‘Vjeshtë e Artë në Kolonjë’, 70 piktura ekspozohen në sheshin ‘Rilindja’

45 piktorë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut kanë hedhur në telajo Kolonjën në stinën më të bukur, atë të vjeshtës.

Pas katër ditësh, piktorët mbyllën me sukses edicionin e dytë të kolonisë së piktorëve “Vjeshtë e Artë në Kolonjë”.

“Përfundoi me sukses edicioni i dytë i kolonisë së piktorëve “Vjeshtë e Artë në Kolonjë”, ku për katër ditë radhazi mjeshtrat e telajos u frymëzuan nga peizazhi i veçantë i kësaj treve. Rreth 70 piktura u ekspozuan në sheshin “Rilindja”, ku 15 prej tyre j’u dhuruan bashkisë Kolonjë”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

Kolonja, përveçse vitet e fundit po zhvillon masivisht agroturizmin, është edhe një nga zonat me natyrë mjaft piktoreske për piktorët.

45 piktorët nga trevat shqiptare, katër ditë radhazi ju përveshur punës për të hedhur në telajo peizazhet e bukura të vjeshtës që ka Kolonja.

Ata ulën kamalecët e tyre në Ersekë, Rehovë, Borova me 4 nëntor për ta finalizuar me çeljen e ekspozitës në sheshin “Rilindja”, ku u ndoq me interes nga artdashës dhe qytetarë të shumtë.

Gjinia e pikturës ishte peizazhi në natyrë, ku pikturat ishin në garë me njëra-tjetrën, por dhe me vetë natyrën e mrekullueshme të Kolonjës./atsh/KultPlus.com