“Andërr” e Kreshnik Musollit vjen nën mjegullën e kohës

15 Shkurt, 2019 - 1:19 pm


Gili Hoxhaj

Gjithçka fillon mes shiut. Tri dritare e tregojnë qiellin e vranët, zymtësia e të cilit plotësohet prej degëve të dendura. Brenda kësaj errësire trupat shfaqen veç si hije që shpërndahen shpejtë, e krejt ngjarja kapërcen në një ambient shumëngjyrësh.

Për herë të parë balerinët kosovarë vijnë ndryshe para publikut prishtinas.

Balerini Kreshnik Musolli kësisoj që në hapin e parë si koreograf dëshmoi aspektin e tij filozofik e veçantinë për t’i sjellë skenës së baletit një rrugëtim ndryshe, me ‘Andërr’.

Balerinët me veshje më të gjera e lëvizje krejt të zakonshme fillimisht tregojnë se shfaqja nis me një grup të rinjsh që pjesën më të madhe të ditës e kalojnë rrugëve të mahallës. Ndërtesa në lagje është e ndërtuar me tulla të kuqe, po që shihen pak pasi që gjithë hapësira është e mbuluar me grafite shumëngjyrëshe.

E tillë është edhe jeta e banorëve aty, plot harmoni e ngjyra. Pranë një blloku banesor, koreografi ka vendosur ta fokusojë orën, praninë e kohës e ka matur në çdo hap që balerinët e hodhën në skenë. Ndryshe nga çdo vallëzim tjetër që balerinët kanë sjellë ndër vite në skenë, në këtë shfaqje lëvizjet e tyre diktohen nga muzika hip-hop. Asnjëri se pengon tjetrin në vallëzim e ndërveprimi mes tyre flet se secili po e shijon ritmin në mënyrën e vet. Pati edhe momente kur ata vet krijuan ‘rap’, me tekst të shkruar nga Kreshnik Musolli.  Aulonë Nuhiu dhe Sead Vuniqi përfaqësojnë çiftin i cili duket që vallëzon në qiellin e dashurisë. Në lagjen ku ata jetojnë, duket se asnjë re nuk mund ta prishë mënyrën se si ata natyrshëm ecin nën ritmin e dashurisë. Gjithçka rrokulliset shpejt, kur skenës i shtohen tre burra që dëshmojnë për një mënyrë tjetër të jetesës.

Sinan Kajtazi mbanë një qëndrim të drejtë në çdo lëvizje, reflekton krenarinë e një burri që nuk i mungon asgjë. E veçonte sakoja e kuqe, pranë dy burrave në kostum të errët. Shumë shpejtë do të ndërhyjnë në jetën e të rinjve që jetojnë në lagjen e tyre. Kur ata nisin të ecin në skenë, të gjithë të mbështetur pas murit drejtojnë krejt vëmendjen tek ta.

Koreografi Musolli thotë për KultPlus se është përpjekur që në shfaqje ta inkorporojë një botëkuptim shumë të thellë.

“Çdo gjë çka i përket pallatit dhe atyre njerëzve në atë botë është krejt aspekt psikologjik që është në trurin e Sead Vuniqit. Në një moment, ai e kupton se jeta nuk shkon vetëm duke kcy, aty hyn në tunelin e trurit të tij. E gjithë shfaqja tregon se kohën nuk mundesh më e ndalë”, shprehet koreografi.

Kreshnik Musolli arrin që shumë shpejtë gjithë ngjarjen ta zhvendosë në ambientet e këtyre tre burrave që gjatë gjithë kohës synojnë joshjen e rolit kryesor (Sead Vuniqit), për t’iu bashkuar jetës që ata bëjnë, pa pasur nevojë që të brengosesh se si të fitosh diçka që ta mbyllësh ditën. Këto personazhe, koreografi Musolli i ka futur si zëra të nënvetëdijes, ndërsa bëjnë që shumë shpejtë ai (Sead Vuniqi) t’iu dorëzohet lakmive, për t’u futur në grupin e tyre. Gjithçka e lë pas vetes në emër të gjërave materiale. Pas kësaj, e dashura e tij (Aulonë Nuhiu) në më shumë se dhjetë herë përjeton nënçmimin, e përplasje pas tokës, ndërsa ai (Sead Vuniqi) veçse e kishte arritur majën e pushtetit që ëndërronte. Shumë shpejtë e kupton, orvatet në zbrazëtinë e kohës që e kërcënon në çdo hap. Jeta e Aulonës veçse ishte shterur, ajo po numëronte ditët e fundit të jetës, e Seadi këtë e kupton atëherë kur asgjë s’mund të ndryshonte. Koka pa flokë e Aulonës tregon se sëmundja gati se e kishte rrëzuar e veç atëherë Seadi shton përpjekjet për t’i qëndruar sa më pranë. Në trekëndësh të lojës teatrore futen Aulona, Sinani e Seadi, dhe të tjerët.

“Seadi është vet Sinani. Pasi që ka vdekur Aulona, ajo ia ka marrë tërë lumturinë dhe ai është shndërruar në atë personin e ftohtë që ka pasur gjithçka sa i përket anës materiale por nuk e ka pasur dashurinë”, shprehet Musolli.

Në një intervistë për KultPlus, Kreshnik Musolli tregon se gjithë shfaqjen e ka përcjellur me plot emocion. Musolli tha se edhe pse aspektet psikologjike të shfaqjes mund të jenë të rënda, kur bën art me to atëherë kalojnë në një dimension tjetër.

“Çdo provë e kam përcjellë me shumë lot, po ashtu edhe sot shfaqjen pasi që kjo shfaqje ka rrjedhur prej mendimeve të mia më të thella, për krejt çka mua më proukupon si njeri pasi që unë mendoj se një njeri edhe nëse e don më së shumti në botë, nuk ki me e pas gjithmonë”, theksoi Musolli.

Ahmet Brahimaj kishte qenë ai që fillimisht kishte parë potencialin e Musollit për koreografi, ndërsa dje pas shfaqjes për KultPlus tha se nuk ka gabuar aspak që ia ka besuar këtë detyrë Musollit.

“E ka bërë një temë të ndjeshme e cila jashtëzakonisht mirë u lexu. Niku ka punuar në mënyrë shumë të përpiktë dhe që nga fillimi deri në fund e ka ditur se çfarë ka bërë. Ai e ka krijuar një shfaqje shumë të pastër koreografikisht por edhe temën e ka zbërthyer në mënyrë shumë të mirë”, tha Brahimaj për KultPlus.

Aulona Nuhiu ishte balerina që transmetoi shumë mesazhe duke përfaqësuar rolin kryesor të shfaqjes. Ajo thotë se kërkesat e Musollit kanë qenë shumë të qarta ndaj secilit.

“E falenderoj Nikun i cili ka besuar shumë në mua dhe jam e lumtur që publiku e priti shumë mirë. Për mua nuk ka qenë edhe shumë i vështirë jetësimi i rolit pasi që prej momentit kur Niku ma ka shpjeguar rolin, jam dashuruar në atë rol dhe e kam bërë me shumë kënaqësi. Meqë Niku na njeh të gjithëve është munduar që secilit t’ia përshtatë rolin dhe ka qenë një bashkëpunim shumë i lehtë që nga fillimi i provave e deri sot tek premiera”, tha balerina Nuhiu për KultPlus.

Kualifikimet dhe performanca e Kreshnik Musllit nisi me shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, në degën e baletit, ndërsa studimet universitare i vazhdoi në Regji Teatri në Fakultetin e Arteve. Ai është pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës qysh prej vitit 2008 dhe është pjesë e çdo shfaqje të BKK-së. Ai ka qenë i angazhuar edhe në projekte teatrore si regjisor, si balerin por edhe si asistent koreografie në pjesë të caktuara brenda dhe jashtë vendit.

Të gjitha ata që duan ta shohin shfaqjen “Andërr”, repriza e parë vjen sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme