“The Legend of Zelda”, prej një loje elektronike në një krijim filmik

Premiera e re filmike e “The Legend of Zelda” do të rikthehet si një krijim filmik, duke sjellë dy aktorë të rinj britanikë në rolet kryesore, ka njoftuar Nintendo.

Ylli i “Renegade Nell”, Bo Bragason, 21 vjeç, do të luajë Princeshën Zelda, ndërsa Benjamin Evan Ainsworth, 16 vjeç, i njohur nga “Pinocchio”, do të interpretojë luftëtarin Link.

Në një njoftim në platformën X, Shigeru Miyamoto i Nintendo-s tha se është “shumë i emocionuar të shohë të dy në ekranin e madh”. Kjo do të jetë përpjekja e parë për të realizuar një film “Zelda”, megjithëse më parë, në vitin 1989, u krijua një seri televizive e animuar bazuar në këtë lojë.

Filmi “The Legend of Zelda” pritet të dalë në maj 2027, ku regjisori premton një përshtatje “serioze, por me fantazi”, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Loja ndjek Princeshën Zelda dhe luftëtarin Link, teksa përpiqen të shpëtojnë mbretërinë e Hyrule nga një sundimtar i keq i kthyer në mbret demon, i quajtur Ganon.

Në lojërat elektronike, Link nuk flet kurrë, por fansat kanë spekuluar se kjo nuk do të jetë kështu edhe në film. Gjithashtu, pritet që Princesha Zelda të ketë shumë më tepër kohë në ekran sesa në versionet e lojës.

Filmi me aktorë të gjallë u njoftua në vitin 2023, kur Sony konfirmoi bashkëpunimin me Nintendo për të bashkë-financuar projektin. Ai do të drejtohet nga Wes Ball, i njohur për “Kingdom of the Planet of the Apes” dhe trilogjinë “The Maze Runner”, përcjellë KultPlus.

Ball tha më parë për revistën Total Film: “E di që kjo është e rëndësishme për shumë njerëz dhe dua që të jetë një film serioz… një film i vërtetë që u ofron njerëzve një arratisje.”

“Kjo është ajo që dua të krijoj, duhet të ndihet si diçka e vërtetë. Diçka serioze dhe e bukur, por gjithashtu argëtuese dhe e mbushur me fantazi.”/KultPlus.com

Zelda Fitzgerald, një grua sfidash ngadhënjimtare, një flakë që nuk u shua dot

Nga Albert Vataj

A e shihni këtë grua? Emri i saj ishte Zelda Fitzgerald. Ajo nuk ishte thjesht një grua e epokës së saj, ajo ishte një shpërthim drite në një botë që nuk dinte si ta mbante.

Ishte e guximshme, e shndritshme dhe pa falje e lirë. Preu flokët shkurt, kërceu deri në agim dhe jetoi me një pasion që i mahniste dhe i shqetësonte ata përreth saj. Ngiste makina të shpejta, shkruante me zjarr dhe pikturonte me ngjyra që askush tjetër nuk mund t’i shihte. Ishte një grua që nuk njihte kufij, ose më saktë, nuk pranonte t’i njihte.

Pastaj, ajo u takua me F. Scott Fitzgerald. Ai u pushtua nga zjarri i saj, nga shpirti i saj i egër që e bënte të paharrueshme dhe intriguese marrëdhënien.

Ajo u bë muza e tij, frymëzimi i tij, modeli i vajzave të tij të arta në letërsi. Por me kalimin e kohës, i njëjti zjarr që e magjepsi, u bë diçka që ai donte ta kontrollonte.

Zelda nuk donte të ishte thjesht gruaja pas romaneve të tij, ajo donte të ishte një zë më vete. Dhe ajo ishte. Shkroi “Save Me the Waltz”, një histori të dhimbshme dhe të bukur, ku derdhi shpirtin e saj të paepur. Por në vend që ta mbështeste, Scott e pa si konkurrencë. E nënçmoi punën e saj, e kufizoi ëndrrën e saj dhe e pengoi të merrte vendin që i takonte në art.

Ajo luftoi tërë jetën kundër një bote që nuk ishte gati për të. E quajtën të paqëndrueshme, e mbyllën në azile dhe e nënshtuan ndaj trajtimeve që i zbehnin zjarrin, por pa mundur dot ta fikin diellin e një gruaje të gatuar me zjarr dhe dritë.

Por shpirti i një gruaje të lirë nuk mund të shuhet përgjithmonë, sepse ajo kishte lindur të meritonte përjetësinë.

Fjalët e saj, pikturat e saj, trashëgimia e saj, ato mbijetuan, linçimit dhe harresës. Dhe sot, Zelda nuk është më vetëm “gruaja e F. Scott Fitzgerald”. Ajo është një artiste, një shkrimtare, një forcë e natyrës.

Për çdo grua që i është thënë të heshtë: Mos e bëj. Vazhdoni të flisni. Vazhdoni të krijoni. Vazhdoni të jetoni sipas kushteve tuaja.

Bota u përpoq ta heshtë Zelda Fitzgerald. Por ne e kujtojmë dhe na mbrtet ta pranojmë se ajo vetëm se ju dha një zëshmërie më të gjëmimshme.