Fillojnë xhirimet e filmit të shkurtër dokumentar-hibrid “TABLE STORIES”

Dje, më 7 shtator, në Qendrën Sportive ‘Sezair Surroi’ në Prizren filluan xhirimet e filmit të shkurtër hibrid (zhanri dokufiction) “TABLE STORIES” në produksion të SK Pictures, e subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës dhe Televizioni Kulturor Europian ‘ARTE’.

Filmi në regji dhe skenar të Samir Karahodës, është projekt që bazohet në ngjarjet e vërteta të anëtarëve të ekipit të pingpongut në që pas pranimit në Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut me të drejta të plota, e kuptojnë që nuk kanë hapësirë për stërvitje, fakt që i nxit dy entuziastë të mobilizohen për ta riaktivizuar klubin e pingpongut dhe përgatitjet për gara të mëdha ndërkombëtare. Por ata, as që janë të vetëdijshëm se çfarë i pret në këtë rrugëtim.

“Edhe pse situata me pandeminë nuk na lejoj t’i fillojmë xhirimet sipas planit origjinal, jemi të lumtur që më në fund u organizuam dhe e konsoliduam ekipën e produksionit për të filluar me xhirimet e projektit tonë të ri’, u shpreh Eroll Bilibani, producenti i filmit ‘Table Stories’ duke shtuar ‘filmi është i zhanrit DokuFiction, pra një film dokumentar me skena të rikrijuara duke u bazuar në ngjarjet e vërteta të protagonistëve kryesorë të filmit. Jam shumë i lumtur ta vazhdojë bashkëpunimin me Samirin, që e ka një vizion shumë të qartë vizual dhe artistik në portretizimin e shoqërisë në të cilën jetojmë sot përmes reinterpretimit të ngjarjeve nga e kaluara”, thuhet në komunikatën për media.

Regjisori i filmit Samir Karahoda shprehet se ‘Table Stories do të jetë një tribut ndaj talenteve të rinj të vendit, që për shkak të neglizhencës së institucioneve përgjegjëse detyrohen që vet të gjejnë zgjidhje alternative për të ushtruar aktivitetin e tyre sportiv apo edhe ti shuajnë ëndërrat. Do te jetë një projekt sfidues pasi që i gjithë filmi do të realizohet me protagonistë të vërtetë, por entuziazmi i tyre dhe dëshira për të treguar ngjarjen e tyre më bënë të besoj edhe më shumë si në ta ashtu edhe në projekt.’

Edhe pse film i metrazhit të shkurtër, ky projekt hibrid është mjaft ambicioz si nga aspekti vizual ashtu edhe për nga struktura narrative.

Filmi planifikohet të kompletohet rreth muajit maj të vitit të ardhshëm./ KultPlus.com

“Avatar” rinis xhirimet në Zelandën e Re

Kanë nisur në Zelandë të Re xhirimet e vazhdimit të filmit Avatar, pas dy muajsh bllokim si pasojë e pandemisë.

Ekuipazhi prej 55 personazhesh, përfshirë regjisorin James Cameron dhe producentin Jon Landau, zbarkuan të dielën në vend pasi udhëtuan me një avion charter me një leje të posaçme nga qeveria e Zelandës. Kufijtë janë ende të mbyllur për shtetasit e huaj dhe kjo ka çuar në polemika dhe akuza për pabarazi në trajtimin e njerëzve, situatë të cilën producenti e justifikon me përfitimin eko.

Do të gjenerojë mijëra vende të reja pune dhe miliona dollarë, thotë Landau, teksa ecën në mesin e turmës në Zelandë.

Industria e filmit në Zelandën e Re vlen më shumë se 3 miliardë dollarë në vit. Një film ndërkombëtar gjashtë-mujor mund të krijojë rreth 3,000 vende pune.

Cameron ka vite që punon me vazhdimet e “Avatar” dhe publikimi i tyre është vonuar disa herë. Seria e radhës është planifikuar të dalë në ekranin e madh në Dhjetor 2021, për t’u pasuar më pas nga tre të tjerë, deri në vitin 2027. / KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit “Derë e hapur”, në fokus historia e dy motrave

Filmi “Derë e hapur” ka bërë bashkë regjisorin Florenc Papas dhe producentin Eno Milkani. Një filmi cili sjell në role aktorë të njohur të kinemasë shqiptare, por dhe emra të rinj, një projekt me skenar nga Florenc Papas dhe Ajola Daja.

Ky është një film i metrazhit të gjatë dhe regjisori tregon se xhirimet kanë përfunduar, duke shtuar se ka shumë rëndësi në aktivitetin e tij ky projekt. “Për mua realizimi i këtij projekti kinematografik ka rëndësi dhe përgjegjësia është e madhe. Një regjisor debutant merr një përgjegjësi ndryshe nga ato të karrierës, pasi vepra e tij do ta ballafaqojë me audiencën dhe me industrinë e filmit. Nga ana tjetër përgjegjësia vjen dhe prej bashkëpunëtoreve të tu, institucioneve financiare dhe një gjë e rëndësishme është sfida që ti bën me veten”, tregon regjisori. Sipas regjisorit Florenc Papas në këtë film në qendër është njeriu i thjeshtë.

““Derë e hapur” do të jetë një film intim, ku në qendër është ai njeriu i thjeshtë me plot ndjesi dhe komplekse brenda tij”, zbulon ai për filmin e tij që ka përfunduar xhirimet. Rolet në filmin “Derë e hapur” i janë besuar aktorëve të njohur për publikun por nuk mungon dhe një djalë 5 vjeçar. “Kasti i aktorëve përshin një shumëllojshmëri aktorësh, që nga djali i vogël 5-vjeçar deri tek emra të mëdhenj të kinemasë shqiptare si Guljelm Radoja, Lutfi Hoxha dhe Sotiraq Bratko”, vijon më tej regjisori. Ai tregon se dy personazhet kryesore i luajnë emra të njohur të ekranit Luli Bitri dhe Jonida Vokshi.

“Një dyshe mjaft e mirë dhe do ta quaj me plot bindjen të suksesshëm bashkëpunimin. Surpriza më e madhe ka qenë djali i vogël, i cili mund ta quajmë kryesor në film pasi përshkon edhe ai gjithë rrugëtim dhe ai është Maxwell Guzja”, shprehet mes të tjerave Florenc Papas regjisor i filmit “Derë e hapur” që ka përfunduar xhirimet gjatë vjeshtës. Shumë shpejt regjisori bën me dije se do të fillojë postproduksioni i filmit. Projekti kinematografik i filmit artistik me metrazh të gjatë “Derë e hapur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri, Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Kosovë, por ka gjetur financime dhe nga Eurimages, SEE Cinema Network. Producent Eno Milkani, Co-producent Besnik Krap, Goran Stojilkovic, Line producer Gerta Qurku

Ngjarjet në film

Filmi “Derë e hapur” i vendos ngjarjet në ditët tona dhe zhvillohen sipas regjisorit në Tiranë, Krrabë, Prrenjas dhe Lin. Filmi ka në qendër tre personazhe, dy motrat Rudina dhe Elma dhe djalin 5 vjeçar të Rudinës. Sipas regjisorit, personazhet e tjera janë episodike, por të rëndësishme përgjatë udhëtimit të tre personazheve kryesore. “Ka këtë gjeografi, pasi zhanri i filmit i përket asaj që quhet road-movie, pra filmi ndodh në rrugëtim dhe hera- herës skenat zhvillohen në “kutinë” e veturës së personazhit kryesor.

Një hapësirë e limituar nga ana vizuale, por e fortë dramaturgjikisht për dy heroinat e filmit”, cilëson regjisori Florenc Papas. Filmi “Derë e hapur” tregon historinë e rrugëtimit të dy motrave, duke shkuar tek babai i tyre në fshat, tek e shkuara, fëmijëria e tyre. Motra e vogël kthehet shtatzënë dhe e pa martuar nga Italia. Motra madhe e pret në port dhe të dyja nisin rrugën për në fshat pa ditur se si do ballafaqohen me babain e tyre. Pas shumë peripecish dhe një mori marrëdhëniesh midis motrave, në një moment në histori ato i lidh e shkuara dhe i bën bashkë derisa ja dalin të shkojnë të babai i tyre në fshat, shkruan SotNews./ KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit “Hajnat e Kosovës”

Filmi “Hajnat e Kosovës” është komedi me një stil të lirshëm dhe gati irracional, ku përmes ironisë, batutav dhe paradokseve trajton problematikat e Kosovës, ku dikush për të mirën e vendit është bërë milioner “Sa për idare” e dikush tjetër “Sa për idare” vjedh.

Pra gjithçka në Kosovë bëhet sa për idare.

“Hajnat e Kosovës” është prodhim i Produksionit “FURRA” dhe së shpejti, varësisht nga marrëveshja, do të transmetohet në njërin prej kanaleve televizive dhe më pas do të jetë online në platformën ëëë.gjirafa.com.

Në këtë film luajnë aktorët: Bashkim Alaj,Besfort Berberi, Besart Zeneli, Blin Sylejmani, Flutur Mustafa dhe Fatos Berisha. Producent dhe skenarist është Agush Mulliqi, regjia nga Arlinda Morina ndërsa skenograf Dhurim Ismaili./ KultPlus.com

Fox: Nuk ka moral ose integritet gjatë xhirimeve

Të punosh në filma të mëdha nuk është e mahnitshme çdo ditë dhe me çdo mjet.

Ndërsa Megan Fox ka gjetur sukses si aktore e Hollywood-it, ajo është e para që pranon se ka shumë më tepër sesa ajo që shohin sytë.

Ndërsa është shfaqur në numrin e ri të revistës “Prestige” të Hong Kongut, Megan ndau disa nga përvojat e saj personale. Siç rezulton, ajo ka disa shqetësime.

“Ka disa gjëra negative shumë të errëta që shkojnë në skenë, midis aktorëve ose ndërmjet aktorëve dhe drejtorëve, veçanërisht tek aktoret. Nuk ka moral ose integritet brenda sistemit të studios. Nëse do të kishte një mënyrë për të ndryshuar këtë, do të bëja natyrisht”, ka thënë Megan, transmeton ksp.

Në intervistën e saj, Megan pretendon se ajo ishte plagosur “një milion herë në një set”, por kurrë nuk e mbylli setin e saj për shkak të lëndimeve.

“Ju nuk mund të mbyllni një set filmi. Ne zakonisht luftojmë përmes lëndimeve. Për sa kohë që fytyra juaj të duket e rregullt, atyre nuk iu intereson dhe duan të vazhdojnë xhirimet gjithsesi”, pohon ajo.

Megan shpreson se gratë mund të marrin pozicionet më të fuqishme në industri. Ajo gjithashtu shpreson se gratë mund të bëhen bashkë për të mbështetur njëra-tjetrën./ KultPlus.com

‘Klithma’ nis xhirimet (FOTO)

‘Klithma’ me skenar të Korab Lecaj e Hazir Hazirit e regji të Korab Lecajt, ka nis sot xhirimet, shkruan KultPlus.

Ky film i metrazhit të shkurtër do të trajtoj temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të pasluftës, e cila nuk është trajtuar deri më sot në një film. Përmes ‘Klithmës’ vjen dhunimi seksual i meshkujve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për nisjen e xhirimeve nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka njoftuar vetë regjisori Lecaj.

“Dita e pare e xhirimeve te filmit “Klithma”, prodhim i shtepise filmike “Land Film”, me producent Besar Zahitin, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosoves. Ekipit te filmit tim, ju them, ju dua. Na shkoft mbare deri ne fund!
#day1 #Klithma #shooting”, ka shkruar Lecaj.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Hazir Haziri, Arjola Demiri, Arbnesha Grabovci-Nixha, Alban Zogaj, Kaltrina Zeneli dhe Rajmona Ahmetaj. Filmi pritet të përfundoj në nëntor të këtij viti./ KultPlus.com