“39 Shkallët” në regji të Ilir Bokshit së shpejti premierë në Teatrin e Kumanovës

15 Qershor, 2019 - 3:00 pm

Në Teatrin e Kumanovës nën përkujdesjen e regjisorit Ilir Bokshi po vijojnë provat për vënien në skenë të shfaqjes “39 shkallët”, një parodi nga romani i John Buchan, e adaptuar për në skenë nga Patrick Barlow dhe nga filmi i Alfred Hiçkok.

Aktorët e përzgjedhur për këtë shfaqje janë: Qazmedin Nuredini, Lena Kryeziu- Bokshi, Sefedin Shabani dhe Ismail Kasumi, etj. Premiera pritet të jetë nga fundi i këtij muaji.

“39 shkallët” është një parodi të shkëlqyer ku një burrë tenton të ndihmojë një grua agjente, e cila më pas vritet, ndërsa protagonisti i ngjarjes do të luftojë për të shpëtuar veten dhe të përballet me një grup agjentësh tjerë. Aktorët do të sjellin një shfaqje shumëdimensionale përmes personazheve, rekuizitave dhe ambienteve të ndryshme.

Barlow ka adoptuar romanin e Buchan duke i dhënë një frymë zbavitjeje në skenë, ku aktorë do të luajnë të gjitha personazhet nga romani dhe filmi i Hiçkokut.

“39 shkallët” po ashtu njihet përmes filmit bardh e zi të Alfred Hiçkok të vitit 1935. Instituti Britanik i Filmit këtë film e ka shpallur si një nga katër filmat më të mirë të të gjitha kohërave. Por historia e “39 shkallëve” është më e vjetër se ky film, pasi që autori i veprës është John Buchan, që e kishte shkruar në vitin 1915. Ky roman më pas u adoptua në skenë nga Patrick Barlow, ndërsa kjo vepër ka arritur që të fitojë shumë çmime si komedia më e mirë, e luajtur në shumë teatro të botës. Në Brodway shfaqja është luajtur për 1200 herë për katër vite me radhë. (INA)

Të ngjajshme