Duke trajtuar fatet e njerëzve që ikin, regjisori Kushtrim Bekteshi hapë sezonin në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren

7 Shtator, 2017 - 6:01 pm

Sarandë Selimi

Në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, qysh më 27 gusht kanë nis provat për shfaqjen e re e cila njëherësh edhe do të hapë sezonin në këtë institucion. ‘Ata që ikin’ me tekst e regji të Kushtrim Bekteshit, është drama e cila ka mbledhur rreth vetës gjithsej 12 aktorë, të cilët do i dhënë frymë kësaj shfaqje.

Për të folur më shumë rreth tekstit, inskenimit dhe punës që është bërë deri më tani, për KultPlus, foli regjisori Kushtrim Bekteshi.

“‘Ata që ikin’ është një dramë që e kam shkruar para dhjetë vitesh. Shpesh kam menduar ta inskenoj, por kur më është ofruar mundësia jam tërhequr sepse konsideroja se më duhet kohë derisa të krijoj distancën e duhur për t’iu qasur tekstit si regjisor, e duke shmangur subjektivitetin e të qenurit vetë autor i tekstit. Tanimë e ndjej se e kam krijuar atë distancë”, tha për fillim regjisori Bekteshi, duke vazhduar tutje të flas për përrallën e kësaj drame.

Ai tregoi se drama trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli, për të cilin regjisori Bekteshi, tha se ka një konsideratë shumë të lartë dhe ndjehet i nderuar që ka pranuar të jetë në ekipin e shfaqjes së tij.

“Jam shumë i kënaqur si po zhvillohet procesi i provave. Është hera e dytë që punoj në këtë teatër dhe shumicën e aktorëve i njoh shumë mirë, prandaj edhe kënaqësia e bashkëpunimit është po e njëjta si para dy vitesh. Bile mund të them se tani aktorët e këtij teatri i kam gjetur në kondicion edhe më të mirë, e kjo falë angazhimeve të vazhdueshme që kanë pasur në shumë shfaqje të suksesshme që janë realizuar në këtë teatër. Me pjesën tjetër të aktorëve, me të cilët po bashkëpunoj për herë të parë, ndjej të njëjtën frymë të bashkëpunimit kreativ, të njëjtën energji pozitive dhe elasticitet interpretues. Gjitha këto më japin një siguri se procesi i përgatitjes se shfaqjes do të rrjedh pa komplikime dhe besoj se produkti final do të rezultojë i suksesshëm”, theksoi regjisori Kushtim Bekteshi, ku poashtu tregoi edhe për pjesën tjetër të ekipit.

“Kostumografe është Samka Ferri, me të cilën është jo vetëm kënaqësi, por edhe privilegj të bashkëpunosh. Është shfaqja e katërt që bashkëpunoj me Samkën dhe besoj se do të bashkëpunojmë edhe në shumë shfaqje tjera. Ndërsa skenograf është Mentor Berisha, një skenograf i ri dhe tejet kreativ, me të cilin po bashkëpunoj për herë të dytë”, tha ai.

‘Ata që ikin’, pritet të dalë me premierë në fund të muajit tetor në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren./ KultPlus.com

Të ngjajshme