Zbulohen gurë të varrezave dardane në Pavlan të Pejës

Realizimi i projektit për rregullimin e hapësirës publike në hyrje të fshatit Pavlan të Pejës i ka zbuluar gurët e varrezave, që supozohet të jenë të kohës paleokristiane, të shekullit V-VI. Në atë lokacion para disa ditësh janë shfaqur në sipërfaqe pesë gurë të madhësive të ndryshme, të gdhendur në formë të kryqit. Njëri prej gurëve është dërguar në Muzeun Etnografik të Pejës.

Arkeologu Sefer Lajqi, shef i sektorit të arkeologjisë në këtë muze, ka thënë se lokaliteti ku janë gjetur këta gurë ka të bëjë me varreza të vjetra mesjetare, shkruan koha.net

“Në bazë të gurit shtufor, i cili është i prerë në formë të kryqit, mund të them që kemi të bëjmë me një varrezë mesjetare. Këtu e kemi marrë një gurë, në të cilin në pjesën e sipërme është i gdhendur edhe një kryq i vogël që është simbolikë religjioze e besimit krishterë te paleokristianët, në periudhën e shekullit V apo VI. Këta gurë zakonisht vendosën te koka e të ndjerit. Prandaj mund të supozoj se janë varreza mesjetare paleokristiane”, ka dhënë Lajqi. Nga të dhënat ende të pakonfirmuar, ka shtuar Lajqi, thuhet se 500 metra larg atij lokacioni ku janë gjetur gurët e varrezave gjenden edhe themelet e një kishe, e cila, siç supozon ai, është paleokristiane.

Prandaj, sipas tij, ka nevojë që të fillojnë gërmimet arkeologjike në atë lokacion, i cili, sipas tij, nuk përfshihet në kohën e qytetit të vjetër antik./ KultPlus.com