Shqiptarja e parë deputete e Kuvendit në Kantonin e Gjenevës

Xhevrie Osmani është konfirmuar si deputete në Kuvendin e Kantonit të Gjenevës, njoftojnë burime për albinfo.ch.

Ajo ishte e nominuar nga Partia Socialiste e kantonit të Gjenevës, dhe ka marrë votat e mjaftueshme që të jetë deputete e Kuvendit, ku është bërë ripërtëritja e 100 ulëseve, shkruan albinfo.ch.

Xhevria është deputetja e parë shqiptare e zgjedhur në ketë nivel legjislativ, një sukses jashtëzakonisht i madh për të.

Zonja Osmani me rrënjë nga Gjilani i Kosovës, migroi së bashku me prindërit e saj në Gjenevë të Zvicrës, qysh si fëmijë.

Ajo në këtë qytet të njohur të diplomacisë ndërkombëtare përfundoi me sukses të gjitha nivelet e shkollimit.

Përkushtimi i saj në punë u kurorëzua me diplomim në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit shtetëror të Gjenevës.

Osmani, edhe pse e re në moshë është me përvojë në politikë. Në qershor të verës së sivjetme mbush vitin e tretë të punës së saj të suksesshme si këshilltare në komunën Meyrin të Gjenevës.

Me kusht që t’i avancojë edhe më tutje dijet ajo, bënë edhe studime shtesë në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Kriminale dhe Administrative, pranë Universitetit Publik të Lozanës, gjegjësisht atij të Bernës, ku së shpejti do të fitojë edhe gradën shkencore Master në këtë fushë./ KultPlus.com