Zâ Fest, një natë magjike në zemër të Shkodrës

Edicioni i nëntë i Zâ Fest nisi midis artit, historisë dhe muzikës.

Zâ Fest është një festival që prej vitesh bashkon zërat më të veçantë të rajonit në një dialog të gjallë mes traditës dhe modernes.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, për të nëntin vit radhazi, ky festival mbetet një shembull i diplomacisë kulturore, ku kultura bëhet ura që lidh komunitetet, nxit përfshirjen dhe forcon identitetin evropian të Shqipërisë.

Pikërisht në këtë frymë, një nga pikat kulmore të mbrëmjes së parë ishte hapja e ekspozitës “Me rrojt pa ik?” një koleksion nomad me 15 piktura nga artistë të rinj të rajonit adriatiko-jonian, që trajtojnë sfidat dhe ëndrrat e rinisë sot.

Një prej tyre, Ema Bregu nga Shqipëria, solli një qasje të guximshme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.

Pas një nate të mbushur me tregime, dokumentarë dhe muzikë, festa vazhdon.

Dy netë të bukura presin qytetarët sot dhe nesër në Kalanë e Shkodrës, me muzikë e atmosferë që vetëm Zâ Fest mund t’i sjellë.

Edhe kryeparlamentarja, Elisa Spiropali ftoi qytetarët që ta ndjekin këtë festival.

“Mos e humbisni Zâ Fest sot dhe nesër, në Kalanë e mrekullueshme të Shkodrës”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.