Artpolis përmes “Teatrit udhëtues për Fëmijët dhe të Rinjtë” synon arsim cilësor dhe zhvillim të mendimit kritik

1 Nëntor, 2018 - 2:30 pm

Alberina Haxhijaj

Performanca teatrale është fenomen kulturor universal që ekziston në çdo shoqëri mbarë botës. Të kuptuarit e teatrit na ndihmon të kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh njeri. Teatri është mënyrë e mrekullueshme e të mësuarit. Të shkuarit në teatër na mëson rreth njerëzve, vendeve dhe ideve të cilat ne nuk mund t’i paraqesim ndryshe. Teatri na ndihmon ta zhvillojmë kreativitetin. Pikërisht këto veti të teatrit dhe shumë të tjera i ka shfrytëzuar edhe Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, duke i ndarë ato së bashku me fëmijët dhe të rinjtë përmes “Teatrit udhëtues për Fëmijët dhe të Rinjtë”.

Zana Hoxha Krasniqi nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, ka treguar për KultPlus më shumë detaje për këtë projekt i cili vë në pah pikërisht vetit e teatrit pasi që teatri na mëson si të shprehemi në mënyrë efektive, zhvillon aftësinë tonë për t’i komunikuar mendimet tona dhe ndjenjat e të tjerëve, duke përmirësuar marrëdhëniet tona dhe duke e përmirësuar botën rreth nesh.

“Projekti u dedikohet nxënësve të shkollave fillore dhe shkollave të mesme të ulëta me fokus të veçantë te fëmijët e rikthyer në vendlindje, minoriteteve etnike dhe fëmijëve me nevoja të veçanta në mësim. Qëllimi i projektit është promovimi i arsimit cilësor duke përfshirë mësimin dhe zhvillimin e të menduarit kritik përmes artit konkretisht Teatrit”, tha për KultPlus, Hoxha Krasniqi.

“Teatri udhëtues për Fëmijët dhe të rinjtë”, është një projekt i implementuar nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, dhe mbështetet nga GIZ “Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Fillor në Kosovë (CDBE)”- komponenti për gjithëpërfshirjen në arsim të të kthyerve dhe pakicave etnike, që është pjesë e përkrahjes së Bashkëpunimit Gjerman në reformën e sektorit të arsimit në Kosovë.

“Ky projekt përfshinë përgatitjen dhe shfaqjen e tri shfaqjeve forum-teatër të dedikuara për fëmijët e klasave 1-5 dhe 6-9 nga komunitetet shqiptare, serbe dhe komunitetet RAE. Gjithsejta do të prezantohen 43 performanca në Shkollat Fillore dhe qendrat mësimore të komunave: Prishtinë, Fushë Kosovë, Shtime, Obiliq/Plemetinë, Pejë, Istog, Klinë, Prizren, Graçanicë, Gjakovë, Vushtrri dhe Podujevë”, ka treguar ajo.

Disa nga artistët e përfshirë në këtë projekt janë: Zana Hoxha Krasniqi, Kushtrim Qerimi, Donikë Ahmeti, Mikel Markaj, Verona Koxha, Edlir Gashi, Daniela Markaj, Lulzim Bucolli, Anisa Ismaili, Qëndresa Kajtazi, Alban Goranci, Armend Ballazhi, Kaltrinë Zeneli, Zoran Ristić, Emilija Dimitrijević, Marija Velić, Nemanja Popović, Nikola Velić, Tamara Trajković, Todora Dimitrijević, Yllëza Mazrekaj dhe Deltina Syla ndërsa stafi përbëhet nga: Stefana Živković, Skender Podvorica, Blerta Agushi, Samire Canolli, Majlinda Shefkiu, Elira Lluka dhe Blerina Rexhaj.

Puna e tyre është duke u pritur shumë mirë nga fëmijët dhe të rinjtë, tregoi Zana Hoxha Krasniqi e cila tha se tashmë janë paraqitur dy shfaqjet e para.

“Deri tani kemi paraqitur dy shfaqjet e para në Shkollën Dardania në Prishtinë dhe në Shtime në Shtëpinë e Kulturës ku kemi parë një interesim të jashtëzakonshëm nga fëmijët jo vetëm për ti përcjellë shfaqjet por edhe për tu involvuar përmes diskutimit gjë që e bën të veçantë Forum Teatrin. Përmes diskutimit dhe pjesëmarrjes aktive gjatë shfaqjeve, fëmijët jo vetëm argëtohen por edhe zhvillojnë mendimin kritik”, theksoi ajo.

Në shfaqjen Forum Teatër “Talent” paraqiten ngjarje nga një klasë në shkollë, ku mësuesja inkurajon nxënësit/et e saj të prezantojnë talentet e tyre. Gjatë kësaj shfaqje ne shohim një nga llojet më të shpeshta të diskriminimit në shkollë, por gjithashtu edhe mënyrat se si mund t’i zgjidhim ato. Kjo performancë është sa udhëzuese edhe interesante si për nxënësit/et, ashtu edhe për mësuesit/et, pasi që paraqet një shembull të mirë se si mund të vihen në pah talente të ndryshme të nxënësve dhe se si mund të shoqërohemi përtej dallimeve tona. Kjo performancë i dedikohet nxënësve të klasave 1 deri në 5 të shkollave fillore, pas së cilës do të mbahet diskutimi në mes aktorëve, nxënësve dhe mësimdhënësve.
Regjisor dhe moderator: Lulzim Bucolli Luajnë: Anisa Ismaili, Alban Goranci, Armend Ballazhi, Kaltrinë Zeneli dhe Qendresa Kajtazi Kostumet dhe Skenografia: Yllëza Mazrekaj dhe Deltina Syla.

“Dashni e Paragjykim” personazhet vijnë me një vorbull të dashurisë së re dhe simpatike të shoqëruar me paragjykime dhe ngacmim nga shoqëria, por gjithashtu do t’ju kujtojë se çfarë roli ka stafi i shkollës; përgjegjësia dhe qasja që zgjedhin për të adresuar këto çështje e për të mos i neglizhuar ato. Kjo performancë i dedikohet nxënësve të klasave 6 deri në 9 të shkollave fillore, pas së cilës do të mbahet diskutimi në mes aktorëve, nxënëseve dhe mësimdhënësve. Regjia: Zana Hoxha Krasniqi Luajnë: Mikel Markaj, Verona Koxha, Edlir Gashi, Kushtrim Qerimi dhe Donikë Ahmeti Moderatore e diskutimit: Daniela Markaj Kostume dhe Skenografi: Yllëza Mazrekaj dhe Deltina Syla.

Ndërsa shfaqja e tretë për fëmijët e komunitetit serb dhe rom “Kjo nuk është e vërtetë” është krijuar nga regjisori Zoran Ristić me aktorët: Emilija Dimitrijević, Marija Velić, Nemanja Popović, Nikola Velić, Tamara Trajković, Todora Dimitrijević. Kostume dhe Skenografi: Yllëza Mazrekaj dhe Deltina Syla.’/ KultPlus.com

Të ngjajshme