Ana Naqe & Zamir Kabo me vepra të Bethoven, Bellini dhe Strauss magjepsin publikun në Chopin Piano Fest

Vjollca Duraku

Nën hijeshinë e dritave kuq e zi, në koncertin e nëntë të Festvalit Chopin Piano Fest sopranoja Ana Naqe dhe pianisti Zamir Kabo kanë magjepsur publikun përmes interpretimit të tyre brilant me vepra nga repertori vendor dhe botëror, shkruan KultPlus.

Dy artistët shqiptarë me një karrierë të bujshme nëpër teatro të njohura, për herë të parë mbrëmë kanë interpretuar para publikut në Kosovë, specifikisht në skenën e cila për 15-të edicione ka pritur artistë të ndryshëm nga mbarë bota, ku edhe kanë përcjellë emocione të jashtëzakonshme.

Një aurë rrezatuese përshkonte sopranon Naqe, e cila interpretimin e filloi me veprën “Allerseelen” nga Richard Strauss. Koncerti vazhdoi më pas me “Unverganglichkeit” nga Erich Korngold. Kurse vepra “Casta Diva- Norma” nga Vincenzo Bellini ishte kryevepra që ka nxori në pah një përjetim të thellë shpirtëror të artistes, një timbër kristalor që rrënqethte publikun deri në shpirt.

Naqe mbrëmë jetoi në çdo fjalë dhe çdo notë. Ajo me vete solli edhe përvojën e marrë nga teatrot e njohura si: Theatre Royal de la Monnaie, Grand Theatre du Luxembourg, Theatre du Chatelet në Paris, Teatro Solis në Montevideo, Opera Flamande, Opera Royal de Wallonie-Liege dhe festivalin Bregenzer Festspiele.

Vepra e tretë interpretuese ishte “Sonate Op.31  No. 2 First Moment” nga Ludwig van Bethoven, të cilën në mënyrë mjeshtërore e solli pianisti Zamir Kabo. Ndërkaq, vepra “Rhapsodie Espagnole” nga Franz Liszt ishte një interpretim me të vërtetë i rrallë. Me këtë performancë ai ishte bërë një me instrumentin e pianos, prej nga nxjerrte edhe tingujt më të rafinuar të mundshëm.

Pianosti Kabo është fitues i çmimeve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare si: çmimi i dytë në Konkursin Kombëtar të Pianos EPTA- Tiranë, çmimi “Absolut” në konkursin kombëtar EPTA- Vlorë dhe çmimi i parë në konkursin prestigjioz EUTERPE- Itali.

Përveq, “Gluck Dass mir verblieb- Die Tote Stadt” nga Erich Korngold dhe La Luce langue Macbeth” nga Giuseppe Verdi, këtë mbrëmje u interpretuan edhe veprat e njohura vendore “Agimet Shqiptare” nga Avni Mula dhe “N’at zaman”.

Pas koncertit, sopranoja Naqe ka thënë se ndihet jashtëzakonisht e lumtur që ka qenë pjesë e edicionit të 15-të të Chopin Piano Fest.

“Jam tepër e lumtur që isha pjesë e këtij festivali. Është hera e parë që interpretoj në Prishtinë. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm edhe për faktin që është hera e parë që performoj me Zamirin, me një laramani të programit duke filluar nga Liszt, e për të përfunduar me këngë shqiptare. Më pëlqeu shumë Prishtina. Njerëzit janë shumë të ngrohtë, shumë të dashur dhe të qetë. Vërtetë u kënaqa jashtë mase, e shijova shumë këtë mbrëmje”, ka thënë sopranoja Naqe.

Edhe për pianistin Kabo pjesëmarrja në Chopin Piano Fest përbënte një emocion të jashtëzakonshëm.

“Ishte një emocion i veçantë. Kishte kohë që po e kërkonim një bashkëpunim dhe më në fund u realizua. Ishte kënaqësi të interpretoj në një festival i cili tashmë është rikthyer në traditë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për skenën kulturore shqiptare. Bashkëpunimi me sopranon Naqe ishte shumë i frytshëm nga ana artistike. Ne mësojmë nga njëri tjetri, sidomos nga një këngëtare siç është Naqe me përvojë ke mundësi të mësosh gjithmonë gjëra të reja” ka thënë pianisti.

Ndërkaq, drejtoresha artistike e Festivalit, Lejla Pula ka thënë se artistët nga Shqipëria kanë një vend të veçantë në çdo edicion të “Chopin Piano Fest”.

“Jam shumë e kënaqur sepse edhe sonte si në të gjitha këto edicione kishim artistë nga Shqipëria, të cilët ne i ftojmë me shumë dëshirë. Sivjet kishim dy artistë që performuan për herë të parë në Kosovë. Ishte Ana Naçe, soprano shqiptare që jeton në Bruksel dhe Zamir Kabo, i cili është vërtetë një pianist i talentuar. Kabon e kam dëgjuar për herë tëparë në vitin 2006 në Vlorë, ishte kënaqësi që ta dëgjoj pas 19 vitesh në skenën tonë. Ishte kënaqësi  për si për ne, po ashtu edhe për ata që të jenë në mesin tonë. Patëm mundësi të shijojmë muzikën vokale dhe sopranon Ana Naço, e cila i këndoi disa arie shumë të njohura. Vërtetë u kënaqëm me muzikën sonte me arritjet e tyre në aspektin teknik, muzikor, dhe artistik të tyre”, ka thënë drejtoresha Lejla Pula.

Koncerti i radhës i Chopin Piano Fest mbahet me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe pianisten Sofya Gulyak, nën dirigjimin e Peter Valentoviç më 30 maj, në ora 19:30, në Sallën e Kuqe./ KultPlus.com