Veshjet liturgjike të klerit katolik shqiptar, të 100 viteve të fundit, janë ekspozuar për herë të parë në Muzeun e Dioqezës së Shkodrës.
Me ndalimin e fesë, veshjet liturgjike të priftërinjve u sekuestruan nga regjimi dhe në ndryshim nga pasuritë e tjera të kishës, nuk u shkatërruan, por u vendosën në muzeun ateist, duke i përdorur për demaskim.
Sot, muzeu i Dioqezës në Shkodër ka ekspozuar për publikun këto veshje, mes të cilave qëndron edhe veshja autentike e Dom Simon Jubanit.
Vlera e këtyre veshjeve qëndron tek gjetja dhe ruajtja e tyre gjatë regjimit komunist, kur feja ishte e ndaluar.
Veshjet liturgjike, janë një karakteristikë e veçantë për historinë e Shqipërisë, një vend ku feja e dënua me ligj për 50 vite. Këto veshje kujtojnë lidhjen e shqiptarëve me Zotin dhe faktin se, shqiptarët nuk e humbën asnjëherë besimin në Zot.
Krahas objekteve kishtare, zbulimeve të ndryshme arkeologjike apo veprave të artit, Muzeut të Dioqezës i është shtuar ky seksion i posaçëm, i cili të përfshin në një rrugëtim unik të prezencës së krishterimit në vendin tone. Së shpejti, muzeu pritet të fitojë dhe akreditimin nga Ministria e Kulturës./KultPlus.com