Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës hyjnë në grevë, KultPlus sjellë vendimin e aktorëve drejtuar MKRS-së

16 Tetor, 2017 - 11:11 am

Që nga sot më datën 16 tetor, SHSTKK hyn në grevë të përgjithshme dhe bllokon tërësisht repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, deri në realizimin e kërkesave të tyre, shkruan KultPlus.

Kjo gjë është bërë e ditur përmes letrës së nisur tek ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi, letër të cilën e posedon KultPlus, ku njëherësh edhe tregohen të gjitha kërkesat e Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, se pse po hyjnë në këtë grevë të përgjithshme.

Pikërisht për këtë çështje, sot SHSTKK, ka organizuar konferencë për medie me fillim nga ora 13:30 në Sallën A të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në vijim, KultPlus sjellë njoftimin e plotë të kësaj shoqate drejtuar Ministrisë së Kulturës, Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës:

Për: Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Kujtim Gashi Këshillin drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës Drejtorin Gjeneral të TKK-së dhe Udhëheqësin Artistik

NJOFTIM

Të nderuar, Ju njoftojmë se, bazuar në nenin 44 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (për lirinë dhe organizimin sindikal), në nenin 89 të Ligjit të Punës, neni 27 të Ligjit për Organizim Sindikal, në Ligjin për Grevë nr. 03/L-200 si dhe konform vendimit unanim të Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës në bashkërendim me SBASHK-un, është marrë vendim t’ua rikujtojmë që:

Marrë parasysh gjendjen e rëndë dhe neglizhencën e aktorëve dhe punëtorëve të TKK-së, tash e 17 vjet, nga ana e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës Kosovës, pas tre kërkesave, për ngritjen e pagës bazë, të cilat ua kemi drejtuar ne si Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar te Kosovës gjatë muajve maj dhe qershor 2016 si dhe mars 2017; Pas dy kërkesave të Këshillit drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, (te nënshkruara edhe nga menaxhmenti i TKK-së), të datës 02.06.2016 dhe datës 03.11.2016, lidhur me Ngritjen e pagës bazë për aktorët rezident, përkatësisht inicimin e procedurave për përmirësimin e “Rregullores 05/2011 Për Krijuesit dhe Performuesit e Kulturës dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore”, konform Nenit 20 të kësaj rregullore; Pas zotimeve publike të datës 20.05.2016 dhe 07.06.2016 nga ana e Ministrisë se Kulturës, përkatësisht ish-ministrit Kujtim Shala, për ngritjen e pagës bazë për krijuesit dhe performuesit e artit; Pas mosfunksionalizimit të komisionit të ngritur nga ana e Ministrisë së Kulturës Pas takimit të datës 2 tetor 2017 me ministrin e ri të Kulturës Kujtim Gashi me ç’rast u paralajmërua që pas afatit 10 ditor SHSTKK do të jetë e detyruar të marrë masa të tjera ligjore dhe sindikale.

Pas mospërfilljes së kërkesave tona nga ana e MKRS-së, duke konsideruar se janë shtjerrur të gjitha format e tjera për realizimin e kërkesave tona, ne Aktorët e Trupës Rezidente të TKK-së, ua dërgojmë këtë njoftim:

Që nga data 16 Tetor 2017 (ditë e hënë), ashtu siç ju kemi paralajmëruar edhe në shkresat tona paraprake gjatë vitit 2016 dhe 2017, SHSTKK hyn në grevë të përgjithshme dhe bllokim të tërësishëm të reperorit të TKK-së deri në realizimin e kërkesave tona. Në të ardhmen, SHSTKK do të angazhohet dhe do të jetë partner i institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht i MKRS-së duke luajtur rol aktiv në amandamentimin e Ligjit të Teatrit dhe amandamentimin e Rregullores Nr. 05/2011 për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve profesional të Trashëgimisë Kulturore, deri në miratimin e ligjit të veçantë për Performuesit e Artit në Republikën e Kosovës. Me respekt, SHSTKK,

Prishtinë 13.10.2017
Udhëheqës të sindikatës: Ismet Azemi, Shkelzen Veseli dhe Adrian Morina./ KultPlus.com

Të ngjajshme