Shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit ftohet të merr pjesë në festivalin ndërkombëtar të teatrit në Katowice të Polonisë

11 Qershor, 2022 - 12:34 am

Pas suksesit të jashtëzakonshëm, shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit ftohet të merr pjesë edhe në një festival ndërkombëtar të teatrit në Katowice të Polonisë, shkruan KultPlus.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “OPEN THE DOOR” do të mbahet në datat 19-26 qershor 2022 në Katowice të Polonisë, në Teatrin Slaski, i cili sivjet edhe feston 150 vjetorin e themelimit të tij.

Sipas organizatorëve, festivali asnjëherë nuk ka frikë nga temat e vështira, sepse të gjithë ne duhet të ballafaqohemi me to. Prej disa vitesh, festivali është marrë me temën e përjashtimit, duke zbuluar kësisoji edhe fytyrat e vërteta të tij. Gjatë edicionit të sivjetmë të festivalit OTD, përmes programit e shfaqjeve pjesëmarrëse dëshiron të tërheq vëmendjen tonë në mënyrë të veçantë për çështjen e refugjatëve, për ankthin që shoqëron shumë njerëz sot – shpesh edhe fqinjët tanë.

“a.y.l.a.n” fituese e disa çmimeve të rëndësishme të teatrit si “shfaqja më e mirë”, “regjia më e mirë”, “aktori më i mirë” e së fundmi edhe me çmimin ndërkombëtar “grand jury prize” në Festivalin Kontrapunkt 56, në Szczecin, trajton pikërisht dramën e refugjatëve dhe do të jepet me datën 26 qershor 2022, ora 19:30 në Festivalin “Open dhe door” në Poloni.

“Poloni, ne po viiiiiiiiiiiiiiijmë 🙂
Poland, here we coooooooomeeeeeee :)”, ka shkruar Teatri i Gjilanit në Facebook.

“a.y.l.a.n”
Prodhim i Teatrit të Qytetit të Gjilanit

Nga: Jeton Neziraj
Regjia: Blerta Neziraj

Luajnë: Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani dhe Alban Shahiqi

Drejtor artistik: Erson Zymberi
Skenografia dhe kostumet: Mentor Berisha
Koreografia: Gjergj Prevazi
Muzika: Tomor Kuçi
Dizajni i dritave: Yann Perregaux
Asistent regjisor: Avni Shkodra

Realizatorë të skenografisë: Mejdi Hoti, Haki Aliu, Fehmi Hoti
Ndriçues: Fatmir Halili
Tonist: Florim Gagica
Rekuiziter: Suad Berisha
Garderobiere: Bahrije Kurtalani /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme