Anulohet organizimi i edicionit jubilar të 50-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove në Ferizaj

20 Gusht, 2020 - 5:42 pm

Këshilli Drejtues i Teatrit “Adriana” në Ferizaj bashkë me menaxhmentin e institucionit të Teatrit dhe në konsultë me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas analizës së situatës epidemiologjike në vend, shtrëngimit të masave mbrojtëse ndaj COVID-19 përmes së cilave ndalohen tubimet publike, rrjedhimisht edhe aktivitetet kulturore përkatësisht veprimtaria teatrore, mori vendim që të anulohet organizimi i edicionit jubilar të 50-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove që mbahet pikërisht në këtë teatër.

Ky vendim, rrodhi nga diskutimi i gjatë mes anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe menaxhmentit të Teatrit, padyshim me konsultën e përhershme edhe me institucionet lokale dhe ato shëndetësore, vendim ky i dhembshëm por i domosdoshëm kur mirëfilli dijmë se është pikërisht Festivali i Teatrove, kryengjarja kulturore e Ferizajt për vitin përkatës kalendarik.

Duke qenë e tillë, shtrëngohemi që edicionin jubilar, 50 vjetorin e Festivalit të Teatrove në Ferizaj ta shtyjmë për vitin e ardhshëm 2021, për ta përgatitur ashtu siç meriton, dinjitetshëm, me pjesëmarrjen e gjerë të publikut fantastik ferizajas dhe jo vetëm si dhe me mirëpritjen e trupave teatrore nga gjithë gjeografia shqiptare.

Teatri “Adriana” dhe Këshilli Drejtues shprehin keqardhjen para publikut, artdashësve, trupave teatrore, për këtë vendim të diktuar nga situata epidemiologjike në vend. / KultPlus.com

Të ngjajshme