shekullit XX, deri në vepra më të pjekura, si “Ëndrra”, përshkohen në mënyrë absolute nga një bukuri e qetë dhe çlodhëse.

Lindur më 31 dhjetor 1869 në Le Cateau-Cambrésis, një qytet i vogël në Francën veriore, Henri-Émile-Benoît Matisse i kaloi njëzet vitet e para të jetës midis vendlindjes dhe qyteteve përreth Bohain-en-Vermandois dhe Saint-Quentin. Në 1891, u transferua në Paris për të marrë pjesë në Akademinë “Julian”, ku ndoqi kurset tradicionale të William-Adolphe Bouguereau. Më pas, përqafoi mësimet e piktorit simbolist Gustave Moreau, me pikëpamje më të hapura. Në kryeqytetin francez, Matisse kopjoi mjeshtrat e mëdhenj në Luvër, krijoi miqësi me piktorët Rouault, Pissarro, Derain dhe Signac, admiroi Monenë dhe impresionistët, u hipnotizua nga veprat e Sezanit, nga të cilat bleu pikturën “Larëset”. Në sallonin e shkrimtares dhe mbrojtëses Gertrude Stein, vendtakim artistësh dhe intelektualësh, Matisse takon Pikason. Gjatë gjithë jetës, mes atyre të dyve, do të ketë një marrëdhënie dashuri-urrejtje, rivalitet dhe vlerësimi të ndërsjellë, aq sa në vdekjen e Matisse, në 1954, Pikaso do të shprehet: “Askush nuk i ka këqyrur pikturat e Matisse më me kujdes se unë, sikurse askush nuk i ka këqyrur të miat më me vëmendje sesa ai”.

Në vitin 1905, me tablonë: “Luks, qetësi dhe sensualitet”, blerë më vonë nga Signac, Matisse eksperimentoi teknikën divizioniste, porse qe veçse një interval kalimtar para se të arrinte në një stil të karakterizuar nga tonalitete të ashpra dhe shpërthyese, të ashtuquajtura fauvisme. Ishte kritiku Louis Vauxcelles që shpiku këtë term me rastin e Sallonit të Vjeshtës në 1905. Megjithatë, për Matisse dhe shokët, emri fauves do të mbetet gjithmonë dhe vetëm një etiketë e përhapur nga kritika dhe asgjë më shumë. Artisti kthehet drejt një pikture më pak të zhurmshme, më të ekuilibruar dhe në harmoni me natyrën, nxitur gjithashtu nga udhëtimet e ndryshme të bëra në kërkim të dritës së ngrohtë dhe të gjallë të Mesdheut: së pari, në Collioure, në Kosta Vermiglia, së bashku me shoku Derain, mandej në Algjeri, Itali, Spanjë dhe Marok./

Në vitet 1920, Matisse gjeti mjedisin ideal në Nice për të vazhduar kërkimet artistike. Tani, dritaret e hapura të hasura në shumë prej pikturave të tij, nuk shohin më në bulevardet pariziene ose në magjiplotën Notre-Dame, por mbi pemë dhe kopshte, në det. Më tej, në vitin 1930, rinis udhëtimi plot frymëzime dhe sugjerime: “Unë jam piktor sedentar. Kur ëndërroj, shpeshherë mendja është e ngazëllyer prej leximit ose objekteve ekzotike. Kam udhëtuar shumë me imagjinatë dhe, meqë qartësia e dritës shndërrohet në qëllimin kryesor të punës time, më lindi pyetja: “Si do të jetë drita, në anën tjetër të hemisferës?”. […] Kjo shpjegon udhëtimin tim të gjatë, në Oqeani”.

Në fund të jetës, i dobësuar nga një sëmundje e rëndë, Matisse e braktisi gradualisht pikturën në kanavacë, për t’iu përkushtuar një forme të re shprehjeje, asaj të letrave të prera (papiers découpés): peneli ia lë vendin gërshërëve, për t’iu dhënë jetë kolazheve madhështore, gjithnjë e më magjepsëse. Prerja e figurave dhe ngjitja në letër përbëjnë një praktikë më qetësuese, por jo më pak magjepsëse. Me format dredha-dredha, ndjellëse dhe dallgëzuese, “Nudot blu” bëhen një lajtmotiv i periudhës së pjekurisë artistike. Midis 1948 dhe 1951, i shtrënguar të jetonte në karrocë, Matisse nuk iu dorëzua dobësimit fizik, përkundrazi krijoi veprën e fundit të jashtëzakonshme, atë që ai vetë do ta konsideronte kulmin e karrierës: “Kapela e Santa Maria del Rosario në Venice”, fshat i vogël ku artisti strehohet ditët e fundit të jetës. I porositur nga murgeshat dominikane, projekti përfaqëson rezultatin e një jete të shenjtëruar në art. Mjeshtri i moshuar, kujdeset për të gjitha detajet zbukuruese, nga vetratat prej qeramike, deri te veshjet priftërore.“Dua që vizitorët në kishëz, të ndiejnë lehtësim shpirtëror. Se, edhe pa qenë besimtarë, ata e gjejnë veten në një mjedis ku shpirti lartësohet, mendimi ndriçohet, vetë ndjenja bëhet më e lehtë”.

“Jeta ime, ka ndjekur një kurbë harmonike”, – i rrëfen artisti, tani afër vdekjes, asistentit të tij, Paule Martin. Edhe tablotë, tanimë janë plot me kthesa harmonike, të lehta dhe të gjalla, të populluara nga dhoma me pamje dhe vetrata, instrumente muzikore dhe peshq të praruar, pëlhura dhe arabeska, figura të plogështa femërore dhe trupa që vallëzojnë. Vepra të shpërndara në muzetë e të gjithë botës dhe që përfaqësojnë shprehjen e gëzueshme të asaj “fuqie emocionale të ngjyrës”, që Matisse, ka kërkuar vazhdimisht, gjatë gjithë jetës së tij. /Hejza/KultPlus.com

Ndahet nga jeta piktori i njohur Ali Oseku

Piktori i njohur Ali Oseku, një prej artistëve më emblematik të artit shqiptar në 50 vitet e fundit, u nda sot nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.

Lajmi është bërë i ditur nga galeria FAB përmes një postimi në rrjete sociale.

Ali Oseku (1944) u lind në Tiranë, në një familje me origjinë nga Gjakova.

Liceun artistik e mbaroi në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Pas studimeve, artisti filloi punë si skenograf në TOB.

Piktori solli frymë të re në skenografitë e shfaqjeve që ai do të projektonte, si dhe një nerv artistik të veçantë në krijimet që solli nëpërmjet pikturës së tij.

Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979. Pas kësaj periudhe, Oseku punoi si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit. Pas viteve ’90, do ishte një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase./atsh/KultPlus.com

Kel Kodheli, piktori që zbuloi psikologjinë e gruas shqiptare nën bukurinë e veshjeve kombëtare

Kel Kodheli (Shkodër, 24 tetor 1918 – Tiranë, 18 shkurt 2006) ka qenë piktor shqiptar, i brezit që u formua në akademitë italiane në vitet ’40 të shekullit XX.

Familja e tij më 1925 vendoset në Tiranë dhe Keli i ri kryeu shkollën teknike amerikane “Harri Fullz”. Njëkohësisht Kodheli ndiqte kurset e vizatimti pranë shkollës së vizatimit. Ishte student për pikturë në ateljenë e akademikut C.Siviero dhe D’amato në Institutin e Arteve të Bukura në Romë (1939 – 1943).

Me kthimin në Tiranë Kodheli caktohet në Bankën e Shtetit Shqiptar si piktor i kartmonedhave. Për shumë vjet ishte pedagog në liceun artistik “Jordan Misja”,Tiranë dhe më tej emërohet mësues i thjeshtë vizatimi në shkollat 7 vjeçare deri sa doli në pension. Që student vlerësoi delikatesën e dritës së natyrës në raport me portretin. Në vitin 1942, fitoi çmimin e parë në Konkursin e studentëve (Firence) me figurën e një vajze me veshje tradicionale italiane.

Kodheli gjatë qëndrimit në Itali, ndikohet nga arti i Ticianit, por kur kthehet në Shqipëri ai tërhiqet nga natyra dhe jeta e zonave të veriut të Shqipërisë dhe pjesën më të madhe të veprave ia kushtoi peizazheve nga këto zona, zakoneve e jetës së malësorëve.

Artisti Kodheli ishte portretist dhe ka cikle të plota veprash me portrete të ndryshëm (gra, vajza dhe burra me veshje kombëtare) gjithmonë realiste. Në këto punime mbizotëron drita e fuqishme e diellit dhe spikat dukshëm një paletë piktorike me prirje impresioniste.

Pas piktorit Simon Rrota, që trajtoi kryesisht figurat e grave shkodrane me veshje të ndryshme tradicionale, Kel Kodheli është ndër të pakët piktorë shqiptarë që krijimtarinë e tij ia kushtoi kësaj teme.

Në portretet e tij, Kodheli zbuloi psikologjinë e femrës shqiptare të kohës nën një këndvështrim tjetër, të papolitizuar, por të “zbukuruar” nga dashuria e tij për njeriun dhe veshjet kombëtare. Tablotë e Kodhelit janë më pak të “prekura” nga  “arti i komanduar”, ai ka realizuar kryesisht tablo historike dhe galeri të tëra portretesh nga populli, luftëtarë popullorë dhe tablo nga jeta dhe zakonet e festave tradicionale.

Kodheli njihet dhe për pastelet e tij, ku spikat kryesisht drita e fortë e diellit, delikatesa në trajtimin e formës dhe një paletë shumëngjyrëshe. Artisti Kodheli ishte pjesëmarrës në ekspozitën e parë të pasluftës (prill 1945) dhe i pranishëm në të gjitha konkurset, ekspozitat kombëtare dhe ndërkombëtare (Evropë dhe Australi). Piktori në vitet e fundit të jetës pikturoi natyra të qeta dhe nudo kryesisht në pastel.

Në vitin 2003 Presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekoroi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. 

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, ndodhen tridhjetërdy punime të artistit, ndërsa katër punime të mjeshtrit Kel Kodheli ruhen edhe në Galerinë e Arteve, në qytetin e Shkodrës si dhe një koleksion i rëndësishëm ruhet në studion e artistit nga familjarët e tij.

Pikturat e tij më të njohura janë: “Vallja e shpatave”, “Shote Galica”, “Bajram Curri”, “Dropullitja”, “Skënderbeu”, “Lahutari”, “Portret shkodraneje”, “Kthimi”, “Gruaja që i ka vdekur burri” (Nëna e dëshmorit)./ KultPlus.com

Kolë Idromeno, themeluesi i pikturës realiste shqiptare dhe arkitekti i veprave madhore të Shkodrës

Më 15 gusht 1860 lindi në Shkodër artisti Nikollë Idromeno.

I njohur ndryshe me emrin Kolë Idromeno, ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor këngësh shkodrane. Mban titullin “Piktor i Popullit”.

Ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, në 1919. Është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX-XX. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.

Kolë Idromeno rrjedh prej një familjeje çame të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër. Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubbi-t, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë. Në moshën 16 vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian. Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha. U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit. Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale që kishte depërtuar ndër shekuj.

Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun “Marubi”. / atsh / KultPlus.com

Piktori vlonjat Librand Dhrami hap ekspozitë në Athinë

Zyra për Interesat e Kosovës në Athinë hap dyert e saj për të mirëpritur ekspozitën e piktorit vlonjat Librand Dhrami, i cili prej afro tridhjetë vitesh jeton e punon në Greqi.

Ekspozita me titull “Antanaklaseis-Reflektime” dhe temë nga antikiteti grek, çelet ditën e enjte, më datë 1 Qershor, në orën 19:00 dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 5 Qershor.

Në ceremoninë e hapjes, nën kujdesin e drejtuesit të Zyrës së Kosovës, z. Fitim Gllareva, pritet të jenë të pranishem përfaqësues të trupave diplomatikë, oraganizma të ndryshëm, artistë, aktivistë, etj.

Referues mbi artin dhe punën e Dhramit në veçanti do të jetë piktori dhe aktori Kostas Koutsoukanidhis./ballkanweb/KultPlus.com

50 vite nga shuarja e piktorit Pablo Picasso

Sot 50 vite më parë vdiq piktori i njohur, Pablo Ruiz Picasso, në Mougins të Francës, shkruan KultPlus.

Picasso ka qenë piktor, projektues grafik dhe skulptor spanjoll, dhe konsiderohet si një nga artistët më të rëndësishëm të shekullit  XX. Ai njihet po ashtu edhe si pioner i kubizmit.

Ai gjatë veprimtarisë së tij i punoi rreth 15.000 piktura, grafika, vizatime, plastika dhe qeramika. Veprat e tij më të shquara janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe ” Guernika “.

Puna e tij ka qenë aq me peshë, aq sa ka edhe ndarje të periudhave kohore në bazë të asaj çka ka krijuar Picasso:

periudha blu 1901-1904

periudha rozë 1905-1907

periudha e influencës afrikane 1908-1909

periudha e kubizmit analitik 1909-1912

Periudha e  kubizmit sintetik 1912-1919

Picasso u martua dy herë dhe pati katër fëmijë me tre gra.

Pablo Ruiz Picasso  lindi më 25 tetor 1881 në Malaga./KultPlus.com

Prodhoi mbi 10.000 vepra unike me pika, piktori i vë flakën thuajse gjysmës së tyre

Nga galeria e artit në Londër të Damien Hirst u ngrit një re tymi gjatë së martës teksa 1000 prej pikturave të tij “me pika” u përpinë nga flakët. Mijëra të tjera do të kthehen në hi deri në fund të muajit.

Ngjarja nuk ishte një aksident. Kati i dytë i ndërtesës në Newport Street Gallery kundërmonte aromë zjarri ndërsa gazetarët dhe kameramanët u mblodhën për të parë 57-vjeçarin të ushqente me piktura flakët e një djegësi të veshur me xham, pas komentit të tij të fundit mbi artin dhe forcave që e diktojnë.

E gjitha u transmetua në ekranet e pajisjeve dhe është pjesë e projektit të Hirst, “Monedha”, që filloi 6 vite më parë me krijimin e 10.000 pikturave unike të pikëzuara. Asnjë punë nuk është identike me tjetrën dhe as dy pika në të njëjtën pikturë nuk janë në të njëjtën ngjyrë.

Hirst nuk i shiti veprat e tij, por i mbylli në një kasafortë dhe iu ofroi koleksionistëve një mundësi për të blerë një nga 10.000 NFT korresponduese. Më pas ai u dha blerësve një zgjedhje: këmbimin në veprën digjitale për atë fizike që përfaqëson ose djegien. Pronarët e 4851 prej tyre zgjodhën mundësinë e dytë.

Pavarësisht ngjyrimeve të trishta të djegies së veprave, Hirst ishte i lumtur teksa shkatërronte punën e tij, buzëqeshte, bënte mimika dhe bisedonte me gazetarët. Ndonëse i refuzoi fillimisht intervistat, artisti  iu përgjigj disa pyetjeve më vonë.  “Për mua nuk është kumar”, tha ai për pyetjen që iu drejtua nëse NFT-të vlejnë më shumë se veprat fizike, “ka vetëm art”.

Një ditë më parë, Hirst shkroi në Instagram: “Shumë njerëz mendojnë që unë po djeg art miliona dollarësh, por jo. Vlera e artit dixhital ose fizik, e cila është shumë e vështirë për t’u përcaktuar në kohërat më të mira, nuk do të humbasë, do të transferohet në NFT sapo ato të digjen”. Të prodhuara në vitin 2016, veprat origjinale janë të gjitha të firmosura, numëruara dhe me tituj unikë./KultPlus.com

103 vite nga lindja e piktorit të njohur Kel Kodheli

Piktori i njohur shqiptar Kel Kodheli, autori i pikturave të njohura si “Vallja e shpatave” ,”Shote Galica”, “Bajram Curri”, “Dropullitja”, “Skënderbeu”. “Lahutari”, “Portret shkodraneje” lindi më 24 dhjetor 1918 në katundin Kodhel të Lezhës. Kur kishte 6 vjeç, familja e tij vendoset në Tiranë, shkruan KultPlus.

Pas kryerjes së shkollës fillore në vitin 1933, Keli vazhdoj shkollimin e mesëm teknike por ndoqi kurset e vizatimit nën drejtimin e Odhise Paskalit e të Lasgush Poradecit.

Prindërit e tij babai Gega dhe nëna Eile, kishin dëshira kontradiktore për arsimin e mëtejshëm të djalit të tyre. Babai donte inxhinierinë, ndërsa nëna pikturën. U bë që Kel Kodheli të vazhdoj studimet në Romë në atelienë e Karlo Silvierës. Nga Roma kthehet në vitin 1943 dhe 10 vite punon në Bankën Kombëtare, si modelues.

Me 17 prill të vitit 1945 hapi ekspozitën e parë, titulluar “Nëna e dëshmorit” bazuar në pikturën e tij që e pat pikturuar “Gruaja që i ka vdekur burri”. 20 vjet punoi si edukator në Lice (Gjimnaz) për të dalë në pension si mësues i një shkolle fillore, edhe pse me Akademi të Arteve të Bukura të Romës.

Më 24 dhjetor 2003, Presidenti i asaj kohe Aleksandër Moisiu, në shtëpinë e tij Kel Kodhelit i dorëzon çmimin e “Piktorit të Merituar”. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, në fondin e sajë, ruhen 12 kompozime dhe 11 portrete të piktorit Kel Kodheli. / KultPlus.com

Sot ditëlindja e Ibrahim Kodrës, piktori shqiptar që la pas vetes rreth 6 mijë vepra

Ibrahim Shaban Kodra ka qenë piktor shqiptar, i konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht.

Ibrahim Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht. QSPA shkruan se pas një karriere të gjatë artistike, Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.

“Në formimin artistik të Kodrës, kubizmi i Pablo Pikasos ka pasur shumë ndikim, sidomos pas miqësisë që lindi mes tyre në Romë më 1948, e cila ra në sy deri në atë pikë sa të njëjtat gazeta spanjolle që shkruanin për Pikason, e përshkruanin edhe Kodrën si “postkubisti i fundit në Evropë”.

Në moshë shumë të re, kur ishte vetëm 20 vjeç u largua me një bursë studimi drejt Romës.

Ndër të shumtat vizita dhe periudha jetese në vende të ndryshme të botës, dallohet periudha në të cilën jetoi në disa fshatra arbëreshe në Jug të Italisë, ku me artin e tij përjetësoi shtëpitë tipike arbëreshe, të komunës së Citivas, të cilat nëpërmjet artit të Kodrës u bënë të njohura botërisht si: “Le case Kodra” (Shtëpitë Kodra)”, shkruan QSPA. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur ishte 20 vjeç (1938) dhe largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.

Ai e lëshon Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Piktori Ibrahim Kodra ekspozon veprat e tij në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poete, shkrimtarë, Kritike e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta.

Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Picasso, pikërisht në këtë temë në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, në të cilën të dy së bashku ata kryen një hulumtim të thellë artistik. /sot/ KultPlus.com