500 libra të shkrimtarit Ernest Koliqi vendosen në pavionin e veçantë në bibliotekën e Shkodrës

“Ernest Koliqi, kthehet në shtëpi”. Me këto fjalë mund të përkufizohet aktiviteti i sotëm i mbajtur në bibliotekën e qytetit të Shkodrës “Marin Barleti” ku rreth 500 tituj nga biblioteka personale Koliqit, janë vendosur në një pavion të veçantë në bibliotekën e Shkodrës.

Kjo nisëm, është realizuar falë bashkëpunimit të Bibliotekës së Shkodrës, Bashkisë dhe Organizatës “Shejzat”.

Për studiuesin dhe drejtuesin e organizatës “Shejzat”, vendosja e këtyre 500 titujve të librave dhe mbi 300 botimesh të gazetave dhe revistave janë një pasuri e çmuar që i vjen Shkodrës.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së sallës “Ernest Koliqi” në bibliotekësn e Shkodrës ka qënë edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, së bashku me Ministren e Shtetit Elisa Spiropali.

Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903, në familjen e famshme fisnike qytetare të Koliqëve. Mësimet e mesme i kreu në Bergamo e Milano, studimet e larta – në fakultetin e letërsisë pranë Universitetit të Padovës.

Ernest Koliqi botoi disa revista, ndërmjet të cilave “Shkëndija” – në Shqipëri dhe “Shęjzat” në Romë.

Tek Shęjzat ai bashkoi penat më të forta të mërgimtarëve shqiptarë, të arbëreshëve e të shqiptarëve të Kosovës: poetë, prozatorë e studiues të talentuar, që krijuan një pasuri të vërtetë letrare, kulturore e historike, në një kohë kur në Shqipëri kishin heshtur muzat. Ernest Koliqi shkroi e përktheu shumë, në prozë e poezi. Krijime poetike të tij janë “Gjurmët e stinëve”, “Simfonia e shqipeve”, “Kangjellat e Rilindjes” e shumë vjersha, botuar ndër revista të ndryshme.

Si kryevepra të tij poetike njihen “Ditë Shëngjergjash”; “Kova” e “Bijës sime”. Sidoqoftë majat e krijimit i arriti në prozën e mesme, duke i dhuruar letërsisë shqipe përmbledhjet me tregime e novela, ” Tregtar flamujsh” dhe “Hija Maleve”./topchannel/KultPlus.com

‘Të çelen Arkapijat’, shtëpitë- muze karakteristike hapin dyert për vizitorët në Shkodër…

Në kuadër të edicionit të parë të programit “Të çelen Arkapijat”, në qytetin e Shkodrës dyert e familjeve Shurdha, Zekaj, Çekaj, Jubani e Markagjoni, shtëpi-monumente kulture të kategorisë i pritën vizitorë, që u njohën nga afër me pinjollët e familjeve dhe historitë e tyre familjare. Priti vizitorë edhe kisha e Shën Rrokut në Shirokë.

Grupe vizitorësh patën rastin të vizitonin nga afër për herë të parë disa nga këto shtëpi, që janë monumente kulture të kategorisë I. Nisëm me shtëpinë e familjes Shurdha, që trashëgimtari i saj i dha një përmasë të papërsëritshme çdo detaji. Dhoma-muze e kësaj shtëpie përbën në vetvete një pasuri historike të kësaj familjeje, përpos asaj arkitektonike. Vizita vijoi në familjen Zekja, e cila me fanatizëm ka ruajtur “odën e miqve”.

Pasditja ka vijuar në sarajet e Markagjonëve, një prej shtëpive legjendë të qytetit të Shkodrës. Vizitat janë mbyllur në shtëpinë e famijes Çeka, që, përpos historisë, të ofron edhe freskinë e saj, të menduar me aq kujdes nga të parët e kësaj familjeje. Këto shtëpi mbi 200-vjeçare, përtej peripecive gjatë dekadave, kanë ruajtur me fanatizëm atë çfarë është trashëguar në breza.

Disa nga elementet më tipike janë tavanet e varura me drunj të gdhendur, trapazani, musandra, oxhaku, muret e pikturuara etj. Falenderojmë familjen Çeka, Shurdha, Zekja dhe Markagjoni për mikpritjen, por mbi të gjitha gadishmërinë e treguar nga DRTK Shkodër, drejtuesen znj. Besara Podgorica dhe guiden arkeologun Helidon Sokoli.

Muzeu Historik i Shkodrës në ndërtesën monumentale të shekullit XIX

Muzeu Historik i Shkodrës është monumenti i radhës i përfshirë në projektin “Të çelen arkapijat”, që synon të risjellë në vëmendje objekte të trashëgimisë kulturore.

Muzeu Historik i Shkodrës nisi të organizohet që në vitin 1947, nën emërtimin “Muzeu Popullor” dhe mori formë të plotë në vitin 1949. Ai u vendos në qendër të qytetit, në një ndërtesë monumentale të shekullit XIX, vlerat e së cilës ia shtonte “Kulla e Sahatit” pranë tij.

Fillimisht u ngrit mbi bazën e koleksioneve të vjetra të kuvendeve të Jezuitëve dhe Franceskanëve themeluar që nga fundi i shekullit të XIX, si dhe nga koleksionet e familjeve shkodrane.

Në vitin 1996, Muzeu Historik i Shkodrës u transfer­ua në shtëpi karakteris­tike shkodrane që mban emrin “Oso Kuka” ku ndodhet edhe sot.

Ky muze përbëhet nga seksionet e etnografisë, arkeologjisë, artit pamor dhe bibliotekës. Si muze lokal, bën pjesë në rrjetin e institucioneve kulturore në vartësi të Bashkisë Shkodër.

“Të çelen arkapijat” është një projekt që sjell në kujtesën e qytetarëve shkodranë deriçkat që zakonisht gjendeshin në murin e kopshtit prapa shtëpive, e që shërbenin për t’u lidhur me fqinjët. Kjo traditë deri para disa dekadash mbante të lidhur njerëzit me njëri-tjetrin. Projekti synon të trokasë në portat shkodrane që t’u hapen të rinjve dhe fëmijëve dhe jo vetëm për të dëshmuar një trashëgimi kulturore që ështe ngulitur fort në shoqërinë tonë./atsh/KultPlus.com

Banesa 250-vjeçare në Shkodër, dëshmi e kulturës dhe traditës

Projekti “Të çelen arkapijat”, frymëzuar nga proza e Migjenit me të njëjtin titull, prezanton një tjetër banesë të vjetër të Shkodrës, si mundësi unike për të eksploruar dhe festuar trashëgiminë tonë kulturore.

Kësaj here është përzgjedhur banesa e familjes Çeka, Monument Kulture, Kategoria I, shpallur në vitin 1963. Banesa ruhet mjaft mirë, përsa i përket strukturës ndërtimore, ku spikasin elemente me vlerë historike, arkitektonike dhe artistike, në pjesën e brendshme dhe të jashtme të banesës.

Banesa e familjes Çeka, gëzon një strukturë solide 250-vjeçare, ndërtuar nga dy ushtarë dibranë, ku si në katin përdhes ashtu edhe në murin rrethues mbizotëron muri prej guri. Me stil oriental, kjo banesë ruan tre mjedise karakteristike me ornamente tradicionale, trapazan, musandër, sënduk paje, tavan i punuar prej druri, oxhak stolisur me ornamente dhe elemente të tjerë përbëres të mjedisit që i përkasin “odës së miqve” të periudhës së shek XVIII-XX.
Ky projekt po zbatohet nga Shoqata M.I.R.A dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në kuadër të thirrjes për mbështetje financiare të projekt-propozimeve në fushën art-kulturë-trashëgimi kulturore.

Projekti shihet si një kthim pas në historinë e qytetit të Shkodrës, në kohën kur nis emancipimi në shoqërinë shqiptare, në fillim-shekullin XX. Çelja e arkapijave shënon një kthesë për shoqërinë e kohës, ndryshim që synon lehtësimin e lidhjeve sociale dhe promovimin e lirisë së grave e vajzave.

“Të çelen arkapijat” është një projekt i shoqatës M.I.R.A, që sjell nga kujtesa në realitet disa nga dyert e familjeve shkodrane. Dyer që jo vetëm fshehin histori, por art, kulturë, trashëgimi, arkitekturë, qytetari, etj./atsh/KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë gjurmë të reja për qytetin ilir në Shkodër

Arkeologët shqiptarë dhe polakë kanë zbuluar gjurmë të reja dhe të dhëna për një qytet ilir në Bushat të Shkodrës.

Gërmimet u drejtuan nga Saimir Shpuza i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës në Poloni, në bashkëpunim me arkeologun e DRTK Shkodër, Helidon Sokoli.

Pas fushatave të mëparshme ku u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u lejua të kuptohej shtrirja e tij, gërmimet e këtij viti janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti, shkruan “ATSH”.

Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek 4 (p.e.s), sipas datimeve paraprake.

Aktiviteti në terren ka për qëllim zbulimin e plotë të planimetrisë së këtyre ndërtimeve dhe më pas të arrijë të identifikojë rolin që ato kanë pasur.

Kërkimet shqiptaro-polake në Bushat janë parashikuar të vazhdojnë për disa vite, në përpjekje për të zbuluar sa më shumë nga forma dhe historia e këtij qyteti.

Falë bashkëpunimit mes Misionit Arkeologjik dhe DRTK Shkodër, po hartohet dosja teknike për shpalljen “Zonë e mbrojtur arkeologjike” A dhe B, duke plotësuar kështu hartën arkeologjike të arealit të Shkodrës edhe me një qytet antik dhe sit arkeologjik të vizitueshëm në të ardhmen.

Misioni shqiptaro-polak, i cili që nga viti 2011 hulumton në gjurmët e Shkodrës antike, ndër vite ka nxjerrë në dritë zbulime dhe artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët të tij./tema/KultPlus.com

Festivali i filmit ‘Ekrani i Artit’ në Shkodër vjen me edicionin e shtatë

Nga data 5 deri më 9 qershor, Shkodra do të mirëpresë edicionin e shtatë të festivalit të filmit “Ekrani i Artit” me vepra të videoartit, filmit të shkurtër e të gjatë, dokumentar e fiksion, punime nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë që do të shfaqen në Kinema Republika, Art House, Galerinë e Arteve, Vendin e Dëshmisë e Kujtesës, Qendrën Rinore Arka, Auditorin Françeskan, Galerinë Oda dhe në Kalanë e Rozafës.

Nën titullin Solitude and Multitude filmat e edicionit të sivjetshëm eksplorojnë këto skaje të pandashme të ekzistencës njerëzore ku vetmia dhe shumësia, individi dhe komuniteti, thjeshtësia dhe kompleksiteti, intimiteti privat dhe dimensioni publik përvijohen mes nuancash, kalimesh e sfumaturash të panumërta.

Ndryshe nga vitet e tjera, një ekspozitë e kuruar nga Lek M.Gjeloshi e Zef Paci sjell në Galerinë e Arteve pesë artistë me instalacione video e audio, ndërsa Art House mirëpret të parën ekspozitë personale të artistes Nora Bzheta.

Në Art House do të zhvillohen gjatë ditëve të festivalit programe të ndryshme duke filluar nga “Personal narratives, family myths” të kuruar nga Sylvia Schedelbauer e duke vijuar me një përzgjedhje me videoart nga koleksioni i Fondacionit In Between Art Film të kuruar nga Edi Muka. Me 8 qershor do kemi një fokus në tre vepra video të William Kentridge nga koleksioni Moschini e Fischetti ndërsa të dielën me datë 9 një program me videoart shqiptar të kuruar nga Elsamina Musiq e Xhulian Millaj.

Ndërkohë Auditori Françeskan do të mirëpresë një program të sjellë nga Roland Sejko me nëntë filma të shkurtër të prodhuar nga nëntë regjisorë italianë ekskluzivisht me materiale të Arkivit të Instituto Luce në Romë. Programi mbledh filma nga Claudio Giovannesi, Alina Marazzi, Pietro Marcello e Sara Fgaier, Roland Sejko, Alice Rohrwacher, Giovanni Piperno, Marco Bonfanti, Paola Randi e Costanza Quatriglio. Te ky Auditor do të shfaqet ditën e diel me datë 9 edhe filmi i Eneos Çarka Another Day.

Në Vendin e Dëshmisë e Kujtesës, Santiago Sierra sjell videon e tij më të fundit The Maelström ndërsa Gentian Doda me grupin Was Bleibt Kollektiv prezantojnë filmin koreografik Gjurmë.

Qendra Rinore Arka do të mirëpresë për tre ditë shfaqjen e tre filmave të shkurtër që vijnë nga festivali i mirënjohur italian Concorto Film Festival. Të tre filmat, Night Shift, Sardine dhe Lovers ishin fitues të edicionit të vjetshëm të këtij festivali.

Dalja nga qyteti, që në dy vitet e fundit e kishte parë programin e festivalit të shpalosej buzë liqenit, këtë vit do t’i drejtohet Kalasë së Shkodrës me instalime video e projeksione fotografike nga Lek M.Gjeloshi e Sara Passerini dhe me projektimin në natën e datës 8 qershor të filmit të Wael Shawky, I am Hymns of the New Temples.

Kalaja e Shkodrës do të jetë për dy netë edhe arenë e një programi muzikor të përzgjedhur nga Rubin Beqo e Nita Deda, program i cili do përfshijë gjatë ditëve të festivalit edhe Bed Station si dhe hapësirat e ish Konsullatës italiane në Shkodër.

Qendra e festivalit mbetet Kinema Republika e cila mirëpret një seri me filma të gjatë e të shkurtër duke filluar me dy filmat e natës së hapjes nga Driant Zeneli e Roland Sejko e duke vazhduar me një program të kuruar nga Tea Paci ku përmendim filma nga regjisorë e artistë si Cecilia Vicuña, Noor Abed, Evi Gjoni, Hoda Taheri, Fabrizio Bellomo, Emilien Dubuc, Helena Wittmann, Vasilis Katsoupis, Bo Wang e Ilir Hasanaj.

Ky vit shënon edhe edicionin e tretë të punëtorisë së koordinuar nga Melisa Paci që sheh nxënësit e shkollave 9 vjeçare të dialogojnë me punën e një artisteje bashkëkohore. Këtë vit nxënësit e shkollave “Ismail Qemali” e “Miqësia”, kanë punuar për një periudhë gjashtë mujore në dialog me veprën e artistes Claudia Losi dhe punimet e tyre do të shfaqen në Galerinë Oda me datë 7 në ora 17.00.

Ish Konsullata Italiane në Shkodër do mirëpresë një program të kuruar nga Ajola Xoxa me tri vepra në video të Anri Salës, Anna Ehrenstein dhe Lek M. Gjeloshit.

Një seri bisedash e takimesh do të shoqërojne ditët e festivalit ku veçojmë prezantimin e Pavjonit shqiptar në Biennalen e Venecias me protagoniste artisten Iva Lulashi dhe kuratorin Antonio Grulli i cili do mbahet në Qendrën Rinore Arka me datë 6 Qershor, ora 16.00./ KultPlus.com

Historia e një fotografie të vitit 1938, kur në Shkodër takoheshin penat e vetëtimshme të shqipes

Ishte viti 1938. Ky vit shënonte 30-vjetorin e veprimtarisë si Ordinar Universiteti të Profesor Ernest Koliqit.  Me këtë rast u botua edhe kjo foto në të përkohëshmen, “Përpjekja Shqiptare” që, sipas revistës “Shëjzat”, (10-12, 1969) përgjithmonë kujton takimin e katër poetëve, më të njohur të Shqipërisë të asaj kohe, dy breza letrarësh – dy nga jugu e dy nga veriu – At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.

Ata kishin udhëtuar në Shkodër, të ftuar nga Ernest Koliqi me rastin e kujtimit të 30-vjetorit të tij si Ordinar Universiteti.  Në revistën Shëjzat shënohet se me atë rast, poetët u pritën nga banorët e Shkodrës me, “shfaqje të nxheta simpatije e admirimi”, për ta dhe thuhet se para një numri jashtzakonisht të madh qytetarësh, të mbledhur në Sallën e Kinema Rozafat, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u dha “mirëseardhjen dy poetëve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si Ai e kishte zanatë”.

Në revistën “Shëjzat” shënohet, shkurtimisht, në kujtim të kësaj fotografie, se asaj radhe Asdreni e Poradeci qëndruan në Shkodër për pesë ditë, kur edhe u muar kjo fotografi e ku paraqiten të bashkuar katër poetët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, e të cilët njiheshin gjtihashtu si, “përfaqsuesit ma të cilësuem të Parnazit shqiptar”.

Ashtu siç shënohet edhe në fotografi, ajo është së pari botuar në të përkohëshmen e dalluar të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë, “Përpjekja Shqiptare”, e që drejtohej nga “shkrimtari shumë me vlerë dhe nji njeri i pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merzhani”, theksohet në shënimin e revistës “Shëjzat” të Ernest Koliqit.

Është kjo një fotografi historike që tregon përfaqësinë intelektuale më të denjë të Kombit shqiptar, por nepërmjet tyre tregon edhe unitetin kombëtar në fushën e gjuhës e të letërsisë, të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të asaj kohe. Këta të katër përfaqsues unik të kombit shqiptar me të cilët do krenohej çdo popull i qytetëruar – Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe Asdreni — shpesh janë cilësuar edhe si, “katër gur themelet e binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike dhe diplomatike.”

Vet Lasgush Poradeci në një analizë rreth jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, e ka quajtur Poetin e Madh si “Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar”.  Në një shkrim botuar tre muaj pasi kishte ndërruar jetë Gjergj Fishta, në Mars të vitit 1941, Lasgush Poradeci vlerëson lartë veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës. Ja një fragment të shkurtër nga vlerësimi i Poradecit, ndaj punës fetare dhe atdhetare të Fishtës:

“Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut.

Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta është konceptuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.

Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë. Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione. Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipërinë, ky është urdhëri i çasit dhe i ditës dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut. Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi ndër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:

Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit — anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: fundi i fundit, edhè Kombi ka të drejta mbi mua”, ka shkruar Poradeci për jetën dhe veprën e mikut të tij At Gjergj Fishtës.

Me këtë citim të Poradecit të amanetit të fundit të mikut të tij të shtrenjtë — dy të mëdhejve të Kombit — na lë të kuptohet se Fishta ishte i vetdijshëm për kontributin ndaj Atdheut dhe si i tillë mendonte se me të drejtë edhe Atdheu, anasjelltas, në fund të jetës së tij kishte të drejta mbi të, pasi me lapidarian që kishte lënë pas, ai tani i përkiste mbarë Kombit.  Fati i keq e tragjik i At Gjergj Fishtës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dihet mirë, aq sa që as varri nuk i dihet dhe eshtrat ia kanë tretur, i cilësuar si “armik i popullit”, “tradhëtar” dhe “kolaboracionist”.

Po sot, pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, cili është kujtimi dhe trajtimi i këtyre katër të mëdhëjve të Kombit, përfshirë mikun e ngushtë Lagush Poradecit, At Gjergj Fishtën, që në një libër dhuruar Poetit të  madh kishte e cilësuar atë si, “Njeriun e Zotit meditans dhe militans, burrin shqiptar përfaqësonjës më të madhit epik të shekullit”.

Në këtë 80-vjetor, e botojmë këtë fotografi jo vetëm në shenjë kujtimi e falënderimi për punën e këtyre katër të mëdhejve të Kombit, por edhe si shpërblim fisnikërie ndaj këtyre dhe veprës së tyre të madhe ndaj Kombit dhe për trashëgiminë lënë pas, të shembullit të tyre të bashkpunimit vëllazëror për të mirën e Atdheut të përbashkët, dashurisë e miqësisë me njëri tjetrin, si shqiptarë të vërtetë — mbrojtës të mëdhej të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. I kujtojmë edhe si përfaqsues të përjetëshëm të “fshehtësisë e forcës dhe të fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar”, siç është shprehur, ndër të tjera, Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën. /frankshkreliKultPlus.com

Kalaja e Rozafës, 12 mijë vizitorë gjatë prillit

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër dha lajmin e mirë të rritjes së vizitueshmërisë së kalasë së Rozafës. Vetëm gjatë muajit prill ajo është vizituar prej më shumë se 12 mijë personash. Kjo shifër rezulton të jetë 3668 vizitorë më shumë se gjatë muajit prill të një viti më parë.

DRTK Shkodër fton vizitorët për një fundjavë të pasur me histori dhe një rrugëtim të mahnitshëm plot aventura të paharrueshme në gjirin e kalasë.

Në muajin mars të këtij viti kjo kala u vizitua nga 7025 vizitorë.

Investimet e kryera në kala e kanë kthyer atë në një atraksion turistik të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj. Ata shfaqin interes edhe për muzeun, ku janë të ekspozuara objekte që i përkasin Antikitetit dhe Mesjetës, si dhe mozaikun romak të shek. IV pas Krishtit zbuluar në vitet ’78-79 në pjesën e poshtme të qytetit.

Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare./ atsh/ KultPlus.com

‘Andrra në tren’, festa e xhazit nga Tirana në Shkodër, tema e edicionit të gjashtë veshjet e viteve 1950

Në ditën ndërkombëtare të muzikës xhaz është mbajtur edicioni i 6 i “Suing Maratone”. Me veshje të viteve 1950 dhe muzikë xhaz, treni i linjës Vorë-Shkodër ka shënuar edhe këtë vit një festë ndryshe organizuar nga Hemingui Tirana.

Me veshje të viteve ‘50, njësoj si në filma bardhezi, me muzikë, kërcime e hare mbërriti në Shkodër treni që udhëtoi nga Tirana në ditën ndërkombëtare të muzikës Jazz….

Swing Maratonë zhvilloi edicionin e gjashtë të saj që është kthyer tashmë në një festë traditë. Të apasionuarit pas muzikës Jazz dhe stileve të veshjeve të para 80 viteve shijuan udhëtimin “Andrra N’Tren”…..

Festës ju bashkua edhe kreu i bashkisë Shkodër Benet Beci.

Në udhëtimin që zgjat rreth 5 orë me trenin e linjës Vorë-Shkodër, pjesëmarrësit nga e gjithë Shqipëria por edhe shumë të huaj festuan nën ritmet e muzikës dhe shijuan ndalesat gjatë rrugës. Përgjatë qytetit të shoqëruar nga banda muzikore mbërritën në pedonale …

Festa nën ritmet e muzikës Jazz vijoi deri në orët e vona ndërsa iu bashkuan edhe shumë qytetarë shkodran që shijuan maratonën e Jazzit organizuar për të gjashtin vit nga Hemingëay Tirana./balkanweb/KultPlus.com

Fshati Zogaj, përfaqësues i vlerave arkitektonike e kulturore të rajonit të Shkodrës

Nëse në rajonin e Shkodrës, atë fushor dhe bregliqenor, ka një fshat që dallon për nga vendndodhja dhe organizimi i tij, ai është fshati Zogaj.

Vlera arkitektonike dhe mënyra e urbanizimit të fshatit, mbetet karakteristik, pasi thuajse çdo 30-50 metra nga rruga kryesore, ngrihen rrugica të tëra që gjarpërojnë rrëzë malit, për të kapur edhe shtëpinë më të largët në mal.

DRTK Shkodër thotë se, këto rrugica të ngushta, ndërtuar në gurë dhe rrethuar me avlli të ulta po në gurë, mirëmbahen çdo ditë nga banorët e fshatit, ndaj janë përherë të pastra dhe plot lule shumëngjyrëshe, si pjesë e traditës së Zogajt.

Rrugicat e kalldrëmta, ndërtuar shekuj më parë, pa ardhur rruga e makinës zbrisnin deri në bregun e liqenit. Ato kujtohen me shumë nostalgji e dashuri ndër breza, duke e sjellë të freskët kujtimin e tyre deri në ditët e sotme.

Zogaj gjendet 3-4 km përtej Shirokës dhe është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore e klimën alpine.

Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët./atsh/KultPlus.com

Shkodër, rivitalizim kulturor i hapësirave publike

Bashkia e Shkodrës nisi zbatimin e projektit për rivitalizimin kulturor të hapësirave publike.

Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci i cili postoi në rrjetet sociale elementin e parë të vendosur në rrugë.

“Kemi nisur zbatimin e një projekti kompleks si “Rivitalizimi Kulturor i Hapësirave Publike”. Është vendosur elementi i parë kompozues, një “prekje artistike”, e kuruar me kujdes dhe e instaluar nga skulptori Petrit Bilali dhe disa studentë të departamentit të arteve, Shkodër”, u shpreh Beci.

Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë i zbatimit të këtij projekti që i kthen hapësirat publike në hapësira kulturore./KultPlus.com

Fortifikimi i Marshejt, pasuri arkeologjike e Shkodrës

Një pasuri arkeologjike e zonës së Shkodrës është dhe Fortifikimi i Marshejt.

Fortifikimi prehistorik gjendet në fshatin me të njëjtin emër e ngrihet në një kodër shkëmbore, ku rrëzë së cilës gjarpëron dhe kanioni i Përroit të Thatë, i cili me shtratin e tij të thellë dhe brinjët vertikale, përbën një mbrojtje natyrore për vendbanimin.

Në majën e kodrës ruhen gjurmët e një muri prehistorik, që e rrethonte atë nga të gjitha anët, duke krijuar një planimetri eliptike. Pikërisht këtu ruhet ende një segment muri prej rreth 150 metrash, me trashësi prej 2,70 metrash dhe në një lartësi prej rreth 1 metri. Përbëhet nga dy faqe të ndërtuara me gurë të papunuar, të vendosur pa rregull. Brendësia është mbushur me gurë më të vegjël dhe çakull të trashë. DRTK Shkodër shprehet se për nga teknika e ndërtimit, Fortifikimi i Marshejt duket më primitive se muret e vendbanimit të Gajtanit./ atsh / KultPlus.com

Festivali mbarëkombëtar i humorit rikthehet pas 30 vitesh në Shkodër, do të mbahet në muajin maj

Pas 30 vitesh mungesë, Shkodra, do të riktheje Festivalin Mbarëkombëtar të Humorit.

Puna ka nisur për përzgjedhjen e talenteve të reja në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ndërsa pjese e trupës së humorit do të jenë edhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Diasporës.

Drejtori Arian Çuliqi, thotë se rikthimi i këtij aktiviteti madhor synon krijimin e një trupe të re humorit mbarëkombëtar që do të jetë e ardhmja.

Festivali i konceptuar si një festë e madhe humori, në muajin maj, nuk do të zhvillohet vetëm në skenën e teatrit, por do të shtrihet në të gjithë qytetin. Pjese e këtij aktiviteti do të jenë edhe “Mjeshtrat e Mëdhenj” të humorit shqiptar. /Top Channel /KultPlus.com

‘Marubi’ rekord vizitorësh, mbi 18 mijë turistë në muzeun e fotografisë në Shkodër

Numri i lartë i turistëve që vizituan Shqipërinë u reflektua në të gjitha muzetë dhe uebsajtet arkeologjike të cilat pritën shifra rekord vizitorësh.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në Shkodër e vlerëson vitin që lamë pas si më të suksesshmin që nga ndërtimi i këtij muzeu .

Drejtuesi Luçian Bedeni tha se mbi 18-të mijë turistë vizituan muzeun, shifër kjo më e larta e regjistruar ndonjëherë.
Risi këtë vit është shtimi i numrit të rinjve të cilët vizituan muzeun.

Nëse viti 2023 u mbyll me shumë sukses, viti ri 2024 premton shumë surpriza për dashamirësit e fotografisë të cilët do kenë mundësinë të shijojnë koleksione të famshme ndërkombëtare duke e renditur kështu muzeun e vetëm kombëtar të fotografisë në vend mes muzeve më të rëndësishëm në Evropë./euronewsalbania/KultPlus.com

Turizmi në Shkodër, 4 ide zhvillimi i shtohen platformës TIP

Platforma Inovative e Turizmit (TIP) ka mirëpritur gjatë këtyre javëve profesionistë të turizmit, guida dhe operatorë turistikë, strukturat e mikpritjes, për të krijuar modele alternative të turizmit, produkte turistike që ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore, janë miqësore me mjedisin dhe kanë potencialin për të sjellë në vëmendje një destinacion turistik.

Rrugëtimi i identifikimit të TIP-ave të turizmit u mbyll të mërkurën me shumë emocione në Shkodër.

9 ide të reja për aventurën, liqenin, traditën, zakonet, kullat dhe natyrën u prezantuan me shumë entuziazëm nga profesionistët e turizmit lokal.

Platforma Inovative e Turizmit (TIP) i shtohen edhe 4 ide shkodrane që do të mbështeten për zhvillim në produkte turistike të reja: 1. Shtegtim te rrâja; 2. Amëza e Dheut; 3. Shtegu i Bleve; 4. Rreth liqenit me biçikletë.

Organizatorët e TIP falenderuan të gjithë aktorët që kontribuan me ide, kohë dhe dedikim për ta bërë TIP një rrugëtim të bukur.

TIP bën të ditur se, do të nisë punën vitin që vjen, në 2024, duke impelementuar 21 eksperienca të reja që vijnë direkt nga sektori turistik, anembanë Shqipërisë.

Ndërsa Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bën të ditur se, “nëpërmjet TIP synohet të aktivizohen veçanërisht aktorët lokalë të turizmit dhe ata të rinj të cilët kanë dëshirë ta kthejnë turizmin në profesionin e tyre, duke i ftuar të japin ide për zhvillimin turistik të territorit të tyre”./atsh/KultPlus.com

Përvjetori i themelimit të Kolegjit Jezuit në Shkodër

Më 17 tetor 1877, hapi dyert Kolegji Saverian i Etërve Jezuitë në Shkodër.

Ndër kontribuesit kryesorë veçohet Atë Luigji Maca, i cili dhuroi një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij (1100 napolona), si ndihmesë për themelimin e shkollës.

Të angazhuar në çeljen e këtij institucioni arsimor qenë edhe subjekte laike të familjeve të njohura shkodrane Muzhani, Sima, Saraçi dhe Shiroka.

Fillimisht kolegji pati një orientim tregtar, për t’u drejtuar më tej kah një qasjeje klasike. Pjesëtarët e stafit pedagogjik, të krahasueshëm për nga përgatitja me sivëllezërit në shkollat e mesme më të mira të Evropës Perëndimore, ishin në të shumtën e rasteve autorë tekstesh apo veprash me karakter letrar, gjuhësor, historik, filozofik etj.

Mes tyre, përmendim: Atë Jak Jungun, Atë Anton Xanonin, Atë Fulvio Kordinjanin, Imzot Bonatin, Filip Ashikun, Gaspër Benusin, Pjetër Marubin, Kolë Demën, Dom Ndre Mjedën dhe Mati Logorecin.

Pas rënies së regjimit komunist, kjo shkollë do të rimëkëmbej me emërtesën “Atë Pjetër Meshkalla”, meshtar i “Urdhrit Jezuit”, si edhe një prej mësuesve të ish-Kolegjit Saverian./atsh/KultPlus.com

TUBA fest, festivali që frymëzohet nga tradita shqiptare e muzikës për dy ditë në Kalanë e Shkodrës

Shkodra do të mirëpresë gjatë kësaj fundjave TUBA fest mes shumë aktiviteteve kulturore dhe sportive.

Bashkia Shkodër ka mirëpritur kërkesën e organizatorëve dhe ka ofruar bashkëpunim për realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore që pasuron jetën e qytetit dhe e promovon atë, sidomos te të rinjtë.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka zhvilluar një takim me Mersin Gogla dhe Endri Nasufi, përfaqësues të Concept Marketing Albania, të cilët e organizojnë këtë festival në qytetin e tyre të lindjes të cilët kanë ngritur edhe kompaninë e tyre në Tiranë.

Ky festival muzikor përgjatë dy ditëve do të sjellë në Kalanë e Shkodrës performancat live të artistëve dhe grupeve shqiptare më me zë.

Në bashkëpunim me organizatën “New Vision” dhe me mbështetjen e Ministria e Kulturës e të një sërë sipërmarrjesh private, TUBA Fest frymëzohet nga tradita shqiptare e muzikës dhe kohës mes miqve, por tashmë me një prekje moderne dhe që i fton të gjithë në datat 15-16 shtator në Kalanë e Rozafës. / atsh / KultPlus.com

Nata e parë e Varg Festival në Shkodër

Varg Festival nisi në Shkodër, me një mbrëmje tejet të veçantë kushtuar artit të bukur të poezisë dhe shpirtit krijues. Poetja shkodrane Ledia Dushi dhe poeti nga Serbia, Patar Metoviç dhuruan për të pranishmit emocione duke interpretuar poezi si një moment reflektimi për praninë e poezisë në gjuhën shqipe.

“Varg Festival” do të vijojë rrugëtimin për dy netë me radhë sot e nesër (23-24.08.2023) duke i dhënë jetë metaforës së takimit të vargjeve në kuadër të fushatës “Libri dhe Turizmi” të ndërmarrë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Do të jenë të pranishëm poetë interesantë si Moza Ahmeti e Brunilda Zllami, artisti Lek Tasi e shumë emra të tjerë që mbeten për t’u zbuluar.

Aktiviteti letrar është pjesë e sezonit veror “KultArt” 2023, që organizohet nga Ministria e Kulturës, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër. Aktiviteti sot do të zhvillohet në Muzeun Historik të Shkodrës, në ora 19:00./atsh/KultPlus.com

Artisti 94-vjeçar Lekë Tasi, ekspozitë në Shkodër

Galeria Oda në Shkodër çeli ekspozitën e artistit Lekë Tasi.

Piktori 94-vjeçar e ka titulluar ekspozitën e tij “Përsëri n’Shkodër” dhe ka sjellë një pjesë të punimeve të tij në pikturë, frymëzuar nga rrymat e artit të shekullit XX.

Ekspozita është vizituar edhe nga një numër i madh të rinjsh, artistësh e shkrimtarësh të qytetit të Shkodrës.

Galeria Oda organizoi edhe një takim mes piktorit dhe një grupi të rinjsh shkodranë. Nxënës të shkollave të mesme, si dhe studentë të Universitetit të Shkodrës kanë pasur kureshtje për të folur me artistin lidhur me krijimtarinë artistike, vështirësitë dhe muzat frymëzuese.

Lekë Tasi i këshilloi të vizitojnë galeritë e Europës, që të shohin artin muzeal apo atë në galeri.

Leke Tasi ka lindur në 1929 në Athinë, në një familje me origjinë përmetare. Fillimisht ju kushtua muzikës e veçanërisht violonçelit. Punoi në orkestrën e Radio Tiranës, në Filarmoninë e Shtetit dhe në Teatrin e Operas, ndërkohë që paralelisht merrej dhe me pikturë, duke ekspozuar në disa ekspozita, deri sa më 1975 internohet familjarisht në Grabjan të Lushnjës.

Me ardhjen e demokracisë Tasi ka pasur një sërë ekspozitash vetjake si dhe ka marrë pjesë në të tjera. Tri nga punimet e tij gjenden në Galerinë Kombëtare të Arteve, në teknikën e ngjyrave të vajit, të cilën vazhdon ta preferojë sot e kësaj dite. / atsh / KultPlus.com

Të rinjtë e Shkodrës riprodhojnë simbolet grafike të etnokulturës

Në vazhdën e Ditëve të Trashëgimisë Kulturore, DRTK Shkodër ka organizuar një aktivitet në një prej banesave karakteristike të qytetit të Shkodrës, në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Profesionale “Hamdi Bushati” si dhe Shkollën e Mesme Artistike “Prenk Jakova”.

Nxënësit e këtyre dy shkollave dhe specialisti i DRTK Shkodër, Petrit Bilali, sollën dimensionin artistiko-kromatik të elementëve të trashëgimisë jomateriale mes ngjyrash e interpretimesh në miniaturë të xhubletës, ndërthurur me copëza të interpretuara në dimensione artizanale, të detajeve dekorative të saj.

Përmes teknikave të qëndisjes, të rinjtë riprodhuan në gjergjef dhe telajo simbole grafike pasqyruese të etnokulturës shqiptare, të ruajtura në këtë veshje të lashtë të popullit tone, që manifestojnë ngjizjen e elementëve të dy aspekteve magjike të trashëgimisë kulturore asaj arkitekturore dhe jomateriale. / atsh /KultPlus.com

Nis hartëzimi i banesave “Monument Kulture” në Shkodër

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër ka nisur punën për konceptimin e emërtimeve dhe hartëzimin e të gjithë banesave me status “Monument Kulture”.

Nëpërmjet aplikimit të punimit artizanal të pllakatave të mermerit, do mundësohet evidentimi i këtyre monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë.

Petrit Bilali, skulptor pranë DRTK Shkodër, do të realizojë prerjen, gdhendjen, skalitjen dhe më pas vendosjen e pllakateve që do të shërbejnë si elementë orientues dhe dekorativë për të evidentuar veçansinë e këtyre banesave për publikun.

Kjo punë do të sjellë lehtësi si për vendasit, ashtu dhe për turistët në orientimin e tyre në qytet, si dhe për identifikimin e objekteve që përbëjnë interes për ta./atsh/ KultPlus.com

“Për ty babë”, sopranoja Inva Mula koncert homazh në Shkodër

U rikthyen aty ku prindërit e tyre Ibrahim Tukiçi dhe Avni Mula e nisën karrierën artistike me koncertin homazh i titulluar “Për ty babë”.

Diva e skenës Inva Mula dhe maestro David Tukiçi u ngjitën pas shumë vitesh në skenen e Teatrit Migjeni.”

Emocionet e dhuruara ishin të mëdha. / KultPlus.com

Asdreni e Lasgushi në Shkodër, pritja madhështore me bandë muzikore dhe fjalimi prekës i Fishtës

Enigma e një fotoje të shkrepur në Shkodër nga Marubët, më 16 shkurt të vitit 1938, lidhet me një ngjarje të rrallë, historike për kulturën. Është një foto ekskluzive në “çajin e profesorëve të Gjimnazit Shkodër”. Fotoja fillimisht është publikuar para pak kohësh nga e bija e Lasgush Poradecit, nxjerrë nga arkivi i poetit, ku ruhej prej 80 vjetësh.

Historia duket e thjeshtë: Asdreni, i plakur tashmë, po vinte për një vizitë në Shqipëri, i ftuar në Shkodër nga shoqëria e arteve të bukura “Rozafat”, të cilit iu bashkua edhe Lasgush Poradeci. Për nder të kësaj vizite u organizuan tri ditë festime. Shtypi i kohës e ka pasqyruar gjerësisht këtë ngjarje, udhëtimin e dy poetëve në Shkodër, duke u pritur “me shfaqje të nxehta simpatie e admirimi”. Para një publiku jashtëzakonisht të dendur, në sallën e kinema “Rozafat”, Atë Gjergj Fishta u dha mirëseardhjen dy poetëve toskë, duke mbajtur një fjalim të jashtëzakonshëm. Në fund: Përqafim patetik, me lot e fjalë ngashëryese nga Asdreni, duke prekur gjithë popullatën e mbledhur në nderim të tij.

Fotoja dhe kronika e ngjarjes publikohet në “Përpjekja” e Branko Merxhanit, si dhe në gazetën “Drita”, në këtë të fundit del një botim i posaçëm, me foton e rrallë të Fishtës gjatë ligjëratës për Asdrenin, të gjendur në Bibliotekën Kombëtare, bërë nga Marubët.

  • Në çajin e profesorëve të gjimnazit në Shkodër, shkurt 1938

Në grupin e të ftuarve që dhanë koncert, ishte edhe sopranoja Tefta Tashko Koço, si dhe pianistja Lola Aleksi, të dyja personalitete të kohës, të cilat, në nderim të Asdrenit, luajtën për herë të parë pjesë nga opera “Traviata”.

Shoqëria “Rozafat” ishte bujtësja e personaliteteve, e cila kishte 20 vjet jetë, dhe pak ditë para kësaj ngjarjeje kishte kremtuar 20-vjetorin e themelimit të saj, duke shënuar një rast unik në Shqipëri, për kontributin në artet e bukura, pothuaj në të gjitha fushat.

Por, nxitur nga përmbajtja e fotos, prej ku zbardhet kronika e kësaj ngjarjeje, një tjetër personazh historik, drejtor e mësues i gjimnazit të Shkodrës, Gasper Ljarja, bën një organizim të befasishëm duke nxjerrë në rrugë bandën e Shkodrës së asaj kohe, për të nderuar dhe për të pritur Asdrenin e Lasgushin. Këta dy poetë nuk ishin rastësisht së bashku në udhëtimin e Shkodrës. Çfarë dallon në këto marrëdhënie të viteve ’30, është vlerësimi dhe koshienca për vlerat e këtyre personaliteteve, duke i nderuar në kohë reale. Asdrenin dhe Lasgushin e lidhte një miqësi e jashtëzakonshme, ku njihemi se Asdreni e ka ndihmuar kur ai kishte vështirësi financiare gjatë studimeve në Austri, si rezultat i mosdërgimit të bursës.

Por viti kur Asdreni u ftua në Shqipëri, ardhur nga Bukureshti, me nismën e Koliqit, ministër Arsimi në këtë kohë, përkonte me kremtimet e 25-vjetorit të shtetit shqiptar, dhe ishte një kujdesje e posaçme e shtetit shqiptar për dy poetët.

Më poshtë botojmë të plotë kronikën e ngjarjes, çfarë ndodhi në kinema “Rozafa” më 1938, botuar në gazetën “Drita”, e përditshme nacionale, si një numër i posaçëm më 13 shkurt.

Çfaqje artistike për nder të vjershëtorit plak, z. Aleksandër Drenova

Shkodër, 13-Sikur e dini, kemi tash nji javë në mes t’onë atdhetarin e vjershtarin plak, zotin Aleksandër Drenovën (Asdren), i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë nji idhull (idol) i atdhetarëve, jo vetëm të Shkodrës, por i të tanë Shqipnis. Pse, jeta e Asdrenit, asht nji brilant qi shkëlqen madhnueshëm ndër virtyte e vepra atdhetarije, sikur e vërtetojnë botimet e tija krejt urti e flakë dashunije për atdhe. Qarqet e Shkodrës, pra intelektuale-patriotike, ndijnë nji gëzim të jashtëzakonshëm qi kanë pasun fatin e mirë t’i shohin syt e t’i ndigjojnë kuvendin këtij atdhetari letrar. Dhe kët gëzim e kënaqë të posatshme e provojnë prej se:

a) Asdreni qe ndër puntorët ma të parë të shvillimit t’ides kombëtare, asht nji veteran prandej në kuptimin ma të këthellë qi ka fjala;

b) Asdreni nderoi përherë secilën vepër qi qe në dobi t’atdheut pa u tërhjekë prej kurrnji pasioni dhe pa vështrue se çelsi a misjoni kishte në jetë ai qi e kryente;

c) Asdreni qëndroi përherë larg ndërlikimesh e kundërshtimesh të pjelluna përgjithësisht prej rase a nakari.

Në fund Asdreni, tërhjekë të gjitha zemrat e atdhetarëve të mirë e të drejtë, pse asht urtoja apo modestija e mishnueme.

Të gjitha këto arsye e shtynë Shoqnin e Hartëve të bukura të Shkodrës “Rozafat”, të bajnë të vetin dishirin e intelektualve dhe atdhetarve të qytetit t’onë për t’i çfaqun këtij patrioti letrar, me anën e njij manifestale publike e të çqueme, nderimin e  miradijen për shërbimet qi i ka bamë kombësisë.

Edhe, të shtundën në mëngjes më 12 të këtij moji, mbas njij vendimi qi mirrte Këshilli i Shoqnisë “Rozafat” dhe pregatitjeve të para qi bante, i çpallte popullit të Shkodrës se, për nderë t’Aleksandër Drenovës, po ipte, në sallën e Kinemas “Rozafat” nji koncert me anën e orkestrës së saj, tue marrë pjesë edhe artistët shqiptarë, Zojushat Tashko e Aleksi. Çpallja njoftonte edhe se poeti kombëtar, At Fishta do të hapte çfaqjen artistike me nji ligjëratë të tij simpathije ndaj Mikut e çquem qi ka urdhnue në Shkodër.

Menjëherë pas kësaj çpallje, të gjitha lozhat, parterre dhe galeritë e kinemas “Rozafat”, u kaparuan. Në kohën kur po fillonte koncerti, s’kishte jo vend për të ndejun, por as nji pllambë shesh për të lëvizë. Publiku pothuej as frymë nuk mirrte me kaqë respekt e urti qëndronte. Të dukej sikur t’ishe në nji tempull e jo në nji sallë theatric. Vetëm, kur mërrijtën poetent Fishta, Asdreni, Lasgushi e Ernesti, për të cilët ish rezervue nji lozhë e posatshme pranë palkit, shpërthyen duertroktijet në të katër anët.

Çfaqja artistike nisi me marrjen e njij cope muzike prej anës s’orkestrës së Shoqnis “Rozafat” dhe, fill mbas kësaj, duel në palko At Gjergj dhe nisi ligjëratën nën heshtjen e plotë të publikut. Përkujtoi, ndër fjalët e tija të thjeshta, kohën e robnis e peripetit dhe andrrat e asaj kohe dhe shënoi shkurtazi veprat e ndryshme qi kanë krye ata qi u përpoqën për shvillimin e idealeve kombëtare, tue ramë edhe dëshmorë për ta.

Tha se këta ideale i ngjalli e i plazmoi fuqija e fjalës së shkrimtarëve e sidomos të poetenve kombëtarë dhe theksoji se nji prej këtyne asht Aleksandër Drenova, ai për të cilin po bahej ajo manifestatë prej anës së popullit shkodranë në shej nderimi dhe evarije. Shoqnis “Rozafat” qi kishte organizue kët çfaqje i drejtoj përgëzimet e tija dhe i uroi ditë përherë ma të mira për përparimin të kombit e lumni t’Atdheut e të Fronit. Duertrokitjet, mbas këtynë fjalve, plasën në të katër anët dhe vazhduen për nji kohë të gjatë.

Në kët moment, duel në palko Aleksandër Drenova, i cili, i prekun aqë thellë në zemër për çfaqjet qi iu drejtojshin, nuk muejti të nxjerrë fjalë prej goje, por përqafi me nji thjeshtësi At Gjergjin, përqafje qi ju këmbye po me at semplicitet, çka provokoi duertrokitje e enthusjasëm aqë të thekshëm në publik sa ishin asish qi nuk mbajshin lotët. Ky akt, duem me thanë përqafja e dy vjershtarve në palko, qe me të vërtetë pathetik e i madhnueshëm.

Mbasi mori nji copë tjetër orchestra, Ernest Koliqi, duel në palk me nji djalë të vogël, të nipin e dëshmorit Zef Harapit, të cilin e paraqiti tue thanë se do të lexonte nji  vjershë patriotike t’Asdrenit nji prej aso vjershash qi ngallnuen axhen e tij për të dhanë jetën për atdhe. Leximi i vjershës provokoi duertrokitje tjera të zjarta e të parreshtuna.

Mbrapa mandej vazhdoi eksekutimi i copave t’orkestrës dhe të këndimit të Zojushës Tashko e përcjellun me piano prej Zojushës Aleksi.

Zojusha Tashko, sikur dy netë ma parë, tregoi nji aftësi të çqueme në këndim dhe zotnimin e njij zani të pastër dhe të shprehjeve lirike. Artistija e ynë u çfaq në naltësin e hartit të saj sidomos në këndimin e copës së Traviatës, Follie, Follie, të cilën e këndoi plot mjeshtëri e gjallni në fund të koncertit.

Gjithashtu, tregoi zotsi e shkathsi të çqueme në piano Zojusha Aleksi. Si sosi koncerti, z. Aleksandër Drenova, falenderoi publikun nga lozha ku kish zanë vend. Edhe ky e drejtoi përsëri duertrokitje dhe çfaqje nderimi ma të përzemërt e të nxehtë. Asdreni po vazhdon të vizitojë institutet kulturale të qytetit t’onë. Trupi i profesorave të gjimnazit shtetnuer e ftoi në drejtorin e shkollës dhe e gostiti me nji vermouth, ku morën në grup edhe nji fotografi kujtimi.

Violeta Murati / KultPlus.com

“Prandverë me kangë”, koncerti i shumë munguar rikthehet në Shkodër

Koncerti “Prandverë me kangë” edhe këtë vit u rikthye si një buqetë me lule për Shkodrën e shkodranët.

Një traditë tashmë e konsoliduar, festivali nisi mbrëmjen e djeshme përballë godinës së teatrit “Migjeni”.

Ky koncert hapi siparin e aktiviteteve kulturore të shumë munguara në këtë qytet për shkak të pandemisë COVID-19 i cili ishte bërë shkak për mbylljen e jetës artistike jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

Në këtë koncert të organizuar nga bashkia e qytetit të Shkodrës dhe nën udhëheqjen artistike të muzikantit Ilir Zoga, i interpretua një repertor i përzgjedhur dhe i interpretuar nga artistët më në zë të qytetit.

Për rreth dy orë artistët interpretuan 18 këngë të njohura për publikun i cili edhe këtë herë ishte i detyruar të ishte i reduktuar dhe të zbatonte me kujdes normat e kufizimeve të vendosura nga autoritetet.

“Shpresojmë që edhe këtë herë te kemi sjell për publikun një mbrëmje të këndshme dhe t’a kemi kurorëzuar këtë mbrëmje ashtu sikurse edhe është emërtuar me titullin “Prandverë me kangë”. Këto kohë ka pasur një mungesë të ndërsjelltë si nga ana e publikut por edhe e artistëve”, u shpreh udhëheqësi artistik Ilir Zoga.

Ndërsa artistët shprehen se “kishim pasur vërtetë shumë nevojë për të qenë pranë publikut dhe këtë mungesë e kam ndjerë edhe ata vetë”.

“Është shumë i nevojshëm që të krijohet kontakti i drejtpërdrejtë midis artistit dhe spektatorit”, u shpreh njëra nga këngëtaret që përformoi live./atsh/ KultPlus.com