Kryeministri grek kërkon falje për katastrofën e zjarrit

Kryeministri i Greqisë ka kërkuar falje për dështimin në trajtimin e zjarreve në të gjithë vendin.

Qindra zjarrfikës po luftojnë me zjarret e mëdha që kanë detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe kanë shkatërruar dhjetëra prona.

“Ne mund të kemi bërë atë që ishte e mundur nga ana njerëzore, por në shumë raste nuk ishte e mjaftueshme,” tha Kyriakos Mitsotakis, transmeton KultPlus.

Tymi i dendur ende po derdhet nga ishulli Evia, në verilindje të Athinës, i cili është ndezur para njw jave.

Dhjetëra shtëpi dhe hektarë pyje janë djegur tashmë në Evia, në periferi të kryeqytetit dhe në pjesë të tjera të Greqisë.

Qindra banorë janë urdhëruar të largohen nga ishulli për t’i shpëtuar zjarreve, megjithëse disa ishin të vendosur të qëndronin për të mbrojtur pronat e tyre.

“Unë e kuptoj plotësisht dhimbjen e bashkëqytetarëve tanë që panë shtëpitë ose pronën e tyre të digjeshin,” tha Kryeministri Mitsotakis në një fjalim televiziv.

Por ai tha se vendi “po përballet me një fatkeqësi natyrore të përmasave të pashembullt”.

Zemërimi i publikut është rritur me vonesat dhe prishjet në përgjigjen e qeverisë, duke përfshirë një mungesë të dukshme të avionëve që lëshojnë ujë.

Mitsokasis tha se “çdo dështim do të identifikohet”, por këmbënguli se zjarrfikësit ishin në një betejë me “fuqitë e mbinatyrshme që shpesh tejkalojnë forcën e tyre”./KultPlus.com

Gazetarja greke shpëton kotelen nga flakët, nuk e lëshon nga dora gjatë transmetimit live

Edhe gazetarët që raportojnë çdo ditë për situatën e zjarreve në Greqi përfshihen në punën e zjarrfikësve duke i ndihmuar me aq sa kanë mundësi.

Këtë e bëri së fundmi gazetarja e ERT, Marina Demertzian, e cila po raportonte nga zjarri në Pefki kur ajo vuri re një kotele në një shtëpi të përfshirë nga flakët.

Ajo e largoi nga zjarri dhe nuk e lëshoi nga dora gjatë gjithë raportimit. Për disa ditë me radhë, Athina ka qenë e përfshirë nga flakët, të cilat kanë djegur edhe banesa e automjete.

Sipas specialistëve të ekonomisë janë tepër negative parashikimet për dëmet nga zjarret që duket se shkojnë mbi 500 milion euro.

Ndërsa hetohen shkaqet e këtyre zjarreve dhe tre persona janë nën hetim me akuzën e zjarrvënies, zyrtarët grekë gjithashtu fajësojnë për situatën ndryshimet e klimës dhe temperaturat e larta që zgjatën për gati 11 ditë. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=XISCbVInMpM